Kanada

Diaspora vetëm votë me korrespondencë - Në Kanada nuk lejohet krijimi i zonave zgjedhore nga shtete të tjera, as funksionimi i partive politike të huaja apo fushatat e tyre elektorale

  • Published in Kanada
Nga: Taulant Dedja

Rregullat kanadeze për votimet dhe zonat zgjedhore të shteteve të tjera

Kohët e fundit, tema e pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhjet shqiptare po lakohet gjithnjë e më tepër. Eshtë me interes që shtetasit kanadezë me origjinë shqiptare apo rezidentët e përhershëm nga Shqipëria me banim në Kanada të njihen më rregullat përkatëse që aplikon shteti kanadez për rastin konkret.

Qeveria e Kanadasë ofron informacionin të posaçëm lidhur me rregullat në raport me votimet dhe zonat elektorale të shteteve të tjera, shtetasit e të cilëve marrin pjesë në distancë në votimet e organizuara në vendin e origjinës.

Në Website të Global Affairs Canada (dikasteri që mbulon politikën e jashtme dhe shërbimin diplomatik) për ta bërë sa më të kuptueshëm për të interesuarit, informacioni gjendet i ndërtuar në formën e një liste pyetjesh të shoqëruara me përgjigjen përkatëse.

Më poshtë disa nga pyetjet dhe përgjigjet më të rëndësishme, sipas të cilave, në rast përfshirje të diasporës në votime, Shqipëria nuk mund ta konsiderojë territorin kanadez si një zonë ekstraterritoriale zgjedhore e për rrjedhojë nuk mund të ketë deputetë që përfaqësojnë direkt diasporën e Kanadasë në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë.

Kësisoj do të votohet me korrespondencë për kandidatë të emëruar si të tillë nga partitë politike që veprojnë në Shqipëri ose pranë ambasadës shqiptare ose me postë apo votim elektronik. Alternativën e dërgimit të votës përmes postës apo votimin elektronik mbetet ta rregullojë legjislacioni shqiptar që do të miratohet në muajt e ardhshëm në Tiranë.

Çfarë është një zonë elektorale e huaj?

Është, një distrikt, një territor zgjedhor i përcaktuar nga një shtet tjetër dhe që përfshin një pjesë të territorit kanadez. Në Kanada përdoret gjithashtu formulimi “zonë zgjedhore ekstraterritoriale”. Kjo i mundëson një kandidati të zgjedhur të përfaqësojë në një asamble legjislative të një shteti tjetër, persona që janë shtetas ose rezidentë në Kanada. Teorikisht ky person është deputet i cili ushtron funksionet në parlamentin e një vendi tjetër, zgjedhësit e të cilit jetojnë në Kanada.

A e lejon Kanadaja votimin në zona të tilla zgjedhore?

JO! Qeveria kanadeze i refuzon kërkesat që vijnë nga shtete të tjera të cilat dëshërojnë ta përfshijnë Kanadanë në zonat e tyre zgjedhore ekstraterritoriale. Kjo politikë specifike është miratuar në vitin 2008. Prej këtij viti, qeveria i ka refuzuar të gjitha kërkesat që kanë dashur ta përfshijnë Kanadanë si zonë zgjedhore ekstraterritoriale.

Cili është reagimi i Kanadasë në rast se një vend tjetër vendos ta bëjë një gjë të tillë, pra ta llogarisë Kanadanë si zonë zgjedhore megjithë kundërshtimin e qeverisë në Ottawa?

Në një rast të ngjashëm, qeveria shpreh zyrtarisht kundërshtimin e saj ndaj organizimit të një procesi të tillë votimi dhe beson që cilado qeveri qoftë, ajo është e detyruar të respektojë ligjet dhe politikat qeveritare kanadeze që kuadrojnë aktivitetin e tyre në teritorin e Kanadasë, sikurse Kanadaja respekton reciprokisht rregullat e shteteve te tjera në territoret e tyre. Në rastin konkret Kanadaja ka adoptuar një politikë që bazohet në parime kanadeze dhe në asnjë rast qeveria nuk komenton masat apo rregullat e shteteve të tjera lidhur me zonat zgjedhore ekstraterritoriale.

Ku ndryshon votimi në një zonë zgjedhore ekstraterritoriale nga vota me korrespondencë ?

Ky lloj votimi, pra votimi me korrespondencë, është i mundur në rastin kur ligji zgjedhor i një shteti i autorizon qytetarët që janë rezidentë të përhershëm apo të përkohshëm në një shtet tjetër dhe e drejta e votës ushtrohet rëndom pranë ambasadave apo konsullatave, të cilat funksionojnë si qendra votimi në ditën e zgjedhjeve. Kanadaja e lejon votën me korrespondencë dhe e ka dhënë deri më sot autorizimin për shumë shtete.

Si realizohet votimi me korrespondencë?

Ministria e Punëve të Jashtme shqyrton kërkesat zyrtare të shteteve të tjera që dëshërojnë të krijojnë qendra votimi pranë misioneve të tyre diplomatike apo konsullore të njohura zyrtarisht nga qeveria, për të mundesuar pjesëmarrjen në zgjedhje. Kërkesa zyrtare që duhet të përmbajë informacionin e saktë për vendndodhjen e çdo qendre votimi duhet dërguar shumë kohë përpara organizimit të zgjedhjeve dhe duhet ti adresohet Zyrë së Protokollit të MPJ.

Kandidatët që marrin pjesë në zgjedhjet e një shteti tjetër nuk mund të bëjnë fushatë zgjedhore në territorin kanadez. Asnjë vendi nuk i lejohet gjithashtu të krijojë degë partish apo lëvizjesh politikë në Kanada.

Burimi: Global Affairs Canada

©Flasshqip.ca