Kanada

Kanada - Ontario dhe Québec bashkohen për ringritjen e ekonomisë

Gjatë takimit dy-ditor zhvilluar në Mississauga, kryeministrat e Ontario dhe Québec (dy provincat e goditura më rëndë në vend nga pandemia), Doug Ford e François Legault, deklaruan që do rrisin bashkëpunimin e tyre për ringritjen e ekonomisë në provincat përkatëse si dhe për të kërkuar një rritje të transfertave shëndetësore federale.

Në mbyllje të këtij takimi, i cilësuar si historik nga Doug Ford, të dy kryeministrat pohuan që bashkimi i potencialit demografik dhe ekonomik mes Ontario dhe Québec do rrisë kapacitetet për gjetjen e zgjidhjeve adekuate jo vetëm si përgjigje ndaj situates pandemike COVID-19, por edhe në raport me pengesat në fushën e tregëtisë ndërkombëtare, veçanërisht ato të imponuara aktualisht nga administrata amerikane.

“Ne diskutuam krizën shëndetësore dhe mbrojtja e shëndetit të qytetarëve tanë mbetet përparësia numër një”, u shpreh François Legault, sipas të cilit, kushti i parë për rimëkëmbjen ekonomike është mbi të gjitha mospërsëritja e situates së muajit Mars, kohë kur u reduktuan apo mbyllën shumë aktivitete, përjashtuar shërbimet esenciale.

Ford dhe Legault u shfaqën të sigurt që pesha e aleancës së tyre brenda federates u jep avantazhin për t’i kërkuar kryeministrit Trudeau një rritje të transfertave shëndetësore federale, çka do të bëjë të mundur që provincat të përballen më me efikasitet në raport me realitetin e ri të imponuar nga COVID-19 dhe gjithashtu me sfidën e plakjes së popullsisë.

Kostot shëndetësore të provincave aktualisht shkojnë në rreth 200 miliardë dollarë, ndërsa pjesa e financuar nga Ottawa arrin shifrat 42 miliardë, pra rreth 21% e totalit, çka sipas François Legault, nuk është e mjaftueshme, nëse merren parasysh taksat që qytetarët i paguajnë çdo vit qeverisë federale. “Z. Trudeau duhet të pranojë që shëndeti është një përparësi kryesore për kanadezët dhe se ne nuk mund të vazhdojmë të ndajmë faturën 20% (për qeverinë federale) dhe 80% për provincat”, ka deklaruar ai. Në këtë optikë, kryeministrat e Ontario dhe Quebéc do t’i kërkojnë Ottawa-s një kontribut të rinovueshëm çdo vit në fushën e shëndetësisë dhe mbi të gjitha pa kushte se si do të shpenzohen këto fonde.

Ontario dhe Québec gjithashtu i bënë thirrje qeverisë Trudeau të lehtësojë kriteret e për marrjen e fondeve federale për infrastrukturën duke theksuar se këto fonde duhen transferuar në bllok me sa më pak kushte të jetë e mundur.

Dy kryeministrat Ford e Legault diskutuan edhe mbi ringritjen e sektorit të prodhimit me synim përafrimin e politikave përkatëse të blerjes së produkteve pa dëmtuar shkëmbimet e tyre ekonomike. Ata ndër të tjera diskutuan edhe mundësinë e zbutjes së rregulloreve për të lehtësuar lëvizjen e mallrave dhe tregëtinë midis dy provincave.

Me marrëveshje të përbashkët, kryeministrat e Quebec dhe Ontario vendosën të lënë mënjanë çështjet më të mprehta në këtë samit, në veçanti për barazimin dhe hidro-energjinë elektrike.

Në takimin që zgjati dy ditë, morën gjithashtu pjesë ministrat e Shëndetësisë, Financave dhe Infrastrukturës së të dy provincave.

©Flasshqip