Kanada

Montreal-Gent Bejko korr sukses me “Komedia e Tenorëve”

  • Published in Kanada
Nga: Entela Konomi

 “Mos u përpiq të bëhesh qesharak, sepse ajo do dalë vetë”, kjo ishte këshilla e regjisorit Gent Bejko që i dha aktorit kryesor Erik Sauvé në Komedinë e Tenorëve.

Pasi lexova këto rreshta në gazetën e Montrealit telefonova Gentin për të ditur më shumë rreth kësaj komedie. Dhe siç ju kisha thënë më herët miqve në FB, isha kurioze të dija rreth “krimit” që kishte bërë.
Pra, mbrëmë në Lakeside Academy u shfaq premiera “Komedia e Tenorëve” e shkruar nga Ken Ludwig e vënë në skenë nga regjisori Gent Bejko. Ngjarjet janë të vendosur në Paris në vitet 1930 në prag të një koncerti të katër tenorëve. Përfshirja e familjarëve do të sjellë situata komike që çdokush nuk do të mund t’i rezistonte të qeshurave me zë. Gjatë pushimit midis pjesëve ajo që ndiheshe ishte buzëqeshja që ende kishte ngelur tek shikuesit. Me një gotë në dorë e në pritje të pjesës së dytë ata përsërisnin batutat.

Por çfarë e bënte të vecantë këtë komedi? Kushdo që njeh Gentin do e kuptojë menjëherë “kjo është dora e tij” dhe për ne ishte shumë e njohur. Për vendasit të cilët e kishin parë komedinë edhe herë tjetër ishte risi. Sjellja e situatave komike alla-Gent ku e qeshura të shkaktohet pa folur fare, përzgjedhja e muzikës në situatat pikante, aksioni dhe energjia e bënin komedinë të veçantë.

Për ta mbyllur, pasojat e krimit të Gent Bejkos ishin njē mbrëmje me të qeshura dhe duartrokitje të zgjatura. Moti tepër i ftohtë dhe me shumë borë nuk favorizon shfaqjen, por nëse doni te dilni nga rutina e kolltukut të shtëpisë në një dimër me borë shumë, në datat 7-8-9 dhe 13-14-15 ora 7:30 p.m. Shkoni në Lakeside Academy të ngrohni shpirtin me situata komike që vetëm Gent Bejko di t’i sjellë në mënyrë të veçantë...

Montreal, 7 Shkurt, 2020