Kanada

Kufiri Kanada-SHBA do vazhdojë i mbyllur, të paktën deri më 21 Nëntor

  • Published in Kanada

Ashtu siç pritej, Otava dhe Uashingtoni e zgjatën sërish edhe për një muaj tjetër marrëveshjen e tyre për të mbajtur mbyllur kufirin tokësor midis dy vendeve.

Deri më 21 Nëntor kalimet në këtë kufi do vazhdojnë të lejohen vetëm për udhëtarët që lëvizin për arsye të domosdoshme, siç janë për shembull kamionistët që transportojnë mallra.

Ishte Ministri Federal Kanadez i Sigurisë Publike, Bill Blair, i cili e bëri këtë njoftim përmes Twitter dje në mëngjes. “Ne jemi duke i zgjatur edhe për një muaj kufizimet për udhëtimin drejt Shteteve të Bashkuara. Vendimet tona do të vazhdojnë të bazohen në rekomandimet e institucioneve të shëndetit publik, në menyrë që të vazhdojë të garantohet siguria e qytetarëve kanadezë”, ka deklaruar ai.

Bill Blair

Kufiri është mbyllur që nga 18 Marsi 2020 me synim që të kufizoheshin rreziqet e përhapjes së Koronavirusit. Të dy vendet po e zgjasin këtë mbyllje nga muaji në muaj. Ndërkohë COVID-19 ka marrë më shumë se 224,000 jetë në Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se 9,700 në Kanada.

Foto: Radio Canada/Ben Nelms