Gjuhë & Letërsi

“American qofte” e të tjera - Tregim nga Vangjush Saro

-Po ce, bre Landi, i shkruajnë këto dyqankat në gjuhë të tjera? - më thoshte gjyshi, ndërsa shëtisnim një mbasdite rrugëve të Tiranës. - Emrat, de. Ja, “Meridian 2”. Ç’do të thotë kjo “Meridian 2”? O po e ka fajin qeveria, ç’i do llafet! Qeveria?! Tani, ç’t’u bëjë edhe qeveria? Qejfe-qejfe dynjaja. 

Gjyshi im është nga Korça. Nuk është shumë i vjetër, por të folmen s’e ndryshon kurrë. Dhe sa herë vjen në Tiranë, veças kur është Viti i Ri, ka dëshirë të shëtisë e të shohë. I pëlqen shumë Tirana. Mirëpo nuk i rrihet edhe pa bërë ndonjë vërejtje.

-Shiko, mo Landi, shiko, - më tha pas pak, - “Bar Restorant Londra”. Të keqen e mendjes! Po ce o, nuk gjen dot një emër shqip? P.sh. “Bar Restorant Devolli”. Ose “Bar Restorant Tepelena”.

Ecëm më tutje dhe gjyshi prapë u ndal.

-Këta kanë roitur, mo Landi? Shiko, - tha - “King Club”. Pa më rrëfe, ç’kuptim ka kjo “King Club”? Hë de, ma përkëthe!

E ç’t’i thosha unë? Si t'ia "përkëtheja"? Klubi i mbretit? Klub për mbretër? I mbretit klub?…

Ani, vazhdoi shëtitja. Gjyshit veç, i mbetën sytë nëpër tabelat e klubeve dhe dyqaneve; dhe sot po më dukej më i fiksuar se kurrë në ankesat e veta.

-Video game, - lexoi pas pak. Dhe po vështronte xhamat e zinj e gjoja të zbukuruar të një klubi lojrash. E dija që do të më pyeste dhe fillova t’i shpjegoja që…

-E mo mirë, mirë, - më ndërpreu ai, - Kanë kohë njerëzia të lozën edhe kumar! Po ce, bre, nuk e përkëthen? Të thotë që është… është… Po kjo? T’u mbylltë e mendjes, t’u mbylltë! Po në Greqi jemi këtu që shkruan paidhaqe o? Pa le ky tjetri. “Moda show”, ia mbështjell byrazeri. Çfarë do të thotë kjo “Moda show” bre? Jo, jo! Nuk vete kjo punë! Dhe fajin e ka qeveria. Qeveria?! Tani, ç’të bëjë edhe qeveria! Ce, që thua ti, ne jemi si majmuna, de. Mos shikojmë një çiçkë përjashta shtetit ndonjë gjë, se e kopjojmë. I vemë ca mballoma, edhe hë… Po ka, ka edhe gjëra të bukura. Ja ky pallati, bre Landi, shumë i bukur… Po ç’ne, bre, emrin të jashtëm ia kanë vënë edhe këtij; paskan shkuar gjer në Spanjë këtë radhë. Edhe këta, sikur s’ka llagape mbë shqip sa të duash...    

Gjyshi nuk pushonte. Në të vërtetë, atij i pëlqen të flasë ca si shumë; e pranon edhe vetë. Por sot nuk kishte faj. Kudo që shkelnim e kudo që hidhnim sytë: tabela dhe mbishkrime në gjuhë të huaj, emra qytetesh dhe kryeqytetesh të botës. Kudo. Mund të gjeje aty Parisin, Romën, Berlinin, San Franciskon… E ç’nuk gjeje!

-Lëre lëre, - grindej gjyshi - e shëtitmë tërë botën. Po ka faj edhe qeveria. Qeveria?! Tani, ç’të bëjë edhe qeveria! Këta djemkat vdesin për t’u dukur ca. Ja! Shiko, mo Landi, shiko… “Bologna linea”! Ua ua ua, gjysmë shqip e gjysmë italiançe. Po ç’bëni kështu bre, Landi? Këtu i thonë Tiranë, apo si? T’u mbylltë e mendjes, t’u mbylltë! S’kanë lënë nofkë pe të botës pa përdorur… Lëre, lëre! E ka fajin qeveria. Qeveria?! Tani, ç’të bëjë më parë edhe qeveria? - Gjyshi veç grindej i shkreti. - Ia sëllojnë këta pronarët pe gjoje si t’u vijë për mbarë. Nuk pyesën fare. Ja, ja, tjetra… Po prapë mirë, ndërtime të mëdhaja, bre Landi. Vetëm që duhet ta mbledhin një çiçkë gjuhën. P.sh. le të thonë “Kafe Drenova” ose “Qebaptore Leskoviku”… Është më mirë, bre Landi, dëgjomë mua…

Dhe pas një copë here, krejt i ndërkryer:

-Ua ua ua! “American qofte”? Jooo, këtë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë. - Është kulmi, nipçe, “American qofte”! Le njëherë që amerikanët s’bëjnë qofte. Po ç’është kjo, bre? Një copkë vend, një klubkë sa një qymez edhe thotë… “American qofte”. Lëre, lëre! E ka fajin qeveria. Qeveria?! Tani, ç’të bëjë më parë edhe qeveria, more Landi…

Kështu shkoi shëtitja e mbasdites me gjyshin. Dhe unë e dija që s’mund të bëja gjë tjetër përveçse të shkruaja diçka për ato vërejtjet e tij. E kështu, unë fillova të shkruaja, kurse gjyshi vazhdonte të grindej, tani me babin; sepse edhe gjatë darkës, jep e merr po ajo histori: “Nuk e ke idenë, bre, ç’më kanë parë sytë! Ore, po të them, as Teutë, as Skënderbe; veç llagape pe jashtë. Jo jo, fajin e ka qeveria. Qeveria?! Tani, ç’të bëjë më parë edhe qeveria...”

Këndonte dikush në televizor, trokisnin gotat, tringëllinin lugët e pirunjtë dhe kjo e zbuste nga pak dëshpërimin e tij dhe ligjëratat pa fund e pa faj.

©Vangjush Saro

(Nga libri “Rrëfime nga shkolla ime”/ASD Studio - Tiranë 2005)