Kanada

Kanada - Halloween horror në Québec City, 2 të vdekur 5 të plagosur

Sipas policisë, i dyshuari ka vepruar “për shkaqe personale” por krimi ka qenë "i paramenduar".

Québec - Mbrëmë nata e Halloween ka qenë një natë makthi në Québec City. Një person, i maskuar me kostum mesjetar vrau dy persona dhe plagosi pesë të tjerë me armë të ftohtë. I dyshuari, 24 vjeç, i quajtur Carl Girouard dhe banor i Sainte-Thérèse në Rive-Nord-Montréal, u arrestua nga policia, e cila mori njoftim rreth orës 22:28.

Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, agjentët e policisë gjetën një trup pa jetë në Rue du Trésor, jo shumë larg Château Frontenac. Një trup i dytë u gjet pak më vonë në Rue des Remparts.

Në një konferencë për shtyp mbrëmë, Departamenti i Policisë i Québec City (SPVQ) konfirmoi dy viktimat, duke cituar që një sulm me armë të ftohtë kish ndodhur në zonën historike të kryqendrës së provinces frankofone, sulm gjatë të cilit janë plagosur gjithashtu pesë persona të tjerë. Arma e përdorur nga i dyshuari ka qenë një një shpatë japoneze tip katana.

Pas neutralizimit të autorit të dyshuar, rreth orës 4:20 të mëngjesit policia konfirmoi se situata ishte nën kontroll dhe nuk ka shkaqe të tjera veç atyre personale që kanë motivuar krimin, që gjithsesi policia e konsideron si të paramenduar.

Shefi i Policisë-Québec City, Robert Pigeon

Ndërkohë hetimet vazhdojnë dhe mendohet që autori i dyshuar ka patur probleme shëndeti mendor, çka mbetet të konfirmohet nga shërbimet kompetente.

Në rrjetet sociale kanë reaguar duke shprehur solidaritetin me familjet e viktimave dhe dënuar me force aktin të gjithë autoritetet e larta kanadeze dhe ato të Québec, përfshi kryeministrat Justin Trudeau dhe François Legault.

Sot në ora 9:30 dolën gjithashtu në konferencë shtypi Shefi i Policisë i Québec City, Robert Pigeon, Zëvendëskryeministrja e provincës Geneviève Guilbault, kryetari i Bashkisë Régis Labeaume dhe Presidenti i Këshillit të Thesarit të Kanadasë, njëherazi deputet federal i Québec City, Jean-Yves Duclos. Aktualisht policia po ushtron kontroll në banesën e të dyshuarit.

©Flasshqip.ca