Kanada

Kanada - Montréali krijon postin e komisionerit dhe zyrën e posaçme për antiracizmin

Montréal - Kryebashkiakja e Montréalit njoftoi të Premten në mëngjes krijimin e një zyre të re antiracizëm brenda strukturës së administratës në metropolin frankofon.

“Për herë të parë në historinë e tij, qyteti i Montréalit do të ketë një komisioner për luftën kundër racizmit dhe diskriminimit sistemik. Ky komisioner do t'i raportojë Drejtorit të Përgjithshëm dhe do të mbështetet nga një ekip profesionistësh," deklaroi për mediat Valérie Plante. "Brenda një viti, Komisioneri do të duhet të propozojë një plan veprimi që do të përfshijë masa strukturuese për t'iu kundërvënë racizmit sistemik dhe diskriminimit" - shtoi ajo.

Ende nuk njihen shifrat e buxhetit në dispozicion të zyrës së re, personeli i të cilës parashikohet të ketë 3 deri 4 specialistë, përfshi komisionerin e posaçëm.

Valérie Plante e argumentoi vendimin si një përgjigje ndaj rekomandimeve të raportit të Zyrës së Konsultimit Publik të Montréalit (Office de Consultation Publique de Montréal) mbi racizmin, publikuar Qershorin e kaluar duke shprehur entuziazëm se po bëhet një progres domethënës.

Por opozita zyrtare në këshillin e qytetit nuk ka qenë e të njëjtit mendim. Lionel Perez, shefi i Ensemble Montréal ka kritikuar faktin që u deshën 5 muaj për të njoftuar krijimin e strukturës së re. “Kjo administratë nuk druan të bëhet qesharake. Çfarë zhgënjimi për gjithë komunitetin i cili priste të mësonte këtë mëngjes emrin e komisionerit të ardhshëm" - është shprehur ai.

Ndërkohë, duket se kryebashkiakja ka shigjetuar indirekt ngurimin e qeverisë së François Legault për të njohur ose jo ekzistencën e racizmit sistemik. Sipas saj, "i takon Kryeministrit të vendosë se çfarë fjalësh përdor, por përdorimi i këtyre fjalëve nuk i bën montrealezët apo kebekasit më racistë”. Për Valérie Plante, emërtimi i fenomenit është pjesë e zgjidhjes dhe është shumë e rëndësishme të përdoren fjalët e duhura.

©Flasshqip.ca