Iluzioni i të përkryerës dhe adoleshentët - Nga Çapajev Gjokutaj
A duhet të ushtrojmë trysni mbi fëmijët që të bëhen të përsosur? Është kjo një dilemë e stërlashtë, por në ditët tona duket se është bërë e mprehtë si kurrë ndonjëherë.
Në çdo kohë ka ekzistuar një palë që, gati duke shtrembëruar buzët, kanë thenë: ç’ka këtu për të dyzuar e vrarë mendjen? Zgjidhja është e qartë: thuaju të bëhen të përsosur, se në çdo rast qar do keni: edhe po qe se s’do ta arrijnë, do t’i afrohen, herë më shumë e herë më pak, dhe jeta e tyre do bëhet më e mirë dhe më e përmbushur.
Logjika duket e saktë por ka patur dhe vazhdon të ketë një problem të vogël: përsosmëria është e paarritshme nga njeriu, ekziston në rrafshin e ideve a të idealeve, por vështirë ta gjesh në jetën e njeriut a të njerëzimit. S’ka jetë njerëzore pa të meta, gabime, shmangie e mosrealizime. Parë kështu duke rendur pas ideales, dmth të paarritshmes, njeriu parapaguan për zhgënjimet dhe depresionin e sotëm dhe të nesërm.
Iluzioni i të përkryerës është bërë veprues sidomos në kohën tonë kur lloj lloj VIP-ash shfaqen në instagram e në rrjete të tjera sociale me jetë të përkryer, me trupa të përsosur, me marrëdhenie prej ëngjëjsh.
Njerëzia, sidomos adoleshentët i marrin këto demostrime virtuale për jetë reale dhe pasojat njihen: rritet numri i atyre që u duket vetja dështakë, trupi i vet u ngjan i shëmtuar, mjedisi ku jetojnë u shfaqet mediokër e i mërzitshëm. Si rrjedhojë shumë vajza dhe djem bëhen anoreksikë, depresivë dhe të prirur për abuzime narkotike a, mos qoftë e thënë, për t’i dhënë fund jetës.
Mbase do të bënim mirë që fëmijët dhe të rinjtë të mos i qorollepsnim me modele përsosmërie por t’u ngulitnim në kokë se është krejt njerëzore që secili të ketë defektet dhe dobësitë e veta. Synimi s’është të mos kesh, synimi është dhe duhet të jetë si të përmirësosh ç’mund të përmirësohet dhe ndërkohë ta gëzosh jetën pa i bërë keq trupit tënd dhe pa shqetësuar të tjerët, përkundrazi duke u sjellë gëzim e dashuri.
©Çapajev Gjokutaj