Kanada

Vizat dhe bashkimi familjar në Kanada, avokati Gjergji Hasa shpjegon procedurën si përfitohen

  • Published in Emigracion

Intervistoi Adi Shkëmbi

Kanadaja ka një procedurë fikse për personat që aplikojnë për një vizë turistike, supervizë apo bashkim familjar. Avokati shqiptar nga Montreali, Gjergji Hasa, tregon në intervistën e rradhës për “Flasshqip.ca” se çfarë hapash duhet të ndjekin qytetarët shqiptarë që duan të vizitojnë të afërmit e tyre në Kanada, si dhe ata që duan të bashkohen përgjithmonë me pjesën tjetër të familjes. Kanadaja ofron edhe supervizat, me të cilat prindërit ose gjyshërit mund të qëndrojë deri në 2 vjet pa dalë nga Kanadaja. 

A janë aplikimet për vizë turistike një mundësi për të ardhur në Kanada? Çfarë kriteresh duhet të plotësojë një qytetar shqiptar për të përfituar një vizë turistike?

Aplikimet për vizë turistike mund të bëhen për të ardhur si turist dhe nuk ndihmojnë për t’u stabilizuar në Kanada me dokumenta të përhershme. E vetmja gjë që mund të ndihmojë një vizë turistike është fakti që gjatë qëndrimit në Kanada, të krijosh kontakte me një punëdhënës i cili më pas të ndërmarrë procedurat për lejen e punësimit. Ndryshe nga provincat e tjera, në Kebek autoritetet e emigracionit japin disa pikë shtesë nëse aplikanti ka qëndruar 2 javë deri në tre muaj në provincën e Kebekut.

Ideja kryesore për kriteret është që aplikanti të jetë i besueshëm, çka do të thotë se ai duhet të japë prova se do të kthehet në vendin e lindjes përpara se t’i mbarojë viza, pra një periudhë jo më e gjatë se 6 muaj për vizat normale dhe 2 vjet për supervizat. Sa më shumë stabilitet të ketë personi nga Shqipëria, të ketë familje, pronë, biznes dhe llogari bankare, aq më i besueshëm do të jetë si si aplikues dhe ka shanse të mëdha që aplikimi i tij të aprovohet.

Gjithashtu, një dokument që luan një rol të veçantë është edhe ftesa e një personi nga Kanadaja që është shtetas kanadez ose rezident i përhershëm. Ftesa në këtë rast nuk është garanci, por thjesht një ftesë. Garantuesi nuk ka ndonjë detyrim ligjor kur lëshon një ftesë. Ftesa duhet të përfshijë lidhjen e garantuesit me aplikantin, arsyen e ftesës, tregon rezidencën ose pasaportën, stabilizimin e tij në Kanada (pra marrëdhënien e punës dhe të ardhurat), si dhe vendin ku banon, etj. Në ambientin e banimit, ftuesi duhet të specifikojë edhe ambientin ku do të qëndrojë i ftuari. Në ftesë, preferohet që ftuesi të premtojë që shpenzimet që i ftuari do të ketë në Kanada do të mbulohen nga ftuesi sidomos kur aplikanti nuk është në gjendje financiare të shëndoshë. Nëse viza aprovohet apo nuk aprovohet nuk ka asnjë lloj ndikimi te ftuesi. Në qoftë se i ftuari vjen dhe kërkon azil, mbase ky është një rekord i keq për ftuesin nëse më pas do të ftojë dikë tjetër për të vizituar Kanadanë.

Garancia bankare, një i afërm resident apo me pasaportë kanadeze, janë kushte që viza turistike të mos refuzohet?

Ftuesi, por as avokati, nuk mund të japë asnjë garanci që një vizë turisitike do të lëshohet. Më shumë se sa të ardhurat, i rëndësishëm është stabiliteti që ftuesi ka në Kanada. Dikush që është i pasur dhe ka ardhur në Kanada por nuk është stabël me punë apo integruar në shoqërinë kanadeze, është nje ftues më pak i vlefshëm sesa një ftues që ka një punë stabël, megjithëse të ardhurat i ka të ulëta apo mesatare dhe është integruar.

Një tjetër program për t’i ftuar të afërmit në Kanada si turistë është edhe superviza. Çfarë kriteresh aplikohen për këtë lloj vize?

Ky aplikim është strikt për prindërit dhe gjyshërit, dhe jo kategori aplikantësh të tjerë. Pra nuk aplikohet në asnjë rast tjetër.

Përfitimi i parë i një supervize nga një vizë turistike e thjeshtë është fakti që me një supervizë mund të qëndrosh në Kanada deri në 2 vjet pa qenë nevoja të dalësh nga Kanadaja. Aplikanti duhet të ketë një siguracion shëndetësor për të paktën një vit dhe për një mbulesë minimale të shëndetit që arrin deri në 100 mijë dollarë dhe provë që ky siguracion është paguar. Zakonisht një siguracion i tillë kushton rreth 1,300$ në vit për një prind që nuk ka probleme shëndetësore. Duhet gjithashtu një letër nga fëmija ose nipi i cili fton në Kanada prindërit ose gjyshërit dhe premton që do ti mbështesë financiarisht gjatë gjithë vizitës që do të bëjnë në Kanada, shpjegon sa persona janë në shtëpinë e ftuesit si dhe një kopje e nënshtetësisë ose rezidencës Kanadeze. Te pjesa e premtimit gjithashtu autoritetet shohin të ardhurat e personit, sa persona janë në familje dhe sa të ardhura kanë. Nëse janë 2 persona në familje duhet të kenë të ardhura mbi 31.061 mijë dollarë, nëse janë 3 e më shumë pjestarë, shuma shtohet me përafërsisht 7 mijë dollarë të ardhura për çdo pjestar. Përpara se të vijë në Kanada, aplikanti duhet të kalojë edhe një test mjekësor. Por edhe nëse janë përmbushur këto kushte, nuk është garanci që superviza do të miratohet. Do të shihet siç e thamë edhe më lart edhe besueshmëria e aplikantit në qoftë se do të largohet nga Kanadaja para se ti mbarojë afati.

Bashkimi familjar është gjithashtu një alternativë për të tërhequr pjesën tjetër të familjes. Cilët janë ata anëtarë që mund të tërheqë një shtetas kanadez ose rezident i përhershëm?

Prindërit, gjyshërit, fëmijët dhe bashkëshortët. Te fëmijët dhe bashkëshortja ka disa nënkategori. Te fëmijët duhet që ata të mos e kenë kaluar moshën 22 vjeç. Nëse janë mbi këtë moshë duhet të jenë fizikisht ose mentalisht handikapatë dhe të varur nga prindërit. Sa i përket bashkëjetuesve, për ligjin Kanadez nuk është nevoja që të gjithë të jenë të martuar për të kryer një bashkim familjar, por mund të bashkëjetosh për 12 muaj dhe mund të përfitosh bashkimin familjar. Pra për ligjet e Kanadasë, një çift i martuar dhe një çift që ka bashkjetuar për të paktën 12 muaj kanë të njëjtat të drejta.

Një përjashtim për të bërë bashkim familjar me një pjesëtar të largët të familjes është në qoftë se shtetasi kanadez ose rezidenti i përhershëm në Kanada ndodhet i vetëm në Kanada dhe nuk ka asnjë pjesëtar familjeje. Ky aplikim është pak kompleks dhe në qoftë se dikush ndodhet vetëm në Kanada dhe dëshiron të bëjë bashkim familjar me një pjesëtar të familjes që nuk është prind, gjysh, fëmijë apo bashkëshort, i sugjeroj të kontaktojë një avokat.

Po në këtë rast çfarë kriteresh ndiqen?

Kushtet janë disi të thjeshta: personi që tërheq familjen duhet të jetë mbi 18 vjeç, të jetojë në Kanada, të jetë shtetas ose rezident i përhershëm dhe të ketë mjaftueshëm të ardhura për të sponsorizuar prindërit ose gjyshërit. Nuk është nevoja të kesh të ardhura për të sponsorizuar bashkëshortin ose bashkëshorten. Sa i përket anës procedurale për një sponsorizim të prindërve dhe bashkëshortëve ka ndryshime. Sponsorizimi i bashkëshortit mund të dërgohet në çdo kohë, ndërsa sponsorizimi i prindërve hapet online në një moment të caktuar gjatë vitit. Aty dërgohet një kërkesë për të sponsorizuar prindërit dhe më pas kontaktohesh nga emigracioni, nëse je përzgjedhur, për të futur aplikimin. Në Kebek procedurat për të ardhurat financiare janë pak mëndryshe nga pjesa tjetër e Kanadasë.

Një arsye pse një aplikim sponsorizimi mund të refuzohet është në qoftë se aplikuesi ka pasur probleme me drejtësinë, ose ka falimentuar, ose ka borxhe në shtet apo kundrejt fëmijëve minorenë në qoftë se prindërit janë të divorcuar. Në raste të tilla i sugjeroj këtyre personave të lidhen patjetër me një avokat. Sa i përket anës financiare në të gjithë Kanadanë, përveç Kebekut, garantuesi duhet që në tre vitet e fundit të ketë pasur një shumë të caktuar të ardhurash e cila fillon nga 40 mijë dollarë për 2 persona dhe arrin deri në 85 mijë dollarë per shtatë persona. Ndërsa në Kebek vetëm viti i fundit i të ardhurave analizohet.

Prindërit në moshë madhore, a kanë ndonjë benefit nga shteti, apo të gjitha kostot e tyre i mbulon fëmija që ka bërë bashkimin familjar?

Në momentin kur prindërve i jepet rezidenca ata i kanë të gjitha detyrimet dhe të drejtat për të përfituar nga shteti si shtetasit e tjerë. I vetmi përjashtim këtu është në qoftë se prindi kërkon ndihmë sociale financiare nga shteti. Në këtë rast shteti ia jep ndihmën financiare, por në të njëtën kohë i kërkon të paguajë ose nis një procedurë gjyqësore ndaj garantuesin, të cilit i kërkon që këtë ndihmë sociale ta paguajë pikërisht ai dhe jo shteti.

Një pyetje e fundit që nuk ka lidhje me emigracionin, por ka shumë interes. Çfarë pensioni mund të përfitojë një i moshuar shqiptar në Kanada?

Pensioni në Kanada jepet në bazë të viteve të qëndrimit ne Kanada dhe në bazë të viteve të punës në Kanada. Një shtetas shqiptar sikur të mos ketë punuar asnjë ditë në Kanada, mund të përfitojë nga pensioni kanadez në bazë të qëndrimit në Kanada i cili me sa di unë është minimalisht 10 vjet.

Ju faleminderit!

©Flasshqip.ca