Për prindërit

Meditim te kafja: “Babai im, heroi im” - Nga Agim Xhafka

Dje çova mbesën te “LATITUDE” këtu në Tiranë. Është një kompleks gjigand zbavitës, mbushur plot hare nga lumturia e fëmijëve dhe adoleshentëve. Ndërsa ajo shkoi brenda te sektorët argëtues me shoqet dhe shokët e klasës unë u rehatova te kafja. Ngjitur me tavolinën ku u ula ishte një familje. Dy prindërit, një çun afër 12 vjeç e një vajzë mbase 10 vjeç.

-O ba, kam nesër një hartim me temë “Babai im-heroi im”. Çfarë të shkruaj?

-Do shkruash ato që ndjen. Pra, pse unë qenkam heroi yt? Më trego!

-Po ja, ti më ke mësuar notin, më ke mësuar biçikletën, skitë, patinat…

-Të ka blerë tablet, celular… -shtoi nëna e tij.

Më pas nuk e ndoqa bisedën e tyre. Dëgjoja copëra fjalësh, por nuk i lidhja se nuk më interesonin. Mbeta me veten time te pyetja: “Pse babai im ishte heroi im?”

Në fakt nisa ta bëja edhe unë një si tip hartimi. Më shumë meditim rreth kësaj teme. Si fillim shkrojta në zemër, po babai im ishte dhe është heroi im. Nuk kam mëdyshje për këtë, paçka se ai ka vite e vite që iku andej e më la mua këndej. Më erdhi ndër mend Noli që shpesh, kur gjendej ngushtë para një halli, telashi a pengese, bënte pyetjen si do të vepronte Skënderbeu nëse do të qe në vendin tim? Këtë pyetje e bëj dhe unë, por jo për Skënderbeun, po për babain, heroin tim. E ndërsa shtjelloj kuptoj se gjeneratat kanë kuptim të ndryshëm për heroin.

Ja, e para që ndryshon nga çuni 12 vjeçar, im atë nuk ma mësoi notin. Se s’kishte ku të ma mësonte. Si familje asnjë verë nuk pushuam bashkë në bregdet apo qoftë dhe në Pogradec që e kishim pranë me Korçën. Ishim hollë nga paratë e thuajse nuk na tepronte gjë kur mbyllej muaji. Babai pati kaluar një pneumoni të rëndë dhe çdo shtator shkonte në Voskopojë. Një muaj në shtëpi pushimi që kushtonte asgjë, po që oksigjenin e kishte me shumicë për mushkëritë e tij. Notin ma mësoi Hasani, roja i pishinave të qytetit. Sa më pa që hyra pa biletë, pra kërceva nga gardhi me tela, më dha një shkelm bythëve e rashë bllump në 4 metër thellësi. I dhashë forcë vetes e dola deri te shkallët. Pastaj u hodha vetë disa herë e sërish i kapja shkallët. Kështu nja dy-tre orë. Më pas me rroba qull vrap në shtëpi klitha që te dera, mësova not, o njerëz.

Ja e dyta, ndryshe nga çuni 12 vjeçar, biçikletën nuk ma mësoi babai. Nuk patëm biçikletë as të madhe, as të vogël në shtëpi. Ama te cepi i pallatit funksiononte dyqani i riparimit të tyre. E atje na e jepte një xhiro Petro Jatagani. Nga ato kinezet e mëdhaja. Futnim këmbën poshtë tubit, bënim copë kyçin e këmbës nga shtrëngimi me zinxhirin plot graso ndërsa prapa më mbante Calja ose Leko që u bërtisnin njerëzve në rrugë, hapuni ore se do ju shtypim! Pas një jave fishkëllenim mbi shalën e lartë.

Ja e treta, ndryshe nga çuni 12 vjeçar, skitë i mësova vetë te Qeroska. Te ajo rrugicë e ngushtë si gjarpër që shtrihej nga kodra deri te bulevard “Republika”. Sa binte bora e parë e niste ngrica, ne fëmijët fluturonim mbi hekurishtet që ua kthenim majën dhe i lidhnim te këmba me kordonët e perdeve që i “vidhnim” te shtëpia. Qenë këto sajime “prindërit” e patinave moderne. Me ato kapnim shpejtësi skëterre, aq predhë zbrisnim sa një sy e mbanim pakëz hapur se era gati na shkulte të dy kokërdhokët.

Ja dhe të tjerat, ndryshe nga çuni 12 vjeçar, as celular, as tablet, as… nuk më bleu babai. Atëhere nuk kish nga këto gjëra. Kish televizor, por dhe atë babai e solli në shtëpi kur unë dhe vëllai ishim studentë.

Po pse atëhere im atë qënka heroi im? Sepse…ai pat bërë shumë heroizma. Të përditshme.

Ende kujtoj kur më hypi një temperaturë e lartë dhe ambulanca po vonohej. Më mori në krahë nga shtëpia te stadiumi deri te spitali, afër 2-3 km. Dihaste, djersët e tij më binin në fytyrë, por nuk ndali deri sa më vendosi te krevati i pavionit. E mes asaj kllapie pashë që qante. Kishte nxjerrë para meje dashurinë e madhe, ankthin e madh dhe dhimbjen që po e mbyste. Mes episodeve rri krenar një gjest kur nëna për darkë i fërgoi dy vezë e sa ia vuri para u sulëm ne, tre fëmijët, me sy të uritur. Babai sajoi mizaskenën. I tha nënës të shihte te pallto në korridor a i kishte çelësat e zyrës në xhep e sa ajo u largua na dha komandën, futjuni vezëve. Pas tre sekondash pjata ishte e larë.

Heroi im më bëri të qaj kur një ditë plot borë do shkoja ekskursion në malin e Moravës e më la galloshet e tij prej llastiku që mos më lageshin këmbët. Ai vetë shkoi mes llohës së shkrirë me këpucë që fusnin ujë e ashtu ndenji tetë orë sa erdhi në shtëpi me drithma nga acari. Mund të shtoj dhe sedrën që na kultivoi. Kur me vëllanë shkuam studentë u bë student edhe babai. Mësonin të tre, unë më kollaj se letërsi studioja. Ata ngulur mbi matematikë e kimi. Ama asnjë çap pas. Përpara, thosh çdo ditë heroi. E si për kapak më vjen ndër mend albumi i fotografive. Thuajse në të gjitha babai im buzëqesh veshur me të njëjtën këmishë. Prej poliestri, prodhim i kombinatit të trikotazhit. Jo se e pëlqente, por se veç atë kish, laj, thaj. Nga që rrogën e tij komplet na e dërgonte mua e vëllait në Tiranë, ku studjonim.

Babai im - heroi im, është temë universale. Si ajo telekomanda që hap çdo lloj televizori. Kushdo atin e vet e ka idhull, mësues dhe shembull.

-Po unë që pata një baba me vese, që më rrihte e që ishte i alkoolizuar? - më pyeti Calja me gjysëm zëri.

-Edhe ti hero e ke. Nga ai ke mësuar të përbuzësh veset. - iu përgjigja

Babai si te ligjet e kohëve moderne. Na mëson me virtytet, por dhe me të metat e tij. Ai është PIN-i i veprimeve tona, i sjelljes dhe i qëndrimeve që mbajmë dhe që shfaqim. Ndaj është A e ADN-së. Ndaj është hero, i cili jeton edhe atëhere kur s’rron...

© Agim Xhafka