Kanada

10 Provincat e Kanadasë dhe 3 Territoret e saj

  • Published in Kanada

Nëse nuk dini shumë rreth Kanadasë ju ftojmë të njiheni së pari me përbërjen e saj. Kanadaja është e ndarë në 13 rajone, teknikisht në 10 provinca dhe 3 territore. Secila provincë ka veçoritë e veta demografike dhe gjeografike. Sa i përket emërtimeve të tyre, ato edhe mund t’i përshtatim me gjuhën tonë si për shembull Kolumbia Britanike, dhe jo Britania Kolumbike siç e shkruajnë disa. Por në fakt, do të ishte më mirë sikur emrat e vendeve të mos ndryshonin, megjithë dëshirën e mirë për t’i sjellë sa më afër gjuhës së nënës emërtimet e tyre.

E për të vazhduar me shëtitjen tonë nëpër Kanada, do t’i listonim 10 provincat e Kanadasë me rradhë sipas rendit alfabetik: Alberta, British Columbia, Manitoba, New Brunswick, Newfoundland dhe Labrador, Nova Scotia, Ontario, Prince Edward Island, Quebec, dhe Saskatchewan. Ndërsa 3 territoret kanadeze janë: Northwest Territories, Nunavut, dhe Yukon.

Nga ndryshojnë provincat me territoret?

Në thelb, provincat janë rajone të cilat e marrin autoritetin prej Kushtetutës kanadeze, e cila u jep në njëfarë mënyre pushtet ekskluziv qeverive provinciale, ndërkohë që qeveria federale e Kanadasë ka pjesën tjetër të pushtetit që mbetet.

Provincave u duhet të marrin disa vendime sa i përket përgjegjësive dhe qeverisjes së tyre. Nga ana tjetër, territoret e Kanadasë kanë përgjegjësi dhe kompetenca të deleguara tek to direkt nga qeveria federale.

10 Provincat e Kanadasë

Alberta

Është një nga provincat perëndimore të Kanadasë dhe një nga 4 provincat më të populluara, me rreth 4,068,000 banorë. Kryeqyteti i Alberta-s është Edmonton. Alberta dallohet për ekonomi të fortë, e udhëhequr nga nafta, gazi natyror, pylltaria dhe turizmi. Ajo ka male të lartë dhe fusha të gjera, duke na kujtuar disa vargje të Naimit.

British Columbia ose Kolumbia Britanike

Është provinca që ndodhet më në perëndim të Kanadasë dhe është më e shtrirë sesa Alberta në termat e popullsisë, me rreth 4.8 milion banorë. Ndodhet në bregun perëndimor të Amerikës së Veriut, midis maleve Rocky dhe Oqeanit Paqësor. Kryeqendra është Victoria, metropoli i klasifikuar në vend të 15-të në Kanada për nga popullimi. Ekonomia e saj varet kryesisht nga burime të tilla si minierat. Vitet e fundit, provinca është mbizotëruar nga industria e shërbimit dhe ndërtimit. Kolumbia Britanike ka një klimë të butë dhe me shi, po aq sa edhe klimë subarktike.

Manitoba

Manitoba është një prej 5 provincave më të populluara të Kanadasë, me rreth 1.3 milion banorë. Kryeqyteti i saj është Winnipeg. Pjesa më e madhe e Manitoba-s është me klimë subarktike, ndonëse në pjesën jugore të provincës është ngrohtë dhe me lagështi. Ekonomia në Manitoba bazohet në burimet natyrore, pylltari dhe agrikulturë si dhe gjithashtu në turizëm. E dini se në Manitoba fliten mbi 200 gjuhë të ndryshme?

New Brunswick

New Brunswick është një nga provincat lindore të Kanadasë, vendosur në bregun Atlantik të Amerikës së Veriut, me qendrën e tij Fredericton. Afërsia me qytetet e mëdha në SHBA do të thotë se provinca është një qendër e madhe turizmi, faktorë që peshojnë në ekonominë e saj së bashku me pyjet, peshkimin dhe bujqësinë. Pjesa më e madhe e zonave në New Brunswick, kanë një klimë të butë kontinentale, ndërsa rajonet veriore kanë klimë subarktike. Kostoja e jetesës në New Brunswick është mjaft e ulët dhe rreth 752,000 banorët e provincës kanë një standard mjaft të lartë jetese.

Newfoundland and Labrador

Newfoundland and Labrador është provinca më në lindje të Kanadasë me një popullsi prej 528,000 banorësh. Pjesa më e madhe e tyre jetojnë në ishullin e Newfoundland dhe një pjesë e vogël në Labrador. Kjo sepse Newfoundland ka klimë kontinentale, në kontrast me klimën e ashpër subarktike të Labradorit.  Kryeqytet ështe St.John. Kjo provincë dallohet për kriminalitetin e ulët dhe atmosferën miqësore. Fatkeqësisht, kohët e fundit ka kaluar një depresion ekonomik, për shkak të kolapsit në peshkim.

Nova Scotia

E pozicionuar në brigjet e Atlantikut, është e dyta për nga provincat e vogla të Kanadasë, sa i përket sipërfaqes tokësore, me një popullsi prej 925,000 banorësh që jetojnë në vetëm 55,200 kilometër katrorë. Kryeqendra është Halifax. Mbizotëron klimë e ngrohtë gjatë verës me temperatura të moderuara nga oqeani. Ekonomia e Nova Scotia ka mbetur tradicionalisht pas pjesës tjetër të Kanadasë. Ajo është bazuar kryesisht tek mbrojtja dhe hapësira ajrore përveç bujqësisë dhe peshkimit.

Ontario

Ontario është provinca që mban 40% të popullsisë së gjithë Kanadasë. Në Ontario banojnë rreth 13.5 milion banorë dhe kryeqyteti është Toronto. Ekonomia është e fortë, bazuar në fushat e industrisë, edukimit, arteve, shkencës dhe turizmit. Gjysma e poshtme e Ontario-s është e ngrohtë me klimë kontinentale, ndërsa pjesa veriore e ftohtë, me rajone subarktike që përjetojnë ajrin e akullt verior.

Prince Edward Island

Princ Edward Island është i populluar prej 144,000 banorësh. Kryeqyteti i tij është Charlottetown. Kjo provincë është shtëpia e industrisë së bioshkencës dhe hapësirës ajrore. Kriminaliteti këtu është i ulët, e po ashtu edhe kostoja e jetesës. Klima është e butë gjatë gjithë vitit. 

Quebec

Është provinca lindore më e madhe e Kanadasë me një popullsi prej 8,165,000 banorësh, me kryeqytet Quebec City, por që shumica njeh si kryeqendër Montrealin. Kufizohet në veri nga Hudson Bay dhe Newfoundland/Labrador. Klima në Quebec është kontinentale në një të tretën e poshtme të provincës, në 1/3 e mesit është subarktike dhe në të sipërmen është tundër. Ekonomia në Quebec bazohet kryesisht në kërkime dhe zhvillime (R&D) hapësira ajrore, IT, dhe multimedia. Provinca ka mbi një milion liqene dhe lumenj që rrjedhin përmes saj.

Saskatchewan

Gjendet në mes të Kanadasë me rreth 1,090,000 banorë. Kryeqyteti është Regina, dhe provinca dallohet për varietete klimash. Pjesa veriore ka klimë subarktike, pjesa e poshtme ka klimë kontinentale, edhe  gjysëm të thatë të ftohtë edhe gjysëm të lagësht të ngrohtë. Ekonomia është diverse, e bazuar në pylltari, agrikulturë, peshkim, gjueti. Gjithashtu minierat e potasit dhe uraniumit janë burim i rëndësishëm për ekonominë e provincës.

Territoret kanadeze

Territoret veriperëndimore / Northwest Territories

Në këto territore banojnë pak a shumë 40,000 banorë. Kryeqyteti quhet Yellowknife. Këtu ka hapësira të mëdha, ku dallohen malet dhe pyjet. Pjesa jugore është pothuaj tërësisht subarktike me copëza tundrash në pjesën veriore. Këtu gjenden produkte si gazi natyror, nafta, ari dhe diamantet.

Nunavut

Është territori më i ri në Kanada, me kryeqytet Iqaluit. Ky territor u nda në 1999 prej Territoreve Veriperëndimore. Popullsia arrin në shifrën e 35,944 banorëve. Rajoni është pothuajse tundër, me pjesë subarktike në jug dhe copëza akujsh polarë në veri. Ekonomia këtu mbahet përmes minierave, peshkimit, gjuetisë dhe turizmit.

Yukon

Ndodhet në kufi me Alaskën dhe është territori më i vogël i Kanadasë me një popullsi prej 34,200 banorësh. Shumica e tyre jetojnë në qendrën e rajonit që quhet Whitehorse. Klima në Yukon është subarktike dhe territori është plot me male, lumenj dhe pyje. Territori i Yukonit në të kaluarën është mbajtur përmes minierave, por sot industria e veshjeve, hidro-elektriciteti, peshkimi dhe sektorët shtetërorë janë udhëheqësit kryesorë të ekonomisë së Yukon-it.

Referenca: sciencetrends.com

©FlasShqip.ca