Kanada

Kanadaja dhe zgjedhjet si detyrim qytetar - Nga Dr. Tritan Kalo

  • Published in Kanada

Zgjedhjet federale në Kanada do të zhvillohen më 21 Tetor 2019, e hënë, ditë pune. Në atë ditë, punëdhënësit janë të detyruar t’u japin tre orë të paguara punonjësve të tyre për të votuar. Për mundësi votimi më të hershëm ofrohen edhe datat 11, 12, 13 dhe 14 Tetor.

Ne jemi të pestë votues, gruaja, unë dhe të tre vajzat. Në listat e votimit me numrin përkatës si zgjedhës figurojnë vetëm ata persona mbi 18 vjeç me nënshtetësi kanadeze, që kur bëjnë regjistrimin vjetor të taksave shprehen pro listimit të emrit të tyre për votime nga “Elections Canada”.

Paraprakisht nga “Elections Canada” gjithkush mer një fletë njoftimi për vendin e votimit, datat dhe orët kur votohet. Personat e tjerë, nëse duan të votojnë në këto ditë dhe paraprakisht nuk kanë shprehur aprovim për listimin e emrit të tyre e kanë për detyrim: 1- të provojnë se jetojnë afër asaj qëndre votimi ose që në listë figurojnë edhe anëtarë të tjerë të familjes; 2- të dëgjojnë udhëzimet e të betohen se ata/ato nuk kanë votuar edhe në një qendër tjetër votimi. Në rastin që provohet, e kundërta, ligji e parashikon dënimin e tyre me gjobë deri në 10,000 dollarë ose me tre muaj burg. Vetëm pas këtyre proçedurave atyre personave u jepet fleta e votimit.

Nuk ka lojra me shifra votuesish si tek ne, kur në një popullsi aktuale që rrezik nuk e kalon shifrën 2.5 milion, thuhet se kemi 4.15 milion zgjedhës, sepse edhe fëmijët e ime shoqe të cilët kanë mbi 22 vite në Kanada, e që nuk paguajnë asnjë kontribut financiar për Shqipërinë përmes taksave (sikundër unë bëj rregullisht), si në Shqipëri po ashtu edhe në Kanada, ato ende figurojnë në listat tona të zgjedhësve.

Nënshtetësia shqiptare dhe numri i votuesve të moshës mbi 18 vjeç nuk është aspak e njëjta gjë, sidomos kur këta votues potencialë nuk japin asnjë kontribut direkt moral e financiar për atë vend dhe që fizikisht e kanë të pamundur të marin pjesë në proçesin e votimit, si dhe mbi të gjitha kur ky proçes nuk ashtë aspak i detyrueshëm.

Në fletën e votimit kësaj here figuronin emrat me gërma kapitale të 10 kandidatëve dhe poshtë tyre subjektet pët të cilat garojnë me gërma dore sa 1/3 e madhësisë së emrit të individit. 4 nga 10 kandidatët ishin të pavarur dhe 6 të tjerët u përkisnin 6 partive garuese të shtrira nga ekstremi i djathtë në ekstremin e majtë, Partia e Popullit, Partia Konservatore, Partia Liberale, Partia e Gjelbër, Partia Demokratike e Re dhe Partia Komuniste. Pra e theksoj që 4 individë ose 40% e 10 kandidatëve në fletën e votimit nuk i përkasin asnjë partie. Votat e këtyre individëve numëruesit tanë militantë në Shqipëri me siguri do t’ia delegonin partisë së tyre…..

Në Kanada, në menaxhimin e procesit të votimit nuk ka asnjë militant, por thjesht persona të përzgjedhur nga shoqëria civile, persona të trajnuar dhe punësuar vetëm për këtë proces zgjedhor, krahas punës së tyre të përditëshme jo në funksione publike të natyrës dhe vartësisë partiake dhe së fundmi, numërimi i votave bëhet në çdo qendër votimi, pra pa KZAZ-ra dhe numërues militantë që cfiliten për të kënaqur orekset e drejtuesve politikë, të cilët i kanë caktuar aty….

Në Kanada procesi i numërimit zhvillohet pa asnjë vëzhgues partiak të pranishëm në mjediset ku votohet te cilat janë mjedise publike komunitare ku ndalohet fotografimi. Pas mbylljes së zgjedhjeve në orën 19:00 të datës 21 Tetor shpallet rezultati i tyre vetëm dy orë më pas.

Një vend me 37.5 milionë banorë dhe i dyti në Botë për nga sipërfaqja pas Rusisë, ku gjithshka në mënyrë perfekte mbyllet po atë ditë. Pra nëse vërtet duam të realizojmë Zgjedhje të Drejta dhe të Ndershme, modele të gatëshme si ky në Kanada ekzistojnë edhe për ne në Shqipëri, krahas modelit më të afërt në Kosovë, i cili rezultoi i suksesshëm më 6 Tetor. Nëse duam?

Quo vadis Shqipëria ime!