Kanada

Pse në Kanada datat e festave nuk kanë rëndësi? - Nga Robert Kore

  • Published in Kanada

E hënë sot dhe jemi pushim në Toronto, sepse është një festë që quhet “Family day”. Dita e Familjes festohet të hënën e tretë të muajit Shkurt. Kjo do të thotë që festa nuk ka një datë të caktuar. Në përgjithësi festat e Kanadasë janë të lëvizshme. Ato festohen zakonisht të hënave. Ka disa përjashtime, si për shembull 25 Dhjetori-Christmas; dhe 1 Janari-Viti i ri. Këto dy festa celebrohen gjithmonë në datën që i feston gjithë bota.

Po përse i lëviz Kanadaja ditët e festave dhe i çon të hënën? Për disa arsye:
E para, Kanadezët nuk janë shqiptarë dhe s’kanë ndërmend të zihen për budallallëqe si: kur iku gjermani i fundit, apo kur iku italiani i parafundit, a ishte para apo pas orës 12.
E dyta, data e festës nuk ka ndonjë rëndësi esenciale. Viti i saktë mund të ketë rëndësi, por jo data fikse. Esenciale është celebrimi me dinjitet i aktiviteteve që organizohen për nder të festës. Brezave të rinj duhet t’u përçohet ajo që është thelbësore, çfarë ka ndodhur dhe përse kujtohet kjo festë. Sa për datën: Le të më thotë njeri kur filloi rrethimi i parë, i dytë dhe i tretë i Krujës? Asnjeri s’i mban mend këto data. (Edhe në shkollë në orën e historisë kur ngriheshim në dërrasë të zezë shokët nga klasa na e tregonin datën).
E treta, duke e çuar festën të hënën bëhen 3 ditë pushim dhe këto quhen “long weekend”. Long weekend-i sjell këto përfitime: a-njerëzit relaksohen më gjatë, b-shteti bën biznes në këto ditë sepse njerëzit lëvizin më shumë, blejnë më shumë, bëjnë turizëm, etj. Pra, edhe unë përfitoj në long weekend edhe shteti përfiton.

Kështu mendojnë njerëzit që duan të zgjidhin problemet dhe nuk rrinë e zihen 30 vjet për gjermanin e fundit. Ne kemi akoma nëpër këmbë turkun e fundit që s’po ikën e s’po ikën, rrimë e merremi akoma me gjermanin e fundit. M’u në mes të bulevardit kryesor, ne kemi akoma sulltanát që na drejton gjithë ditën dhe darkave lëmë çdo punë e presim me padurim kë Hürriem nga Rilindja do zgjedhi sulltani.

Si përfundim, do doja t’ju kujtoja politikanëve tanë që zihen për data, merrni shembull nga gjyshet tona që ja kishin fut kot datës së lindjes në pasaportë, se asnjëra se mbante mend datën kur kishte lindur; qamet i madh që e vinin datën me afërsi.

Tagged under Robert Kore Family Day