Kanada

Edi Rama vjen në Toronto - Nga Taulant Dedja

  • Published in Kanada
Nga: Taulant Dedja

 Taulant Dedja - Toronto

Nën patronazhin e International Economic Forum of the Americas (IEFA), nga data 4-6 shtator 2019, Toronto Global Forum, një organizatë jofitimprurëse, e cila kujdeset të mbajë në ritmin e duhur dialogun mbi çështje ekonomike kombëtare e globale, ka ftuar të mbajë një fjalë në edicionin e 13-të “Leading the new economy” edhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Pritet që Rama të flasë në datën 5 shtator në orën 14.30 mbi çështje të energjisë, infrastrukturës e zhvillimit të qëndrueshëm, nën perspektivën e modelit ballkanas.

Nuk e dimë nëse kryeministri, i frymëzuar nga vendi klasik i krijuar prej emigrantëve do të përmendë në ndonjë moment arsyet e largimit masiv të shqiptarëve nga atdheu. Megjithatë, të interesuarit për të dëgjuar idetë e kryeministrit nga Tirana, të ulur në sallën Ballroom të hotel Fairmont Royal York, do ta zbulojnë këtë menjëherë pas pushimit të kafesë.

Kjo është një mundësi e artë për Ramën, kryeministrin me famë të PPP-ve që t’u mbushë mendjen bizneseve dhe kompanive ndërkombëtare se Shqipëria është një burim i paeksploruar veçanërisht nga firmat përtej oqeaneve. Por të parin që ka detyrë Rama ta tërheqë drejt Shqipërisë është njeriu që do të jetë krah tij në panel, Kerry Adler, President dhe drejtor ekzekutiv i SkyPower Global Group, një kompani gjigante që operon në fushën e energjisë diellore.

Deri në datën 5 shtator, Edi Rama ka kohë të përgatitë fjalimin e tij mbresëlënës me nota humori të thellë dhe madje të zgjedhë dhe poturret më atraktive të garderobës së tij, si një mjet për t’u mbetur në mend gjithë përfaqësuesve me pará. Zyra e tij e komunikimit e di mirë se imazhi shet, dhe Rama këtë lloj tregëtie e ka përzemër.

E më tej, të nesërmen në mbrëmje, më datë 6 shtator ora 18:00, Edi Rama pritet të darkojë në Toronto me anëtarë të diasporës shqiptaro-kanadeze, të ftuar prej ambasadorit të Shqipërisë në Kanada.

Kjo është vizita e parë e Edi Ramës në Kanada e cila qëlloi të mos jetë me ftesë të shtetit kanadez, por me ftesën e një organizate jofitimprurëse.

Fakti që prej vitesh shteti kanadez nuk fton asnjë zyrtar të lartë nga Shqipëria është domethënës. Dhe meqë jemi në pritje të forumit ekonomik, theksojmë se Kanadaja nuk ka firmosur marrëveshjen me qeverinë shqiptare për mbrojtjen e investimeve dypalëshe, ndryshe nga çka vepruar me Kosovën, gjë që çon drejt dyshimit të arsyeshëm se qeveria kanadeze nuk ka besim tek qeveria shqiptare.

Gjithsesi nuk do habitemi edhe nëse na serviret ndonjë foto takimi kortezie me ndonjë figurë të politikës kanadeze. Kanadaja është në fushatë elektorale dhe politikanët për të marrë vota nga komunitetet nuk e kanë problem të shtrëngojnë duart edhe me autokratët apo drejtues shtetesh në top listën e korrupsionit.

© FlasShqip.ca