Për prindërit

“Zemra” e De Amiçis, libri im i dashur - Nga Bamir Bebeziqi

Mund të ketë qenë pranverë e vitit 1991. E shikoj tim atë që po germonte në bibliotekën e tij personale e pas disa minutash gjeti një libër shumë të dashur për mua, në kohët e arta të fëmijërisë. Gjeti librin, “Zemra” të Edmondo De Amiçis, libër që e kisha lexuar disa here, bile ishte libri i pare që e kisha lexuar nga fillimi deri në fund.

Im atë e merr librin, ulet në ballkon, në vendin e tij të preferuar e fillon të lexojë. Pasi kalon pak kohë, i bashkohem edhe unë, por ai sikur donte të më shmangej. Pashë që sytë i kishte me lot.

-Çfarë bën? - i them - akoma të emocionon “Zemra”?

-E mora ta lexoj përsëri, pasi më bëri nervoz Umberto Bossi! - më përgjigjet. (Bossi në atë kohë ishte zgjedhur kryetari i partisë, “Lega Nord”.)

-A e ka lexuar ai këtë libër? A i kujton sakrificat e pafundme të popullit italian, gjakun e derdhur për bashkimin e Italisë, e tani këkon ndarje? - më thotë me zemërim.

-S’po të kuptoj, - i them - ç’të duhet ty se ç’ndodh në Itali? Ne kemi me qindra probleme këtu e ti trishtohesh për Italinë?

Me sa e kujtoj, im atë ka qenë gjithmonë një patriot në vetvete. Ai trishtohej për ndarjen e Italisë e nuk mundem ta imagjonoj se ç’mendonte për Shqipërinë, apo për ndarjen e trojeve shqiptare…

***

Para disa kohësh iu ktheva përsëri librit “Zemra”, por kësaj radhe në Anglisht, bile pashë edhe disa seri të historive rrëfyer bukur në libër, tashmë të ekranizuara, e me thënë të drejtën u emocionova. Shumë gjëra i kisha harruar e nga pak më dolën para syve personazhet e librit, Enrico, që rrëfente, De Rossi, Garroni, Sardi, Nelly, Koreti, Vottini, apo Franku.

Kur isha në fillore, doja t’i ngjasoja De Rossit, nxënësit më të mirë të klasës, por pëlqeja   edhe tipa si Garroni që ndihmonin gjithnjë më të dobëtit. Ngaqë isha i vogël me trup, më binte shumë në qafë një djalë i vështirë, i cili më kujtonte Frankun tek “Zemra”. E quanin Fatmir e ka gati 40 vjet që nuk jeton më. Nuk kujtoj fëmijë më ngacmues e më bullist. Kujtoj që e përjashtuan nga shkolla dhe e çuan në “Shkollën e edukimit”. Ngaqë më binte në qafë, shpesh kërkoja ndihmë nga një shok i klasës, nga Antonio, i cili ishte një trupmadh dhe qysh në atë kohë në koshiencën time kisha gjetur një Garron. Antonio mbeti jetim në moshë të vogël, pasi humbi babanë, krejt si Garroni, i cili jetonte me të ëmën.

Çfarë fantazie fëmijësh! Të gjithë shokëve përpiqesha t’iu gjeja nga një personazh të ngjashëm, nga libri i dashur “Zemra”.

Libri “Zemra” ishte shume edukativ e përveç dashurisë për atdheun, libri të ofronte shumë bukur, dashurinë e respektin për prindërit, për gjyshërit, për më të dobëtin, për të sëmurët, por më vjen çudi se përse ky libër nuk studiohet nëpër shkolla sot?

Cila është arsyeja? A mos vallë ka ardhur koha kur të gjitha dashuritë t’i përkasin vetëm folklorit, vetëm të shkuarës?

A ka ardhur koha që të dashurojmë gjërat që nuk kanë ndonjë vlerë?

Nuk besoj se ka ndonjë lexues, i cili nuk loton, kur Ferrucio i vogël dha jetën duke mbrojtur gjyshen e tij të paralizuar që hajduti Mazzoni donta ta vriste, pasi ajo e njohu.

Nuk besoj se ndonjëri nuk loton, për atë djalin që i qendronte në spital një burri të panjohur, duke menduar se ishte i jati, e çdo ditë i bënte shërbim deri sa burri u shua.

Nuk besoj se nuk prekesh për “Shkruesin e vogël Fiorentin”, i cili shkruante natën vonë, për të ndihmuar babanë e tij.

Po “Djaloshi lombardas”? Po “Patrioti i vogel nga Padova”, i cili i hodhi paratë që tri zonja i kishin dhënë pak më parë dhe në bisedë me njera-tjetrën filluan të shanin Italinë dhe italianët?

“Nuk më duhet lëmosha juaj!” - i thotë djali i vogël, i cili kishte dy vjet që ushqehej me mbeturina, pasi prindërit e tij e kishin shitur për pak para.

I gjithë libri nga fillimi në fund përshkohet nga dashuria, dashuria që gjithnjë e më shumë po goditet, nga forca të errëta, të cilat dashuria i vret, dashuria i pengon të arrinjë qëllimet e tyre të mbrapshta.

Sot libri “Zemra” nuk studiohet as në Itali.

“Eshtë libër që flet për patriotizmin, apo nacionalizmin, pasi pëlqehej në kohën e fashizmit”, do të thonte ndonjë kritik.

Dikush tjetër do të thonte se i shërben komunizmit e nacionalizmit në vendet komuniste.

Kuptohet që libri “Zemra” nuk ka nevojë të studiohet as në Shqipëri. Nuk ka shumë nevojë njeri për folklorizma sentimentalë.

Harrojeni dashurinë për prindin, për gjyshen, gjyshin e së fundi atdheun, pasi na çatë kokën me atdheun! Sot duhet te kemi vetëm shoqeri të lire, ku secili të bejë ç’ti thotë koka vet. Vlerat dhe virtytet, janë vetëm shfaqje të anakronizmit.

©Bamir Bebeziqi