Kanada

Kanadaja dhe emergjenca e Koronavirusit - 82 miliard dollarë ndihmë nga qeveria për qytetarët dhe bizneset

Ottawa - Qeveria kanadeze paraqiti dje planin e saj ekonomik për përballimin e situatës së krijuar nga epidemia e COVID-19 që arrin shumën prej 82 miliard dollarësh. Nga kjo shumë, 27 miliard do jenë ndihmë e drejtpërdrejtë për individët dhe aktivitetet e dëmtuara nga kriza, ndërsa 55 miliard parashikohen në formën e lehtësirave fiskale për t’iu përgjigjur nëvojave për likuiditet të familjeve dhe bizneseve. Kjo shumë, që arrin gati 3% të PIB (Prodhimit të Brendshëm Bruto) “është një ndihmë e domosdoshme në këto kohë të vështira, dhe mbi të gjitha, në Kanada, shëndeti publik nuk duhet të kushtëzohet nga llogaritë financiare”, deklaroi Kryeministri Justin Trudeau, nga oborri para rezidencës së tij ku qëndron i vetë-izoluar prej disa ditësh. 

 

Për individët që nuk përfitojnë nga pushimi mjekësor i paguar, përfshi dhe të vetëpunësuarit, të sëmurët, personat në karantinë shtëpiake apo të detyruar të qëndrojnë në shtepi për shkak të fëmijëve, qeveria federale ka parashikuar një ndihmë urgjente për një maksimum prej 15 javësh përmes një shume që arrin deri në 900 dollarë dhe që do të përfitohet çdo dy javë.

Aplikimi mund të behet në fillim të muajit Prill dhe cilido që përmbush kriteret mund të aplikojë duke paraqitur një dokument në formë vërtetimi (i rinovueshëm çdo dy javë) që nuk është e nevojshme të jetë dokument mjekësor. Regjistrimi mund të bëhet online përmes Portalit My Account for Individuals të Canada Revenue Agencie.

Për personat që humbin punën ose kanë reduktim të orëve të punës dhe që nuk përfitojnë nga sigurimi i papunësisë, qeveria ka parashikuar një alokim ndihme emergjente detajet e të cilës ende mbeten për t’u plotësuar, por sipas Ministrit te Financave Bill Morneau, kjo ndihmë për individët që do vazhdojë gjatë 14 javëve parashikohet të kapë shifrën 5,5 miliard dollarë si injektim i drejpërdrejtë në treg.

Për familjet me të ardhura modeste gjithashtu parashikohet të dërgohet prej tani e deri në fillim të Majit një ndihmë speciale në formën e një çeku si kreditim për taksën mbi produktet dhe shërbimet (rreth 400 dollarë për ata që jetojnë vetëm dhe rreth 600 dollarë për çiftet). Kjo ndihmë parashikohet të injektojë rreth 5,5 miliard dollarë në ekonomi.

Prej muajit Maj, 2 miliard dollarë ndihmë për familjet do jepet edhe përmes rritjes së Alokacionit Kanadez për fëmijët deri në një masë prej 550 dollarë për familje për periudhën 2019-2020.

Ndihmë në një masë mbi 360 milion dollarë parashikohet gjithashtu edhe për të moshuarit dhe grupet e konsideruara më të defavorizuara për të përballuar pasojat e pandemisë si për shembull autoktonët, të pastrehët, viktimat e dhunës seksuale etj.

Moratorium 6 mujor qeveria ka vendosur edhe për interesat që paguhen aktualisht nga ish-studentët për huatë e studimeve. Kjo do të mundësojë që afërsisht 1 milion kanadezë gjatë kësaj periudhe të kenë çdo muaj mesatarisht 160 dollarë më shumë në xhepat e tyre.

Po kështu do të mbështeten dhe bizneset me humbje në të ardhura për të mos lejuar dhe largime nga puna të fuqisë puntore përmes akordimit të subvencioneve të përkohshme për rrogat deri në masën 25,000 dollarë për ndërmarrjet e vogla që plotësojnë kriteret.

Administrata fiskale gjithashtu do krijojë kushte lehtesuese për takspaguesit. Kështu, data e deklarimit të të ardhurave për individët shtyhet deri më 1 Qershor ndërsa pagesat e taksave mbi të ardhurat nga tani e deri në Shtator mund të shtyhen pas datës 31 Gusht pa u aplikuar asnje penalitet apo interes gjatë kësaj periudhe. E njejta politikë do të aplikohet edhe për bizneset.

Ministri i Finanacave Bill Morneau ka deklaruar gjithashtu se ka marrë garanci prej bankave kryesore kanadeze që ato do të aplikojnë zgjidhje adekuate dhe fleksibël për qytetarët që do të kenë vështirësi për të paguar këstet mujore të kredive hipotekore për shkak të situatës aktuale.

Burimi: CBC/Radio Canada