Kanada

Tragjedia ajrore në Iran, shkaku goditja me raketë - Kanadaja kërkon me vendosmëri përfshirjen në hetime për zbardhjen e të vërtetës

  • Published in Kanada

Gjatë një konference shtypi dje, Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka pohuar që sipas burimeve të besueshme, avioni i Ukraine International Airlines (UIA) në bordin e të cilit 63 shtetas kanadezë humbën jetën, eshte goditur nga një misil tokë-ajër prej forcave ushtarake iraniane. Duke nënvizuar kalimthi që goditja mund të ketë qenë jo e qëllimshme, kreu i qeverisë ka pohuar që për të mësuar gjithë të vërtetën nevojitet një hetim i plotë.

Ishte kjo dalja e dytë e Trudeau para mediave në hapësirën e 24 orëve për të komentuar aksidentin tragjik ajror që shkaktoi plot 176 viktima pranë Teheranit, kryeqytetit të Iranit, të martën duke u gdhirë e mërkura.

Duke iu referuar burimeve të ndryshme inteligjente kanadeze dhe nga vendet aleate, kryeministri deklaroi që konkluzionet paraprake janë mjaftueshmërisht të qarta për t’i bërë ato publike para qytetarëve. Duke shprehur ngushëllimet në adresë të të afërmëve të viktimave, ai pohoi që mundësia e një sulmi me raketë është një goditje më shumë për familjet që kanë humbur të afërmit në këtë tragjedi të papërshkrueshme.

Trudeau është treguar i kujdesshëm në deklarata duke insistuar mbi “rëndësinë e një hetimi të plotë, të thelluar dhe të besueshëm” frazë të cilën pothuaj e përsëriti në çdo përgjigje ndaj gazetarëve.

“Kanadaja dëshiron të kontribuojë në mënyrë të plotë në hetim mbi shkaqet dhe rrethanat e aksidentit dhe qeveria do të bëjë të pamundurën për t’i marrë këto përgjigje”- ka siguruar kryeministri, duke theksuar që familjarët e viktimave kanë nevojë për transparencë dhe që drejtësia të vihet në vend.

Mësohet se kryeminstri Trudeau ka qenë në kontakte të vazhdueshme me drejtues të shumë vendeve aletate mes të cilëve dhe presidenti i Ukrahinës Zelensky, i cili ka kërkuar publikisht pjesëmarrjen e Kanadasë në operacionet e hetimit në Iran. Ndërkohë hetues nga Ukraina ndodhen në Iran. Autoritetet e Teheranit kanë deklaruar që do t’i mbajnë kutitë e zeza në Iran por gjithashtu kanë pohuar që hetuesit ukrainas do të kenë akses në të dhënat e këtyre kutive.

Pas një bisede me presidentin francez Emmanuel Macron, Trudeau ka marrë konfirmimin që kompania franceze “Safran” e cila prodhon motorët e avionëve Boeing në bashkëpunim me atë amerikane “General Electric” do të marrë pjesë gjithashtu në procesin e hetimit.

Gazetarët e kanë pyetur kryeministrin lidhur me qëndrimin e Iranit sa i takon pjesëmarrjes së Kanadasë në hetime. Për momentin nuk ka dritë jeshile nga Irani, por duket se negociatat për të patur një autorizim nga zyrtarët iranianë vazhdojnë.

Autoritetet e Aviacionit Civil Iranian kanë ftuar Byronë e Sigurisë së Transporteve të Kanadasë që të bashkohet me ekipin hetimor, por duket se roli që Teherani i ofron Kanadasë do të jetë minimumi i parashikuar nga Konventa Ndërkombëtare e Aviacionit Civil. Bazuar në të drejtën që ofron kjo konventë, Kanadaja si vend që ka humbur në aksident disa shtetas të tij, ka të drejtën që të çojë një ekspert, i cili mund të ketë akses në informacionin publik që do të jepet nga zyrtarët iranianë dhe mund të ndjekë nga afër progresin e hetimeve. Kjo lloj pjesëmarrjeje nuk parashikon aksesin në informacionin që vjen nga kutitë e zeza apo intervista me dëshmitarë.

Ministri i Punëve të Jashtme François-Philippe Champagne i ka transmetuar kërkesat homologut të tij Iranian, Javad Zarif, të mërkurën në mbrëmje. Nga ana e tij gjatë bisedës telefonike kryediplomati kanadez ka theksuar që për Kanadanë është shumë e rëndësishme prezenca e zyrtarëve të saj në Teheran, me qëllim ofrimin e shërbimeve konsullore, identifikimin e viktimave dhe pjesëmarrjen në një hetim të plotë.

Lidhja Teheran-Toronto përmes Kievit përdoret shumë nga kanadezët me origjinë iraniane për shkak të mungesës së fluturimeve direkte. Sipas informacionit të Kryeminstrit Trudeau, 138 nga 176 pasagjerët që humbën jetën ishin nisur për në Kanada ku ka një prezencë të madhe diaspore iraniane.

Kujtojmë që marrëdhëniet diplomatike me Iranin patën qenë ndërprerë nën qeverinë Harper në vitin 2012. Duke akuzuar regjimin Iranian si mbrojtës të terrorizmit, qeveria e atëhershme konservatore pat urdhëruar mbylljen e Ambasadës Kanadeze në Teheran dhe dëbimin e gjithë diplomatëve iranianë nga territori kanadez. Pas vitit 2015 kur Liberalët erdhën në pushtet edhe pse disa delegacione kanadeze kanë vizituar Teheranin, marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë normalizuar aspak. Katastrofa ajrore e së mërkurës është më e madhja pas asaj të vitit 1985, kur u krye një atentat ndaj një Boeing 747 të Air India, atentat ku humbën jetën plot 268 shtetas kanadezë.

©Flasshqip.ca