Kanada

Profesor Geoffrey Hinton i Universitetit të Torontos fiton Çmimin Nobel në Fizikë

  • Published in Kanada

Shkencëtarët Geoffrey Hinton nga Universiteti i Torontos dhe John Hopfield nga Universiteti Princeton u nderuan dje (08.10) me Çmimin Nobel në Fizikë 2024, për zbulimet dhe shpikjet e tyre në fushën e neouroneve artificiale dhe Inteligjencës Artificiale.

Hinton, i lindur në Britani në vitin 1947, e ka kaluar dekadën e fundit duke ndarë kohën e tij midis mësimdhënies së shkencës kompjuterike në Universitetin e Torontos dhe punës pranë ekipit të të mësuarit të avancuar përmes Inteligjencës Artificiale të Google, përpara se të njoftonte dorëheqjen e tij nga kompania Alphabet në vitin 2023. Ai është kanadezi i shtatë qe e fiton këtë çmim prestigjioz.

“Jam i shtangur, i surprizuar, nuk e mendoja që kjo do të ndodhte”, deklaroi Hinton përmes telefonit për panelin e mbledhur në Akademinë Mbretërore Suedeze të Shkencave në Stokholm.

-Ai që ndihmoi në krijimin e Inteligjencës Artificiale tani është i shqetësuar se ajo mund të shkatërrojë njerëzimin

Britaniko-kanadezi Geoffrey Hinton, i njohur dhe si një nga “Godfathers” e Inteligjencës Artificiale (IA), pat deklaruar se u largua nga Google për shkak të zbulimeve të fundit mbi IA që e bënë të kuptojë se ajo përbën një kërcënim për njerëzimin.

Sipas Ellen Moons, anëtare e komitetit të Nobelit në Akademinë Mbretërore Suedeze të Shkencave, të dy laureatët “përdorën koncepte themelore nga fizika statistikore për të dizajnuar rrjete nervore artificiale që funksionojnë si kujtesa asociative dhe gjejnë modele në grupe të mëdha të dhënash”. Ajo pohoi gjithashtu për mediat se rrjete të tilla janë përdorur për të avancuar kërkimet në Fizikë dhe janë bërë gjithashtu “pjesë e jetës sonë të përditshme, për shembull në identifikimet faciale dhe në përkthime”.

“Hopfield krijoi një kujtesë asociative që mund të ruajë dhe rindërtojë imazhe dhe lloje të tjera të modeleve në të dhëna, ndërsa Hinton shpiku një metodë që mund të gjejë në mënyrë autonome elementë të dhënash dhe të kryejë detyra të tilla si identifikimi i elementëve specifikë në foto”, thuhej ndër të tjera në njoftimin zyrtar të Akademisë Sudeze.

-Hinton: Inteligjenca Artificiale mund të bëhet “më e zgjuar se ne”

Në një intervistë për The New Network dje paradite (08.10), Hinton shprehu besimin e tij se efektet e përparimeve në Inteligjencën Artificiale do të jenë të krahasueshme me ato të Revolucionit Industrial, duke çuar në rritje të mëdha të produktivitetit dhe duke ofruar efikasitet nëpërmjet zhvillimit të asistentëve të IA që do të ndihmojnë në shumë sektorë, përfshirë edhe ofrimin e kujdesit shëndetësor.

Ndërsa për CBC News ai pohoi se progresi i IA do të jetë fantastik dhe nuk do të ndalet. “Nuk mendoj se mund të shtypim një buton pauze për IA sepse ka shumë përfitime të mëdha prej saj, por ne duhet vërtet të shqetësohemi se si ta mbajmë atë nën kontroll”, theksoi Profesori Emeritus i University of Toronto.

Siç dhe ka paralajmëruar Hinton që pas largimit nga Google, “mund të ketë pasoja të padëshiruara që rezultojnë nga avancimi i teknologjive të IA që mund ta shkruajnë vetë kodin e tyre kompjuterik, sepse nuk kemi ende përvojë se ç’mund të ndodhë po të kemi makineri më të zgjuara se ne”.

Njoftimi për nderimin e John Hopfield dhe Geoffrey Hinton u bë gjatë një konferencë për shtyp në Akademinë Mbretërore Suedeze të Shkencave në Stokholm.

Hinton është gjithashtu laureat i çmimit prestigjioz A.M. Turing për kontributet e tij në shkencën kompjuterike si dhe është titulluar Kompanjon i Urdhrit të Kanadasë për arritjet në zhvillimin e algoritmeve të mësimit që lejojnë kompjuterët të njohin fjalimet, të interpretojnë imazhet dhe të identifikojnë struktura në grupe të ndërlikuara të dhënash. Hinton u atashua pranë Universitetit të Torontos qysh nga viti 1987 si dhe ka qenë këshilltar pranë Institutin Kanadez për Kërkime të Avancuara.

I pyetur nëse kishte një mjet të preferuar IA online, profesor Hinton ka pohuar se ka përdorur shpesh GPT-4 nga OpenAI, por nga ana tjetër ka pranuar se nuk e beson plotësisht, “sepse mund të haluçinojë”.

Çmimet Nobel kanë një shpërblim monetar prej 11 milionë koronash suedeze (1.44 milion CAD), i cili ndahet midis fituesve nëse nderohet më shumë se një person. Kjo shumë buron nga një testament i lënë prej krijuesit të çmimit, shpikësit suedez Alfred Nobel. Laureatët ftohen të marrin çmimet e tyre në ceremoninë që zhvillohet çdo vit më 10 dhjetor, ditën e përvjetorin të vdekjes së Nobelit.

Çmimi për Fizikën u shpall një ditë pasi dy biologë amerikanë, Victor Ambros dhe Gary Ruvkun, fituan Çmimin Nobel në Mjekësi për zbulimin e mikroRNA. Njoftimet për Nobel do të vazhdojnë me çmimin për Kimi sot (09.10) dhe çmimin për Letërsi nesër (10.10). Ndërkohë Çmimi Nobel për Paqen do të shpallet të premten, 11 tetor dhe çmimi për Ekonomi të hënën e ardhshme më 14 tetor.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Fotot: University of Toronto/Johnny Guatto; Reuters/Christine Olsson/TT