Për prindërit

Picasso dhe dilema: njeriu lind apo bëhet? - Nga Çapajev Gjokutaj

Çapajev Gjokutaj

“Kur isha fëmijë, kujton Pablo Picaso, nëna më thoshte: ‘Nëse bëhesh ushtar, do arrish gjeneral. Nëse bëhesh prift, do arrish Papë’. Zgjodha të isha piktor dhe arrita të bëhem... Picasso!”

Më pëlqen kjo thënie se përcjell, jo një, por disa mesazhe, të drejpërdrejta dhe të tërthorta. Dhe mbi të gjitha të nxit të diskutosh.

Besimplotë në vete, spanjolli i madh pohon se ka arritur të jetë unik e i papërsëritshëm, të jetë Picasso. Dhe, me gjasë e koncepton këtë si një kuotë goxha të lartë në hierarkinë e artit: siç është Papa mes klerikëve, apo gjenerali mes ushtarëve, është Pikaso mes piktorëve.

E thënë bukur, por i mungon rëndshëm modestia, mund të thotë ndokush. Vetëm se edhe kjo mungesë semantizohet, përcjell një mesazh për natyrën e Pikasosë, raportet që ka me veten. Duhet të jesh një person si ai dhe me arritjet e tij që të mos shqetësohesh se mund të ngjash mburravec.

Në marrëdhëniet me të jëmën thënia përcjell një mesazh tjetër: Pikaso u bë ai që është se ishte i talentuar apo se e jëma i kultivoi ambicien, guximin, ëndrrën? Ndikoi talenti, apo nxitja e nënës apo edhe njera, edhe tjetra?

E kjo dilemë të shtyn tek një nga temat më pjellore të psikologjisë: Njeriu lind apo bëhet? E përcakton geni apo kultura, d.m.th. ambienti familjar e shoqëror?

Shkëndijon pastaj një diskutim më i gjerë, tej Pikasosë dhe së ëmës: fëmijës duhet t’i kultivojmë besimin në vete apo modestinë? T’i themi ‘je më i miri’ apo ‘krahas shokëve’?

Dhe në mbështetje të kësaj të fundit të thërrasim proverbat stërgjyshërore e ndrydhëse të tipit: ‘Delen që ndahet nga tufa e ha ujku’, ‘Kokën që del mbi të tjerat e pret shpata’ etj.

Dhe më tej akoma: Këshilla të tilla i shërbejnë etikës apo barazitizmit, nxitin apo frenojnë realizimin e fëmijës? Lehtësojnë apo vështirësojnë ecjen përpara të shoqërisë?

©Çapajev Gjokutaj