Gjuhë & Letërsi

Letërsia shqipe si pasuruese e fjalorit - Nga Erget Cenolli

Ditët e fundit, në përpjekje për të shpjeguar mungesën e 10-ës absolute tek nxënësit maturantë, zonja Ledi Shamku-Shkreli, vëren me të drejtë se nxënësit kanë mungesë leksiku (është mirë që profesoresha e nderuar të thoshte fjalor në vend të leksikut, por edhe kështu nuk ka gjë të keqe). Besoj se ka të drejtë. Fjalori, jo vetëm i nxënësve, por në përgjithësi, është i kufizuar.

Një nga shkaqet e kufizimit të fjalorit është standardi i cili ngjan me një mengene jashtë të cilës është zor të dalësh sidomos gjatë punëve me shkrim, eseve etj., ndaj edhe njerëzit për liri veprimi në fjalor u drejtohen shpesh e më shpesh fjalëve të huaja.

Shkaku i dytë është mosleximi i Letërsisë Shqipe. Kjo letërsi është shumë e pasur në fjalor (leksik). Në një prej studimeve të tij prof. Jani Thomai thotë: “… në letërsinë artistike, tek autorë të ndryshëm, lakorja e dendurisë lëviz nga dhjetë deri njëzet njësi frazeologjike për faqe…”. Nisur nga ky studim arrijmë në përfundimin se duke lexuar një libër me 300 faqe të një prej shkrimtarëve tanë, do të përfitonim 3000 shprehje frazeologjike. Po nëse lexojmë 10 apo 20 libra të tillë? Përfitimi do të ishte i pallogaritshëm në fjalorin tonë. Kështu edhe për njësi të tjera të fjalorit (leksikut).

Nga ana ime kam ngulur këmbë disa herë (si mushka), që në mësimin e gjuhës dhe letërsisë të përfshihen sa më tepër autorë shqiptarë, madje në 9-vjeçare të mos ketë fare autorë të huaj, ndërsa në gjimnaz lënda e Letërsisë Shqipe të jetë e ndarë nga ajo e huaj.

Përfshirja në tekste (thurje fjalore) të pjesëve nga Buzuku, Budi, Bogdani (sidomos fjalët plaka), më pas De Rada, Dara, Skironjtë, Naimi më tutje Mjeda, Fishta, Koliqi, Lasgushi, Mitrushi… në periudhën e Realizmit Socialist Kadare, Skënder Drini, Faik Ballanca, Teodor Laço, Frederik Reshpja etj. Edhe në periudhën pas ’90-ës kemi mjaft autorë të vjetër e të rinj që vijnë nga Realizmi Socialist, por që kanë qenë më pak të përfshirë në të. Rudolf Marku, Stefan Çapaliku, Dashnor Kokonozi, Moikom Zeqo, Zija Çela, Faruk Myrtaj, Roland Gjoza, Lazër Stani e të tjerë. Të më falni për vendin e kufizuar që kam në përmendjen e dhjetëra shkrimtarëve. Pas dymijës kemi Mira Meksin, Rudi Erebarën, Primo Shllakun, Tom Kukën, Anisa Markajanin, Lindita Arapin e plot e plot të tjerë. E pasur në fjalor është letërsia për fëmijë nga Bedri Dedja, Gaqo Bushaka e shumë të tjerë.

Në fund po e përfundoj duke theksuar e ngulur këmbë me të madhe (gjë që do ta bëj edhe në të ardhmen) se fjalori do të pasurohet vetëm nga programimi i sa më tepër Letërsi Shqipe, në shkollë dhe i përkrahjes me mënyra të ndryshme, të atyre që lexojnë Letërsi Shqipe edhe jashtë shkolle.

©Erget Cenolli