Për prindërit

Ego dhe altruizmi ynë - Nga Agim Baçi

A është altruizmi një rrugë e sigurtë drejt egoizmit? A synojnë veprimet tona ndaj të tjerëve që vetja jonë të marrë një emër më të mirë përballë atyre që na rrethojnë, apo e mendojmë këtë shpërblim në një tjetër jetë? Me cilën kohë flirtojmë kur dëshirojmë të kryejmë një veprim të mirë ndaj dikujt? A na dëmton egoja jonë kur kërkojmë të ecim, të vrapojmë drejt dëshirave tona? A është rezultati i vetmi matës i asaj ç’ka bëjmë në jetë?

Egoizmi dhe altruizmi kanë qenë pjesa e debatit të përhershëm që kur njeriu nisi të filozofonte për jetën e tij. Platoni, Arsitoteli, Spinoza, Epikuri, Ibën Halduni, Averoesi, Burke, Loke, Niçe, Smith, Humbold, Hajdegeri, Baumani, apo dhjetra e dhjetra filozofë të tjerë e shkrimtarë, anekënd botës, kanë patur në qendër të përshkrimeve të tyre njerëzore pikërisht këtë betejë të shënjuar fort në hartën e mendimeve ku njeriu gjatë jetës së tij ka kaluar e vijon të kalojë. Edhe pse ndoshta shumëkush nuk di ta thotë me fjalë se edhe brenda gjithkujt prej nesh se ekziston kjo përplasje ndjesish, sërish këto ndjesi kanë pasur fuqi kudo dhe ngado.

Aq më të rëndësishme janë bërë këto pyetje në shoqërinë e sotme të spektaklit, ku realiteti dhe gënjeshtra po humbin çdo kufi mes tyre. Dhe ne jemi dëshmitarë se si me ndryshimet e mëdha njerëzore, në përditshmërinë e asaj që njihet si shteti dhe shoqëria moderne, kanë patur pyetje nëse mund të kuptohet kapitalizmi pa kuptuar egon njerëzore apo nëse është prodhimi i vetmi kriter matës në jetët tona. Ashtu si shumëkush mund të pyesë nëse ka themele të sigurta altruizmi nëse nuk ne arrijmë dot të përcaktojmë nëse do shohim e gjykojmë vetëm në kufijtë e dukshën të botës apo edhe matim veprimet tona edhe në “Atë, Përtej”, ku ekzistojnë llogari të tjera?

Për të dhënë përgjigje ndaj këtyre pyetjeve duhet që brenda vetes tënde të jesh qartësuar lidhur me debatin për shoqërinë si çështje kolektive apo shoqërinë në marrëdhënie me individin. Duhet gjithashtu të kesh disa ide se si duhet ta perceptosh në jetë komandimin apo bindjen. Për gjithkënd që dëshiron të jetë pjesë e këtij debati është e rëndësishme të shtrohet edhe çështja nëse për ne është nocioni i forcës apo ai i nevojës që na jep çelësin e të kuptuarit të dukurive shoqërore rreth nesh. Fundja, shumë gjëra mund të mos zhduken kurrë, por ama, raporti me to vendos nëse e kuptojmë lirinë, nëse dimë kufijtë mes egos dhe altruizimit brenda nesh.

©Agim Baçi