Kanada

Deputetët liberalë disidentë kërkojnë votim të fshehtë për largimin e kryeministrit Trudeau

  • Published in Kanada

Siç ka raportuar dje (28.10) media shtetërore CBC/Radio-Canada, një grup deputetësh liberalë disidentë po kërkojnë tani votim të fshehtë në grupin parlamentar për lidershipin e Justin Trudeau, ndërkohë që vetë kryeministri kanadez e ka bërë të qartë për gazetarët se nuk do të tërhiqet, pavarësisht kërkesave që ai të largohet. Kujtojmë që mbi njëzet anëtarë të grupit parlamentar firmosën javën e kaluar një letër që i jepte kreut të Partisë Liberale afat deri dje (28.10) për t’iu përgjigjur kërkesës për dorëheqje. Synimi i tyre ishte që t’i jepnin Justin Trudeau kohë në fundjavë për të reflektuar mbi ato që rreth 30 deputetë i deklaruan atij gjatë një mbledhjeje me dyer të mbyllura të grupit parlamentar të mërkurën më 23 tetor.

Sipas deputetit nga New Brunswick, Wayne Long, rebelët e grupit i shpjeguan atë ditë shefit të tyre arsyet përse ai duhet të largohet para zgjedhjeve të ardhshme. Por, kur u pyet të nesërmen në mëngjes nga gazetarët, Trudeau u tregua i prerë në lidhje me planet e tij për të ardhmen duke u shprehur se do ta drejtojë ai partinë në fushatën e ardhshme. Megjithatë, duket se kjo vendosmëri nuk e ka frenuar pakënaqësinë brenda grupit liberal. “Ne vazhdojmë të kërkojmë dhe të ushtrojmë presion për një votim të fshehtë. Besojmë se një votim i fshehtë do t’i jepte fund kësaj situate njëherë e përgjithmonë”, ka pohuar Long për Radio-Canada.

Edhe pse nuk ekziston asnjë mekanizëm në Statutin e Partisë Liberale të Kanadasë që u lejon deputetëve të shkarkojnë liderin e tyre kundër vullnetit të tij, apo edhe pse nuk ka asnjë mënyrë për deputetët për të imponuar një votëbesim të fshehtë, sipas Patrick Weiler, deputet nga British Columbia, një votim i tillë do të ndihmonte në rikthimin e unitetit brenda deputetëve liberalë. “Kjo do të ndryshonte diskutimin, pasi do t’i lejonte njerëzit të shprehin qëndrimin e tyre pa frikë nga pasojat”, ka shpjeguar ai dje (28.10) gjatë një interviste. Edhe Yvan Baker, deputet liberal nga Ontario, gjithashtu vlerësoi se mënyra më e mirë për të unifikuar grupin do të ishte të lejohej që deputetët të votonin fshehtësisht pa u druajtur për pasojat. Baker nuk ka specifikuar megjithatë nëse ky votim do të kërkohet zyrtarisht në mbledhjen javore të grupit nesër (30.10).

Wayne Long, deputet i Saint John-Rothesay (New Brunswick)

Megjithëse afati i djeshëm kaloi tashmë, në emër të deputetëve disidentë Wayne Long ka pohuar se liberalët që firmosën letrën nuk kanë ndërmend të bllokojnë punët e Parlamentit apo të krijojnë pengesa për qeverinë. “Askush nuk dëshiron të hedhë në erë partinë. Dua të them se nuk ka qenë kurrë qëllimi ynë”, deklaroi Long, duke shtuar se ai dhe disa deputetë të tjerë po mendojnë për planet e tyre për të ardhmen. “Unë jam liberal dhe krenar për këtë, por do të vijë një moment kur do të duhet të shikoj veten në pasqyrë dhe të them: ok, çfarë po bëj këtu tani? Si mund të jem pjesë e një grupi ku nuk jam në të vërtetë dakord me atë që e drejton? Kjo është një pyetje që po ia bëj vetes dhe mendoj se shumë deputetë të tjerë mund të duhet t’ia bëjnë vetes gjatë ditëve apo javëve të ardhshme”, përfundoi ai.

Ndërkohë, qeveria Trudeau do të vihet sërish në provë sot (29.10), dita e caktuar si afati i fundit nga Blloku i Quebec për të miratuar dy projektligje që kjo parti i konsideron të rëndësishme: një rritje të përfitimeve të pensionit për të moshuarit nga 65 deri në 74 vjeç dhe një garanci për mbrojtjen e menaxhimit të furnizimit në çdo negociatë për marrëveshje tregtare ndërkombëtare.

Kreu i Bllokut, Yves-François Blanchet, pat paralajmëruar se nëse dy projektet nuk miratohen deri më 29 tetor, ai do të nisë bisedime me partitë e tjera të opozitës për të rrëzuar qeverinë liberale në minorancë. Blanchet pritet të shprehet sërish për këtë këtë çështje sot (29.10) në mëngjes në një konferencë për shtyp.

Deri më tani, Blloku ka votuar kundër dy mocioneve të mosbesimit të paraqitura nga Konservatorët gjatë sesionit të tanishëm të Parlamentit. Konservatorët janë zotuar të paraqesin mocione të tjera mosbesimi, por atyre do t’u duhet mbështetja e Bllokut dhe e Neodemokratëve për të rrëzuar qeverinë dhe për të detyruar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Kreu i Konservatorëve, Pierre Poilievre, u shpreh dje (28.10) se është i gatshëm të bashkëpunojë me këdo për të çuar vendin në zgjedhje, sepse çdo ditë që kalon me Trudeau në krye të qeverisë është e dëmshme për situatën ekonomike dhe politike në vend dhe për interesat e qytetarëve kanadezë.

© Flasshqip.ca me informacion nga CBC/Radio-Canada

Foto: Radio-Canada