Kanada

Manitoba, 72 vjeçari Clarence Woodhouse shpallet i pafajshëm 50 vjet pas dënimit për vrasje

  • Published in Kanada
Nga: Flasshqip.ca

Kanada - Një person i dënuar me burg për një vrasje në Winnipeg të provincës kanadeze Manitoba 50 vjet më parë, është shpallur dje (03.10) i pafajshëm nga gjykata. Sipas organizatës Innocence Canada, 72 vjeçari Clarence Woodhouse, i cili vuajti dënimin pas hekurave 12 vjet, ka reklamuar me force pa reshtur për pesë dekada pafajësinë e tij.

Ai ishte pjesë e një grupi të akuzuarish, së bashku me Allan Woodhouse dhe Brian Anderson, të cilët u dënuan për vrasjen e Ting Fong Chan në vitin 1974. Chan, i cili punonte në një restorant në qendër të kryeqytetit të Manitoba, u rrah dhe u godit me thikë për vdekje. Të akuzuarit për vrasjen e Chan, pjesëtarë të një komuniteti autokton, u dënuan me burgim të përjetshëm pa mundësinë e lirimit me kusht para një periudhe 10 vjeçare. Ndërkohë, Allan Woodhouse dhe Brian Anderson u shpallën të pafajshëm qysh në korrik 2023.

Ministri federal i Drejtësisë urdhëroi rigjykimin e dosjes vitin e kaluar dhe më në fund dje (03.10) gjykata e Winnipeg ka pranuar se bëhet fjalë për një gabim gjyqësor. “Ju jeni dënuar padrejtësisht. Ju ishit i pafajshëm”, iu drejtua Clarence Woodhouse, kryetari i Gjykatës së Mbretit në Manitoba, Glenn Joyal.

Edhe Shërbimi Policor i Winnipeg e pranoi vendimin e gjyqtarit Joyal. Në një deklaratë, ky institucion theksoi dëmin e rendë “që shkakton një dënim i gabuar ndaj të gjithë atyre që përfshin sistemi i drejtësisë, por veçanërisht ndaj viktimave të krimit dhe familjeve të tyre, si dhe personave që akuzohen për një krim”. Policia u angazhua gjithashtu për të vazhduar përpjekjet e saj në kapërcimin e problemeve sistemike, në mënyrë që të parandalohen dënimet e gabuara dhe të ruhet integriteti i sistemit të drejtësisë.

Avokatët e Woodhouse kujtuan se klienti i tyre në kohën e arrestimit dhe hetimit është marrë në pyetje në anglisht, edhe pse gjuha e tij kryesore ishte Saulteaux, një dialekt Ojibwé. Sipas James Lockyer, avokat i Innocence Canada, “është vështirë të besohet se fakti që ai është autokton nuk ka luajtur një rol në dënimin e tij të padrejtë”, por një nga problemet me racizmin është se ai nuk është e lehtë të provohet”, ka shtuar Jerome Kennedy, drejtor i Innocence Canada, duke theksuar gjithashtu që “edhe pse nuk mund t'u kthehet e kaluara këtyre njerëzve, raste të tilla vlejnë si mësime për të ardhmen”.

Matt Wiebe

Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë dhe Prokuror i Përgjithshëm i Manitoba, Matt Wiebe, ka pohuar po dje pas vendimit, se barriera linguistike ilustron një nga padrejtësitë me të cilat Clarence Woodhouse u përball gjatë gjykimit të tij. “Z. Woodhouse flet Ojibwé, por gjyqi u zhvillua në anglisht, pa ndihmën e një përkthyesi. Ky lloj gjykimi nuk ka absolutisht vend në Manitoba, ku çdo qytetar ka të drejtën e trajtimit të barabartë dhe të drejtë para ligjit”, pohoi ndër të tjera ai gjatë një seance pyetjesh në sallën e Asamblesë Legjislative të provincës.

Ministri i Drejtësisë gjithashtu i kërkoi falje z. Woodhouse dhe familjes së tij. “Clarence, më vjen keq. Qeverisë sonë i vjen keq. Askush nuk duhet të provojë më vuajtjet dhe mundimet e tua. Kjo kërkesë për falje nuk mund ta ndryshojnë këtë situatë ose ta riparojnë dëmin e rëndë të shkaktuar. Megjithatë, unë shpresoj se mund të sjellë pak paqe dhe ngushëllim për ju dhe familjen tuaj”, u shpreh Matt Wiebe.

Pasi doli nga gjykata, i saposhpalluri i pafajshëm, Clarence Woodhouse, deklaroi se ndihej i çliruar që më në fund ky kapitull i jetës së tij u mbyll. “Është bukur të jesh i lirë, eh, pas gjithë këtyre viteve”, tha ai, duke shtuar se ndjente keqardhje për vëllain e tij, Russell Woodhouse (personi i katërt i dënuar për vrasjen e Ting Fong Chan), i cili gjithashtu vuajti 10 vjet pas hekurave e më pas vdiq në vitin 2011, përpara se Innocence Canada të paraqiste një kërkesë për rishqyrtimin e dosjes.

© Flasshqip me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: CBC/Radio-Canada; Free Press/Mike Deal