Kanada

Ottawa - Ambasadori i ri i Kosovës, Adriatik Kryeziu, i dorëzon letrat kredenciale Guvernatores së Përgjithshme Julie Payette

  • Published in Kanada

Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë, Julie Payette, ka pritur dje në ceremoninë e radhës të dorëzimit të letrave kredenciale në Rideau Hall, shefat e rinj të misioneve diplomatike të akredituar së fundi në Kanada. Ndër ta 4 ambasadorët e Kosovës, Brazilit, Malit dhe Guinesë si dhe Komisarin e Lartë të Indisë.

Ambasadori i ri i Kosovës, Adriatik Kryeziu, ka mbërritur në Ottawa para disa javësh dhe ka zëvendësuar në këtë funksion ambasadorin e mëparshëm, Lulzim Hiseni, i cili ka qënë dhe diplomati i parë i akredituar në Kanada pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Diplomuar për Shkenca Politike dhe mbajtës i gradës Master në Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Kryeziu është diplomat karriere dhe pjesë e shërbimit diplomatik të Kosovës qysh nga krijimi i Ministrisë së Jashtme. Në katër vitet e fundit ai ka kryer funksione drejtuese pranë Ambasadës së Kosovës në Pragë të Çekisë.  

Bazuar në rregullat e shtetit kanadez, pas mbërritjes në Kanada, përpara se të ushtrojnë funksionet e tyre si shefa misionesh, ambasadorët e rinj dhe komisarët e lartë që vijnë nga vende të cilat nuk janë pjesë e Commonwealth-it britanik, duhet të priten zyrtarisht nga Guvernatori i Përgjithshëm. Ndërsa komisarët e lartë, përfaqësues të shteteve që kanë si kryetar shteti Mbretëreshën Elizabeth II, priten nga kryeministri i Kanadasë. Letrat kredenciale janë dokumentet zyrtare përmes të cilave shefat e rinj të misioneve diplomatike prezantohen nga Kryetarët e shteteve përkatës, zyrtarisht si përfaqësues në vendin ku janë caktuar të shërbejnë. Aktualisht në Kanada janë të akredituar mbi 180 misione diplomatike.

Sipas deklaratës që Flasshqip mori nga zyra e Ambasadës së Kosovës në Ottawa, krahas ceremonisë protokollare, Ambasadori Adriatik Kryeziu është pritur nga Guvernatorja e Përgjithshme Julie Payette në rezidencën e saj zyrtare në Rideau Hall. Gjatë takimit kokë më kokë është diskutuar më gjerësisht mbi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Kanadasë dhe Kosovës.

Ambasadori, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij dhe stafi diplomatik i akredituar në Ottawa dhe Toronto, në emër të Presidentit, Qeverise dhe popullit të Kosovës e ka falenderuar Guvernatoren e Përgjithshme për mbështetjen e madhe dhe të vazhdueshme të Kanadasë në proceset nëpër të cilat ka kaluar dhe po kalon Republika e Kosovës. Mësohet gjithashtu se në emër të Presidentit dhe qeverisë që përfaqëson, Ambasadori Kryeziu e ka ftuar dje Guvernatoren e Përgjithshme Julie Payette për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Kujtojmë që Kanadaja është një ndër shtetet e para që ka njohur Kosovën e pavarur dhe një ndër shtetet që i erdhi në ndihmë drejtpërdrejt popullit të saj edhe gjatë luftes së vitit 1999, duke strehuar rreth 7 mijë refugjatë. Sfida e Ambasadorit të ri Kryeziu padyshim do jetë vazhdimi me sukses i rruges së nisur nga homologu i mëparshëm, Lulzim Hiseni, i cili punoi me profesionalizëm dhe përkushtim për afrimin e mëtejshëm midis dy vendeve duke realizuar ndër të tjera, edhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Mbrojtjen e Investimeve të Huaja Kosove-Kanada (Foreing Investments Protection Agreement) që tashmë ka hyrë në fuqi dhe është bërë efektive. Flasshqip i uron sukses të plotë Ambasadorit Kryeziu në kryerjen e misionit të tij si përfaqësues i Kosovës në Kanada.

©Flasshqip.ca