Kanada

Kanada - Tragjedi në Nova Scotia, masakër me 22 viktima

Ka rezultuar me vdekjen e 22 personave, përveç të dyshuarit, masakra në Nova Scotia. Kështu ka konfirmuar komisarja e Xhandarmërisë Mbretërore Kanadeze (RCMP) Brenda Lucki. Mes viktimave ka qenë dhe një efektive e policisë, oficerja me 23 vjet përvojë Heidi Stevenson, nënë e dy fëmijëve. Një tjetër polic u plagos, por jeta e tij nuk është në rrezik.

Kjo masakër, numri i viktimave të të cilës nuk është përfundimtar, është tashmë më e rënda që vendi ka njohur prej më shumë se 30 vjetësh, pas asaj të 6 Dhjetor 1989 në Shkollën Politeknike të Montreal, ku humbën jetën 14 gra dhe vajza.

I dyshuari si autor, Gabriel Wortman, 51 vjeç, vdiq pasi u ndoq këmbë pas këmbe nga policia për afro 12 orë, ndjekje që përfundoi rreth njëqind kilometra nga vendngjarja. Sipas zëdhënëses se RCMP të Nova Scotia, Lisa Croteau, i dyshuari është ekzekutuar nga njeri prej agjentëve të policisë që ishin vënë në ndjekje të tij.

Duket se ekzistojnë disa skena krimi, që përfshijnë disa ndërtesa dhe automjete, në një distancë prej më se 50 kilometrash. Motivet e të dyshuarit nuk dihen. Shërbimet antiterror nuk janë të përfshirë në hetim dhe ngjarja, sipas burimeve policore nuk konsiderohet të jetë e natyrës terroriste.

RCMP i është përgjigjur të shtunën në mbrëmjë rreth orës 23:30 një thirrjeje në numrin 911 të ardhur nga Portapique, një komunitet i vogël rural në Bashkinë Colchester. Portapique ndodhet rreth 100 km në juglindje të kufirit që ndan Nova Scotia nga provinca New-Brunsvick. Kur ka mbërritur në Portapique policia zbuloi kufomat e disa personave, brenda dhe jashtë një rezidence banimi. Në një konferencë shtypi të dielën, RCMP foli për një skenë krimi "kaotik". I dyshuari nuk ishte në vendin e ngjarjes kur mbërriti policia. Kërkimet fillestare i çuan oficerët në disa skena të tjera krimi, përfshirë edhe disa ndërtesa që kishin marrë zjarr.

Ndjekja e Gabriel Wortman ka vazhduar gjatë gjithë natës dhe të dielën në mëngjes RCMP i bëri thirrje publikut të mos i afrohej personit të kërkuar, i konsideruar i armatosur dhe shumë i rrezikshëm.

Përgjatë 12 orëve në arrati, Wortman dyshohet se ka udhëtuar më shumë se 100 km me më shumë se një automjet, duke përfshirë edhe një automjet në pronësi të RCMP. Ndjekja e tij përfundoi në një stacion karburanti Big Stop në Enfield, rreth një orë me makinë në jug të Portapique. Mësohet se i dyshuari si autor i masakrës, 51 vjeç, ishte specialist i protezave dentare nga zona e Halifax.

Pas ngjarjes kanë reaguar me radhë Kryministri i Nova Scotia, Stephen McNeil, Kryeministri i Kanadasë Justin Trudeau dhe kreu i opozitës Andrew Scheer, të cilët e kanë cilësuar ngjarjen si një tragjedi krejt të çmendur e të pakuptimtë.

(Gabriel Wortman)

Një komunitet paqësor i tronditur

Tom Taggart, këshilltar që përfaqëson lokalitetin Portapique në këshillin e Bashkisë Colchester, tha se komuniteti i tij i vogël është krejt i tronditur. Jemi thjesht një vend i mrekullueshëm, i qetë, dhe ideja se një gjë e tillë mund të ndodhë këtu është e pabesueshme, ka deklaruar ai për The Canadian Press në një intervistë telefonike nga shtëpia e tij në Bass River, rreth 3 km larg zonës së kontrolluar nga policia. Njerëzit zgjedhin të jetojnë këtu sepse është zonë e qetë dhe paqësore. Taggart përmendi që ai kishte biseduar me Gabriel Wortman në telefon disa herë për çështje të ndryshme komunitare. Ai pohoi se e dinte ku ndodhej shtëpia përrallore e të dyshuarit në Beach Road në Portapique. Ai theksoi gjithashtu se Gabriel Wortman zotëronte shumë prona të tjera në zone dhe se ai e ndante kohën e tij midis Portapique dhe kabinetit të punës në Dartmouth.

Burimi: Informacione nga CBC dhe The Canadian Press