Kanada - Gjendje emergjence edhe në Ontario, 304 milion dollarë kundër COVID-19. Plani ekonomik federal parashikon mbi 25 miliardë dollarë
- Published in Aktualitet
Dje në Ontario, provinca ku jeton shumica e komunitetit shqiptaro-kanadez, është dekretuar gjendja e emergjencës shëndetësore për shkak të pandemisë së Koronavirus. Sipas Kryeministrit Doug Ford, kjo situatë pa precedent në historine e provincës do të zgjasë të paktën deri në datën 31 Mars. Janë ndaluar të gjitha takimet me prezencën e më shume se 50 vetave si dhe janë mbyllur kopshtet e çerdhet, kinematë, baret dhe restorantet. Këta të fundit lejohen vetëm të përgatisin ushqim per take out ose delivery. Deri në një urdhër të dytë, dyqanet ushqimore, qendrat tregëtare dhe farmacitë do vazhdojnë të funksionojnë rregullisht, por një pjesë me orare të reduktuara. Edhe transporti publik do vazhdojë funksionimin normal, pa përjashtuar reduktimet në orare të caktuara si pasojë e kufizimit të numrit të personave që lëvizin për shkak të mbylljes së institucioneve shkollore.
Deri në këto momente, në Ontario numerohen 190 raste individësh të testuar me Koronavirus, pa llogaritur ata që ndodhen në karantinë në bazën ushtarake të Trenton. Në rang Kanadaje llogariten rreth 600 të tillë. Gjithashtu, Zyra e Prokurorit të Provincës po heton për të konfirmuar nëse vdekja e një 70 vjeçari në Spitalin Mbretëror Viktoria në Barrie lidhet me COVID-19.
Doug Ford është shprehur dje që vendimi nuk ka qenë i lehtë, është marrë në konsultim Shefin e Higjenës së Ontarios, Dr. David Williams dhe ka mbi të gjitha për qëllim të shmangë mbingarkesën e sistemit shëndetësor. Në të njejtën kohë, për të luftuar intensivisht kundër COVID-19 qeveria e Ontarios ka vendosur të investojë 304 milionë dollarë, nga të cilat 100 milionë për rritjen e numrit të shtretërve në spitale, 50 milionë për të ofruar më shumë teste depistimi në 25 qendrat përkatëse, 50 milionë për blerjen e materialeve mbrojtëse (doreza, maska etj.) për personelin shëndetësor, 50 milionë për të siguruar depistim 24/24 në qendrat ku jetojnë të moshuarit, 4 milionë për komunitetet autoktone për të cilat parashikohet dhe dërgimi i mjekëve në rezervat ku jetojnë si dhe 100 milionë të tjera si mbështetje për situatën në vazhdimësi.
Vendimi i qeverisë së Doug Ford është mbështetur dhe përshëndetur si nga krybashkiaku i Torontos John Tory po ashtu edhe nga shefja e opozitës neodemokrate Andrea Horwath.
Nga ana e tij, Dr. Michael Werner, drejtor i spitalit Michael Garron në Toronto, është shprehur dje për Radio-Kanada që masat duhet të jenë akoma më të forta sepse, sipas tij, mendohet që Koronavirusi do të infektojë nga 30% deri në 70% të banorëve. Për një grup prej 50 vetësh kjo do të thotë që mund të infektohen nga 15 deri në 35. Dr. Werner ka bërë thirrje që të mbyllet gjithshka në mënyrë imediate.
Ndërkohë në të gjitha institucionet shtetërore apo kompanitë private janë ngritur celula krize dhe janë miratuar e po aplikohen masa emergjente në mbrojtje të shëndetit të punonjësve që i shërbejnë drejpërdrejt publikut. Për sa do të jetë e mundur, falë kushteve të avancuara teknologjike, për një pjesë prej tyre po krijohen kushte për të punuar nga shtëpia deri në normalizimin e situatës. Qeveria federale nga ana e saj pritet të aprovojë sot një fond që do tejkalojë shumën prej 25 miliard dollarësh për të minimizuar efektet negative ekonomike në shkallë vendi dhe ndihmuar financiarisht ndërrmarjet dhe individët që dëmtohen drejpërdrejt nga kriza e shkaktuar prej COVID-19.
©Flasshqip.ca