Për prindërit

Pse na gënjejnë fëmijët?

Fëmijët gënjejnë. Ky është një fakt që shumë prindër e konfirmojnë. Duket se nuk është e nevojshme të jepen instruksione për gënjeshtrën, as të inkurajohet ajo. Ata thjesht gënjejnë. Fëmijët ekzagjerojnë, shtrembërojnë të vërtetën, fshehin faktet, dhe mohojnë atë që duket. Të gënjyerit duhet të na shqetësojë të gjithëve. Por ajo që është më shqetësuese është të gënjyerit e vazhdueshëm pa arsye të dukshme. Prindërit bëhen më dyshues dhe mosbesues ndaj fëmijëve, ndërsa fëmijët nga ana tjetër bëhen më të pandershëm dhe të parregullt. Sapo cikli i të gënjyerit dhe mosbesimit të plotësohet vështirësohet gjetja e rrugës për ta ndaluar atë.

Gënjeshtra mund të jetë një tregues i rëndësishëm për shumë probleme që mund të ketë fëmija. Të gënjyerit e vazhdueshëm shpesh  është vënë re tek fëmijët që vuajnë nga çrregullimet e sjelljes sociale dhe çrregullimi i defiçitit të vëmëndjes. Në këto raste të gënjyerit shoqëron sjellje problematike si, vjedhja, agresioni, mashtrimi, braktisja e shkollës, sjellje të papërshtatshme me autoritetet e shkollës etj. Në të tilla raste ndërhyrja imediate e këshilluesit është shumë e nevojshme.

Por pse gënjejnë fëmijët? Mos ndoshta për shkak të frikës? Frika është një motivues i zakonshëm për të gënjyer. Fëmijët gënjejnë sepse kanë frikë se mami  ose babi do ti bërtasë, do ti ndëshkojë duke i privuar nga diçka, mos i blerë gjërat e dëshiruara ose mësuesja do ta çojë në drejtori. Frikëra të tilla mund të jenë racionale ose iracionale, por efekti i gënjeshtrës është i njëjtë- shpëtim i përkohshëm nga ndëshkimi.

Por fëmijët që gënjejnë nga frika zakonisht e dinë se kanë bërë diçka të gabuar. Kjo i siguron prindërve një bazë të fortë për t'iu përgjigjur gënjeshtrës së fëmijës. Por thirrja “të kam thënë 100 herë ......” nuk e ndihmon fëmijën të përballet me gabimin. Kjo më së shumti i  bën ata të huaj. Prindërit duhet ta pranojnë se fëmijët e tyre gënjejnë se kanë frikë nga temperamenti i prindërve. Zemërimi i vazhdueshëm, bërtitjet, ftohtësia e prindërve bën që fëmija të mos heqë dorë nga gënjeshtrat por ti shpeshtojnë ato.

Apo ndoshta gënjejnë se iu është bërë ves? Gënjeshtra bëhet zakon kur ajo praktikohet vazhdimisht. Ka mundësi që një fëmijë të gënjejë për refleks dhe kur konfrontohet këmbëngul se gjithçka është e vërtetë. Një nga mënyrat efektive të përballjes me gënjeshtrën është ti jepet mundësi fëmijës për tu justifikuar dhe për të tërhequr gënjeshtrën pa frikën e pasojës.

Apo gënjejnë sepse e kanë mësuar prej të tjerëve se funksionon? Fëmijët mësojnë të gënjejnë duke patur përvojën e të gënjyerit të të tjerëve, të më të rriturve.  

Apo se i njohin kaq mirë prindërit saqë arrijnë të bëjnë parashikimin paraprak? Fëmijët e parashikojnë reagimin e prindërve dhe për të mos ndodhur ajo që ata parashikojnë, ata gënjejnë.  Prandaj prindër kujdes se keni të bëni me fëmijët tuaj super inteligjentë.  

©FlasShqip.ca