Kanada

Publikohet lista e 1200 produkteve amerikane që do taksohen nga Kanadaja

  • Published in Kanada

Ushqime, veshje, mobilie, pije alkoolike: Ottawa publikoi dje (02.02) listën e detajuar të rreth 1200 produkteve amerikane të synuara nga vala e parë e tarifave kanadeze, si kundërpërgjigje ndaj tarifave prej 25% të vendosura nga Donald Trump prej nesër.

https://www.canada.ca/en/department-finance/news/2025/02/list-of-products-from-the-united-states-subject-to-25-per-cent-tariffs-effective-february-4-2025.html

Këto tarifa do të aplikohen gjithashtu nga nesër 4 shkurt, për një sërë mallrash të konsumit të përditshëm me vlerë prej 30 miliardë dollarësh. Tarifat kanadeze pasqyrojnë normën prej 25% të vlerës së importit që Shtetet e Bashkuara planifikojnë t’i imponojnë Kanadasë.

Ministria Federale e Financave synon kryesisht mallrat për të cilat konsumatorët kanadezë kanë alternativa. Shumica e tyre prodhohen tashmë në Kanada ose nga partnerë të tjerë tregtarë përveç Shteteve të Bashkuara, si Evropa dhe Koreja e Jugut.

Ministri i Financave, Dominic LeBlanc, deklaroi se produktet amerikane të përfshira në listë janë përzgjedhur gjithashtu me synimin për të mbrojtur prodhuesit kanadezë dhe zinxhirët e tyre të furnizimit.

Kanadaja planifikon të zgjerojë këtë listë me një shtesë prej 125 miliardë dollarësh për të arritur një vlerë totale prej 155 miliardë dollarësh. Ottawa do të publikojë një listë të dytë për këtë qëllim në ditët në vijim.

“Ajo do të përfshijë produkte si automjetet e pasagjerëve, kamionët dhe autobusët, produktet e çelikut dhe aluminit, disa fruta dhe perime, produktet e industrisë aeronautike, mishin e viçit dhe derrit, produktet e qumështit dhe shumë më tepër”, paralajmëron deklarata e Ministrisë së Financave.

Shpallja e luftës tregtare nga presidenti Donald Trump ka shkaktuar një reagim të fuqishëm ekonomik në Kanada. Ontario dhe Quebec njoftuan dje (02.02.) se produktet amerikane do të hiqen nga raftet e dyqaneve të tyre të pijeve alkoolike.

Nova Scotia, Manitoba dhe Newfoundland e Labrador gjithashtu kanë bërë të ditur se planifikojnë të pezullojnë furnizimin me pije alkoolike amerikane. Po ashtu, British Columbia ka vendosur të kufizojë përgjigjen e saj vetëm ndaj pijeve alkoolike që vijnë nga shtetet republikane.

Kryeministri i Manitobës, Wab Kinew, i cili është i shqetësuar për ndikimin e tarifave amerikane tek fermerët e provincës së tij, deklaroi se do të mbështesë përgjigjen federale.

Që nga fjalimi i tij për shpalljen e kundërpërgjigjes kanadeze të shtunën në mbrëmje, Justin Trudeau ka theksuar se është koha për të mbështetur blerjen e produkteve kanadeze dhe për të treguar solidaritet.

Ottawa njoftoi gjithashtu po dje (02.02.) se Kanadaja do t’i ankimojë tarifat amerikane edhe pranë Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) për të ushtruar presion ndaj administratës Trump.

Elementët kryesorë të listës:

-Produkte ushqimore: mish dhe shpendë, produkte të qumështit dhe vezë, fruta dhe perime, çaj dhe kafe, erëza, drithëra, vajra dhe yndyra, sheqer, makarona dhe ushqime të përgatitura.

-Produkte me shitje të kontrolluar: duhan, verë dhe pije alkoolike, armë zjarri.

-Modë: produkte bukurie dhe higjienike, tekstile dhe veshje.

-Ndërtim dhe mobilim: dru dhe produkte letre, artikuj shtëpiakë, pajisje elektrike dhe mobilie.

Të tjera: produkte plastike, goma, valixhe.

Këto masa kundërpërgjigjëse do të mbeten në fuqi deri sa Shtetet e Bashkuara të heqin tarifat ndaj Kanadasë, specifikon lista e qeverisë federale.

Burimi: CBC/Radio-Canada

Foto: The Canadian Press/Rob Gurdebeke