Kanada

A mund të emigrojnë në Kanada persona me precedentë penalë? - Përgjigjet avokat Gjergji Hasa

  • Published in Kanada

Personat me precedentë penalë të cilët kërkojnë të emigrojnë në Kanada e kanë shumë të vështirë të presin një përgjigje pozitive nga autoritetet e emigracionit për shkak të të kaluarës së tyre. E megjithatë, legjislacioni kanadez parashikon hapësira për këta persona për të mos u djegur “përjetësisht” dhe ndarë përgjithmonë nga familjet e tyre në Kanada. Avokati shqiptar në Montreal, Gjergji Hasa, shpjegon në një intervistë për “Flasshqip.ca” me gazetarin Adi Shkëmbi, se si mund të përfitojnë qytetarët shqiptarë përmes një aplikim-rehabilitimi, në mënyrë që agjentët kanadezë të emigracionit të binden, se ata mund të punojnë e jetojnë në Kanada pavarësisht të shkuarës së tyre. Ai flet gjithashtu se çfarë ndodh me ata që kanë një dënim fajësie, si dhe për qytetarët që kanë rezidencën e përhershme, por ndaj tyre ka një akuzë për ndjekje penale.

Çfarë baze ligjore ka Kanadaja lidhur me emigrantët të cilët kanë aplikuar për të ardhur ose kanë ardhur, por kanë një të shkuar jo të pastër, pra kanë pasur dënime të ndryshme penale?

Gjergji Hasa: Kanadaja vlerësimin e dosjeve të personave me precedentë penale e bën duke u bazuar në nenin 36 të “Immigration Refugee Protection Act” (IRPA). Ky legjislacion i ndan veprat penale në dy kategori, neni 36 (1), krime të rënda të cilat në Kodin penal të Kanadasë janë krime që dënohen maksimalisht me 10 vjet burg ose krime për të cilat personi është dënuar me 6 muaj e më shumë burg. Gërma A e këtij neni flet për krimet e rënda që janë kyer brenda Kanadasë dhe kanë një vendim të formës së prerë. Ndërsa gërma B flet për krimet e rënda që janë bërë jashtë Kanadasë por po të ishin në Kanada do të ishin dënuar me 10 vite burg ose me 6 muaj e më shumë burg. Sipas gërmës B, Kanadaja i vlerëson krimet që janë bërë jashtë Kanadasë duke u bazuar në ligjet e saj. Përshembull, në qoftë se një person është dënuar për armëmbajtje pa leje në një vend si Amerika ku dënimet nuk janë shumë të rënda për këtë krim, Kanadaja e vlerëson dënimin sipas ligjeve të saj dhe do e konsideronte si një krim të rëndë. E kundërta është në rastin kur një individ dënohet në vendin e tij për posedim marihuane, ndërsa në Kanada kjo nuk është e dënueshme pasi Kanadaja e ka legalizuar posedimin e marihuanës. Në nenin 36 IRPA bëhet fjalë vetëm për krimet individuale në bazë të Kodit penal të Kanadasë. Këtu nuk futet krimi i organizuar, i cili përfshihet në nenin 37 IRPA, apo krimet kundër njerëzimit, nenin 35 IRPA. Si rezultat i kërkimeve të mia, këto krimet e fundit nuk kanë procedure rehabilitimi që një person mund të ndjekë pasi është kategorizuar aty. Pra personi konsiderohet i papranueshëm në Kanada përjetësisht.

A ka lidhje dënimi me statusin që ka personi në Kanada, pra trajtohet njësoj një qytetar që është me leje të përkohshme me një qytetar që ka rezidencën e përhershme dhe një tjetër që ka fituar tashmë shtetësinë?

Gjergji Hasa: Procedurat e përndjekjes nga autoritetet e emigracionit kanadez kundër personit janë të ndryshme në varësi të statusit që ka personi. Në qoftë se një person ka një status të përkohshëm në Kanada (leje pune, leje studimi ose vizë turistike) dhe ka një dosje penale në vendin e tij, ai është i papranueshëm në Kanada. Një vizë turistike, studimore ose leje pune do të refuzohej në qoftë se emigracioni e ka në dorë një informacion të tillë. Gjithashtu edhe në qoftë se aplikon për Rezidencë të Përhershme, sërish aplikimi do të gjendet i papranueshëm. Kur aplikimi të analizohet, fatkeqësisht ai do deklarohet i papranueshëm në Kanada. Për të dalë nga ky “status” si i papranueshëm personi duhet të plotësojë një aplikim për rehabilitim në qoftë se kanë kaluar 5 vite nga kryerja e dënimit. Në qoftë se një person me status të përkohshëm ndodhet në Kanada dhe ka probleme me ligjin qoftë edhe për një krim jo të rëndë, ky person do të gjendet i papranueshëm në Kanada, do t’i anullohet leja e përkohshme që ka dhe do t’i kërkohet të dalë nga Kanadaja.

Çfarë ndodh me ata që kanë rezidencën e përhershme?

Gjergji Hasa: Ligji aplikohet ndryshe në qoftë se një person ka statusin e përhershëm në Kanada. Në qoftë se kryen një krim jo të rëndë që parashikohet në nenin 36 (2) IRPA nuk do t’i hiqet rezidenca. Por në qoftë se kryen një krim të rëndë që parashikohet në nenin 36 (1) IRPA, heqja e rezidencës për një vepër të parë kriminale është në dorën e agjentit të emigracionit i cili do të analizojë dosjen dhe do të marrë shumë kritere në konsideratë për të vendosur në qoftë se do i fillojë procedurat për ta deklaruar personin si të papranueshëm në Kanada. Në qoftë se dikush arrin të marrë nënshtetësinë, asnjë nga këto që përmendëm më sipër nuk aplikohet më dhe nuk është më çështje e emigracionit por vetëm e sistemit të drejtësisë kanadeze.

A i kërkohet dëshmi penaliteti çdo aplikuesi para se të hyjë në Kanada? A ka një klasifikim të veprave për të cilat një aplikues mund të jetë dënuar, të cilat ja ndalojnë ose jo hyrjen në Kanada?

Gjergji Hasa: Në qoftë se personi aplikon për një leje të përkohshme (vizë turistike, leje studimi apo pune) Emigracioni nuk të kërkon dëshmi penaliteti përpara se të miratojë lejen. Ndërsa në rastin kur aplikon për rezidencë të përhershme, Emigracioni të kërkon dëshmi nga vendet kur ke jetuar më shumë se 6 muaj. Në qoftë se në dëshminë e penalitetit është shënuar një vepër penale, çfarëdo që të jetë, qoftë edhe një akuzë për drejtim të automjetit në gjendje të dehur apo qoftë edhe një grabitje, ato konsiderohen vepra penale dhe janë kriter ndalues për aplikuesit për të ardhur në Kanada.

Çfarë ndodh nëse aplikuesi ka një vendim fajësie të shkallës së parë, por jo përfundimtar? A është ai i penalizuar?

Gjergji Hasa: Aplikuesi nuk do të marrë një përgjigje pozitive nga Emigracioni derisa dosja penale të marrë një vendim përfundimtar. Në qoftë se aplikuesi ka vetëm vendimin e fajësisë së shkallës së parë, ky dokument është i mjaftushëm për ta refuzuar aplikimin për të ardhur në Kanada. Logjikisht, nëse në shkallën e dytë aplikuesi del i pafajshëm, ai mbase nuk penalizohet më për të ardhur në Kanada, por praktikisht edhe pse shkalla e dytë e gjen jofajtor, kjo s’do të thotë që Kanadaja do ta pranojë. Sepse siç e thamë më sipër Kanadaja i analizon rastet në bazë të ligjeve të saj dhe nëqoftëse një vepër është kryer atëherë Kanadaja atë do e analizojë në bazë të nenit 36 (3) IRPA i cili flet për një vepër penale të kryer jashtë Kanadasë, por që kjo vepër penale ka mbetur pa u gjykuar nga shteti ku është kryer vepra penale. Kanadaja nuk e merr në kosideratë se çfarë ka vendosur gjykata e një shteti tjetër. Përjashtim bëjnë vendet e zhvilluara ku Kanadaja ka besim në sistemin gjyqësor të tyre dhe e konsideron atë të ngjashëm me sistemin gjyqësor të Kanadasë. Për shembull nëse në Amerikë del i pafajshëm, Kanadaja ka gjasa ta marrë në konsideratë pafajsinë. E kundërta do të ndodhte në qofte se pafajësia do merrej në gjyqësorin e një vendi që njihet të jetë i korruptuar.

Nëse aplikanti ka një vendim përfundimtar dënimi, a është ai i ndaluar përjetë për të aplikuar përmes një prej formave ligjore për të ardhur në Kanada?

Gjergji Hasa: Në qoftë se kanë kaluar 5 vite nga vuajtja e dënimit për një veper penale që kategorizohet në nenin 36 IRPA, personi mund të bëjë aplikimin për rehabilitim për të ardhur në Kanada, por kjo nuk do të thotë që aplikimi do të pranohet automatikisht. Rehabilitimi nuk është thjeshtë kalimi i kohës, por edhe integrimi i personit në shoqëri dhe qëndrimi larg krimit.

Një pjesë e qytetarëve shqiptarë kanë ardhur në Kanada përmes vizave të ndryshme dhe do kalojnë procedurat për të aplikuar për Permanent Resident. A kanë ata penalizim nëse përfshihen në një konflikt dhe ka një raport policor për ta?

Gjergji Hasa: Siç e përmenda më sipër, nëqoftëse personi gjendet i fajshëm për një akuzë të bazuar në Kodin penal të Kanadasë, aplikanti deklarohet i papranueshëm dhe aplikimi për rezidencë refuzohet. Në qoftë se procedurat penale fillojnë gjatë procesit për marrjen e rezidencës së përhershme, atëherë ky proces do të pezullohet deri sa të merret një vendim në procedurat penale.

Në rastet kur qytetarët shqiptarë që ndodhen me rezidencë të përhershme në Kanada, marrin një vendim përfundimtar dënimi për një vepër të caktuar, janë ata përjetësisht të përjashtuar nga mundësia për tu bërë shtetas kanadezë?

Gjergji Hasa: Jo. Nëqoftëse rezidenti kryen një krim sot dhe nuk i heqin rezidencen atëherë duhet të presë katër vjet që të ketë mundësi të aplikojë për nënshtetësi. Në rastin kur i hiqet rezidenca, ai nuk ka me të drejtë të aplikojë për nënshtetësinë kanadeze.

©Flasshqip.ca