Kanada

Kanada - British Columbia organizon zgjedhje të parakohshme më 24 Tetor. Votohet edhe me telefon. Nesër debati i liderëve

Victoria - Në provincën e Paqësorit, British Columbia, nga Qershori 2017 qeverisin në minorancë Neodemokratët (të mbështetur nga Partia e Gjelbër) me kryeministër John Horgan. Pas shpërndarjes së parlamentit provincial me kërkesën e ketij të fundit, nga Lejtënant-Guvernatorja Janet Austin, data e zgjedhjeve u caktua 24 Tetori. British Kolumbia, ashtu si New Brunswick dhe Saskatchewan, bëhet province e tretë kanadeze që i mban zgjedhjet në kushte të jashtëzakonshme pandemie. Kjo është hera e pare që kjo situate përsëritet qysh nga Lufta e Dytë Botërore.

Horgan ka “hedhur dorashkën” për të kërkuar zgjedhje të parakohshme gati një vit para përfundimit të legjislaturës me argumentin se nuk mund të vazhdohet me grindje politike dhe pengesa në miratimin e projekt-ligjeve. Me kundërshtarë kryesorë Liberalët dhe Partinë e Gjelbër, Neodemokratët e Horgan do synojnë të marrin kësaj here shumicën e mjaftueshme për të qeverisur pa pengesa. Ata duket se janë të favorizuar nga sondazhet dhe sipas Horgan, synimi i tyre është kapërcimi me sukses i krizës ekonomike dhe shëndetësore.

John Horgan

Lideri liberal Andrew Wilkinson dhe kryetarja e sapozgjedhur e Partisë së Gjelbër Sonia Furstenau e kanë kritikuar qeverinë për vendimin mbi zgjedhjet e parakohshme. Wilkinson madje e akuzoi John Horgan për vënien e interesave të partisë së tij para atyre të qytetarëve dhe e quajti vendimin e tij cinik.

Cila do të jetë mënyra se si do të mbahen votimet dhe cilat masa paraprake janë marrë për të siguruar që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të sigurt dhe të pakontestueshme? A do të votohet përmes Internetit? A do të mund të votohet me telefon? Këto janë disa nga pikëpyetjet lidhur me këto zgjedhje në kushte të pazakonta situate pandemie.

Një komitet i pavarur pat hulumtuar mundësinë e votimit përmes Internetit në British Columbia qysh para zgjedhjeve të vitit 2014 dhe pat përcaktuar se rreziku i sigurisë ishte shumë i madh. Sipas Elections British Columbia, situata nuk ka ndryshuar dhe teknologjia ende nuk arrin të garantojë sigurinë e zgjedhjeve përmes Internetit.

Vancouver

Votimi me telefon do të jetë një opsion për personat që vlerësohet se janë në rrezik shëndeti dhe për të gjithë ata që nuk mund të votojnë ndryshe. Kjo kategori përfshin individët me aftësi të kufizuara ose me probleme serioze shëndetësore, si dhe ata që trajtohen në spitale ose të vendosur në një qendër të kujdesit afatgjatë.

Nuk do të jetë gjithashtu e domosdoshme që zgjedhësit të paraqiten pranë qendrave të votimit pasi do të jetë e mundur të votohet paraprakisht edhe me postë.

Votimi paraprak do fillon nga kjo e enjte, 15 Tetor, deri të mërkurën e ardhshme 21 Tetor. Kësisoj, ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2017, do të ketë një ditë më shumë në dispozicion për votim paraprak, çka sipas Elections BC do reduktojë radhët në qendrat e votimit që do të jenë hapura nga ora 8:00 e mëngjesit deri në ora 20:00 në mbremje ditën e zgjedhjeve.

Votimi me postë rekomandohet për ata që nuk dëshirojnë të votojnë personalisht, si dhe ata që gjithashtu kanë probleme shëndetësore. Të gjithë votuesit e provincës që dëshirojnë të përdorin këtë metodë mund të kërkojnë të marrin fletën e tyre të votimit me postë duke vizituar faqen Web të Elections BC ose duke telefonuar Shërbimin e Votuesve në 1-800-661-8683. Fleta e votimit do të dërgohet drejtpërdrejt në adresën e tyre ose do të jetë në dispozicion në qendrën përkatëse të zonës elektorale.

Bonnie Henry

A do të jetë i sigurt nga pikpamja e mbrojtjes nga virusi votimi personalisht në qendrat e votimit? Bonnie Henry, Shefe e Higjenës dhe Epidemiologjisë të provinces dhe Election BC kanë pohuar se është punuar maksimalisht për krijimin e kushteve, ndërsa sipas kryeministrit Horgan, ashtu sikurse shkohet për në pune apo në qendra tregëtare për blerje, me të njejtat kushte do mund të shkohet edhe për të votuar.

Protokolli i ri për votimin në situatën e COVID-19 është ky: distancim fizik, vendosje e një kufiri kapaciteti brenda qendrave të votimit, maska dhe mbrojtëse fytyre për stafin, barriera mbrojtëse, depozita portative për dezinfektim duarsh si dhe pastrim e dezinfektim i vazhdueshëm i sipërfaqeve dhe kabinave të votimit.

Votuesit do të nxiten të mbajnë maskë dhe të përdorin mjete dezinfektimi duarsh para dhe pasi të shkojnë në votime. Ata gjithashtu mund të përdorin lapsin e tyre për të votuar dhe do tu kërkohet të bëjnë një deklaratë verbale në lidhje me të drejtën e tyre për të votuar në vend se të nënshkruajnë regjistrin.

John Horgan, Sonia Furstenau dhe Andrew Wilkinson

Ndërkohë nesër, 13 Tetor, do të zhvillohet dhe debati i tre liderëve kryesorë. John Horgan (NDP), Andrew Wilkinson (Liberal) dhe Sonia Furstenau (Green) do të flasin për temat kryesore në takimin e organizuar nga Konsorciumi BC Broadcast dhe që do të transmetohet në televizione, radio dhe platformën dixhitale CBC.

Debati televiziv 90 minutësh, nga ora 18:30 pasdite deri në orën 20:00, do të moderohet nga Drejtoresha e Institutit Angus Reid, Shachi Kurl. Konsorciumi organizator ka deklaruar se për shkak të kufizimeve prej COVID-19, hyrja do kontrollohet rreptësisht dhe pjesëmarrësit do të ndjekin me rigorozitet udhëzimet e institucioneve të shëndetit publik. Ndërkohë, nuk do të ketë spektatorë live në sallën ku do zhvillohet debati.

Edison Heba

Në një komunikim të drejpërdrejtë me avokatin e njohur shqiptar në British Columbia, Edison Heba, njëherazi dhe sekretar i Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze atje, mësuam që sondazhet duket se favorizojnë përsëri kryeministrin Neodemokrat Horgan. Horgan mbetet një politikan që simpatizohet gjerësisht edhe për faktin se arriti ta menaxhojë me shumë sukses pandeminë, çka e dëshmojnë dhe shifrat krahasuar me pjesën tjetër të North America. Sipas Hebës, një element tjetër në favor të NDP është edhe situata ekonomike në British Columbia, që nuk ka ndryshuar për keq qysh nga largimi i Liberalëve, parti e cila qëndroi gjatë në pushtet por e humbi mazhorancën si rezultat i konsumimit të imazhit dhe pas një skandali të lidhur me pastrim parash.

©Flasshqip.ca