Kanada - 26 Tetor, zgjedhje në Saskatchewan. Cilin kandidat mbështet komuniteti shqiptar?
- Published in Aktualitet
Regina - Kryeministri i Saskatchewan Scott Moe e ka filluar zyrtarisht prej disa ditësh fushatën për zgjedhjet provinciale të 26 Tetorit. Paraprakisht ai u takua me Lejtënant-Guvernatorin Russell Mirasty më 29 Shtator për t'i kërkuar atij që të shpërndajë legjislaturën.
Moe e kishte planifikuar prej kohësh të mbante zgjedhje këtë vit, pavarësisht krizës shëndetësore. Synimi i kryeministrit aktual qysh në pranverë ishte marrja e një votëbesimi të ri nga zgjedhësit, sipas tij “sa më shpejt të ishte e mundur”.
Para shpërdarjes së Parlamentit, Partia e Saskatchewan e Scott Moe kisht 46 deputetë, ndërsa Partia e Re Demokratike (NDP) 13.
Nisur nga vala e dytë e COVID-19, institucioni që organizon zgjedhjet (Election Saskatchewan) ka garantuar ndërkohë që procesi do të zhvillohet nën masa sigurie duke shtuar numrin e qendrave të votimit e duke i pajisur ato në mënyrë të mjaftueshme me maska e dezinfektues.
Saskatchewan është provinca e fundit që do të mbajë zgjedhje gjatë pandemisë këtë vit. Ndërkohë zgjedhje u zhvilluan në New Brunswick më 14 Shtator, zgjedhje që rikonfirmuar kryeministrin Progresist-Konservator Blaine Higgs, ndërsa në British Columbia zgjedhësit do t’u drejtohen kutive të votimit më 24 Tetor.
Scott Moe, i cili synon të fitojë mandatin e katërt për partinë e tij duket se zgjodhi fushatën më të shkurtër të mundshme, 28 ditë, që është dhe koha minimale e lejuar. Ai u caktua kreu i qeverisë pasi fitoi garën për kreun e partisë në 2018, në kohën kur u largua nga politika kryeministri atëhershëm Brad Wall. Fillimi zyrtar i fushatës nuk pati zhurmën tipike të zgjedhjeve të kaluara, për shkak të pandemisë që parandalon tubimet. Kandidatët tashmë po shkojnë shtëpi më shtëpi e derë më derë.
Opozita NDP ka paraqitur si premtim kryesor në fushatë më shumë mbështetje për kujdesin ndaj fëmijëve, ndërsa Saskatchewan Party e Scott Moe ka paraqitur një seri njoftimesh për shpenzimet në infrastrukturë.
"Votuesit do të duhet të pyesin veten se cilës parti i besojnë për të rritur ekonominë e provincës këtë vit" - ka deklaruar Scott Moe. Ai tha se vendimet për shpenzimet duhet të merreshin me qëllim eliminimin e deficitit buxhetor deri në vitin 2024. "Maturia fiskale është një nga karakteristikat kryesore të partisë time dhe ky do mbetet gjithmonë një objektiv parësor”, pohoi ai në një intervistë para fillimit të fushatës.
Nga ana e tij, kreu i NDP Ryan Meili ka thënë se partia e tij do të bëjë fushatë të guximshme dhe ai shpreson që votuesit ti shohin Demokratët e Rinj si një mundësi për ndryshim.
Cilat janë partitë në garë?
Partia e Re Demokratike (New Democrats Party) - Me një trashëgimi të pasur politike, kjo parti synon të kalojë nga opozita, status që ka mbajtur për më shumë se 13 vjet, në mazhorancë, por edhe pse sipas sondazheve 34% e zgjedhësve janë të pavendosur, shanset mbeten fare minimale.
Partia e Saskatchewan (Saskatchewan Party) - Në pushtet që nga viti 2007, Partia e Saskatchewan synon të sigurojë mandatin e katërt radhazi. Sondazhet i japin deri tani rreth 29% të votave, përkundrejt 14% për NDP
Katër parti të tjera politike janë regjistruar për zgjedhjet e ardhshme: Saskatchewan Greens, Saskatchewan Liberals, Cornservative Party dhe Buffalo Party of Saskatchewan.
Portret i dy liderëve të dy partive kryesore
Scott Moe - Pa shumë zhurmë, deputet prej vitit 2011 dhe dy here minister (i Ambientit dhe Arsimit), 47 vjeçari Scott Moe u bë kryeministri i Saskatchewan pasi siguroi kreun e Saskatchewan Party më 2018. Ky ish-fermer i diplomuar në shkencat e Agrikulturës pranë Universitetit të Saskatchewan (Saskatoon) me origjinë nga bashkësia e vogël rurale e Shellbrook në Saskatchewan-in verior, ia ka arritur me sukses në pak vite që të afirmohet si lider i të djathtës në provincë.
Ryan Meili - Kryetari 45 vjeçar i NDP është me origjinë nga Saskatoon dhe me profesion mjek. Deputet prej vitit 2017, ai u zgjodh në vitin 2018 lider i partisë në tentativën e tij të tretë, pas atyre të viteve 2009 e 2013 kur u rendit i dyti. Gjatë pandemisë, në muajin Prill ai rinovoi lejen e ushtrimit të profesionit si mjek dhe filloi të punonte paralelisht në njerën nga qendrat për testimin e COVID në Saskatoon. Zgjedhjet e 26 Tetorit janë të parat për të si lider i opozitës neodemokrate. Jo shumë i njohur nga publiku, Ryan Meili komentohet nga mediat si një politikan i ideve, ambicies dhe vendosmërisë. Ne vitin 2007 ai ka marrë vlerësimin Saskatoon’s Global Citizen of the Year nga Saskatchewan Council for International Cooperation.
Cilin do mbështesin shqiptarët e Saskatchewan?
Flasshqip komunikoi sot drejpërdrejt me Ajdin Kozmaqin, kryetarin e Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze “Iliria” në Regina, për të marrë një opinion para zgjedhjeve të 26 Tetorit. “Nuk e kemi parë të udhës që si shoqatë të deklarohemi para zgjedhjeve se cila është partia jonë e preferuar”, ka pohuar ai, megjithëse, sipas sondazheve besohet që Saskatchewan Party do të dalë fituese përsëri.
Gjithsesi, Ajdin Kozmaqi, themeluesi dhe drejtuesi prej vitesh i shoqatës shqiptare, ka konfirmuar që “personalisht dhe familjarisht, do të votojmë për Saskatchewan Party sepse kemi shumë arsye. Për shumë vite kemi ndërtuar raporte miqësore me figurat eminente të partisë. Komuniteti ynë u promovua në mënyrën më të mirë këtu, falë pikërisht Saskatchewan Party. Duke punuar së bashku, arritëm të bëjmë punë të mëdha. Emërtimi i rrugës Zeka, shpallja e Nëntorit muaj i Trashëgimisë Kulturore Shqiptare dhe hapja e shkollës shqipe janë vetëm disa nga frytet e këtij bashkëpunimi. Kur shtoj faktin se edhe një mik i imi dhe ish-koleg është në garë për t’u zgjedhur deputet dhe vjen nga Bangladeshi (Caeser Khan), atëherë nuk ka dilemë. Ne do të votojmë miqtë tanë. Të tillë janë edhe Ministri i Kulturës, Gene Makowsky dhe kryeparlamentari, një personalitet i shquar dhe shumë i dashur për komunitetin Mark Docherty, por edhe shumë e shumë të tjerë. Andaj, urave që i kemi formuar, shpresoj që pas zgjedhjeve tē 26 Tetorit tu vendosim shtylla akoma më të forta”.
Saskatchewan, provincë boreale e prerive, shtrihet në një sipërfaqe prej 651,900 kilometrash katrorë (e shtata për nga sipërfaqja dhe e pesta për nga GDP, në rang Kanadaje) dhe njihet ndryshe edhe si provinca e 100,00 liqeneve. Saskatchewan kufizohet në Perëndim nga Alberta, në Veri nga Northwest Territories, në Lindje nga Manitoba, në Veri-Lindje nga Nunavut dhe në Jug nga dy shtetet e SHBA, Montana dhe North Dakota. Popullsia në vitin 2020 llogaritet në rreth 1,181,990 banorë. Aktivitetet kryesore ekonomike të provincës janë bujqësia (gruri, kanola) dhe minierat (potassium dhe uranium). Në Saskatchewan, jetojnë rreth 2,000 shqiptarë të vendosur kryesisht në Regina dhe Saskatoon.
©Flasshqip