Kanada

Kanada - Vaksinimi kundër COVID-19 fillon javën e ardhshme

  • Published in Kanada

Ottawa - Ndryshe nga çfarë u deklarua para disa ditësh nga qeveria, duket se ngjarjet lidhur me vaksinimin e kanadezëve kundër COVID-19 kanë hyrë në një fazë të re të përshpejtuar. Autoritetet përkatëse të Shëndetësisë (Health Canada) pritet të miratojnë vaksinën e prodhuar nga Pfizer/BioNTech këtë javë, kështu që personat e konsideruar si më të rrezikuar mund ta marrin dozen e parë që në javën e ardhshme, njoftoi sot gjatë një konference për mediat kryeministri kanadez Justin Trudeau.

Sipas pohimeve të këtij të fundit, Ottawa ka bërë një marrëveshje me Pfizer për të marrë 249,000 doza nga momenti që autoritetet rregullatore do të konfirmojnë që vaksina është efektive dhe e sigurt. Pra, pas miratimit nga Health Canada, dërgesa e parë pritet të mbërrijë shumë shpejt, ndërsa miliona doza të tjera janë planifikuar të mbërrijnë në fillim të 2021, të furnizuara përkatësisht nga Pfizer dhe Moderna.

“Ky lajm do të thotë që ne mund ta përshpejtojmë planin tonë të vaksinimit dhe ky është një zhvillim pozitiv, çka do të thotë se do të jemi në gjendje në kohën e duhur të mbrojmë qytetarët tanë”, është shprehur Trudeau, i cili në panel shoqërohej nga Ministrja e Shërbimeve Publike dhe e Furnizimeve, Anita Anand dhe nga Gjeneral-Majori Dany Fortin, i ngarkuari me drejtimin logjistik të fushatës së vaksinimit.

Presioni i opozitës duket se ka rol në këto zhvillime, edhe pse Trudeau u përpoq ta mohonte një gjë të tillë, kur deklaroi që qysh prej sezonit të verës Ministrja Anand ka qënë në kontakt me kompanitë përkatëse farmaceutike. Gjithsesi gafa e tij do të mbahet mënd për shumë kohë. Ishte pikërisht ai që javën e kaluar pat deklaruar që Kanadaja duhet të presë, derisa disa vende të tjera të marrin më parë furnizimin me dozat përkatëse të vaksinës, gafë që Trudeau është përpjekur ta justifikojë me faktin se nuk ka dashur “të ushqehen shpresa të pabazuara”.

Vaksina do të transportohet deri në Kanada direkt nga Pfizer në 2 nga 14 vendet e përcaktuara nga secila prej provincave për këtë fazë të parë të fushatës së vaksinimit. Trudeau sqaroi se kontigjenti i parë do mbërrijë në dy provincat më të populluara, Ontario dhe Québec. Numri i dozave do të shpërndahet në proporcion me popullsinë e secilës prej provincave, konfirmoi ai më tej.

Sipas personit të ngarkuar me logjistikën, Gjeneral-Majorit Dany Fortin, ish-drejtues i lartë i forcave të NATO-s, do të duhen një ose dy ditë ndërmjet kohës kur do të merren në dorëzim ngarkesat dhe kur ato do mund të administrohen, d.m.th. koha e nevojshme për të hequr ambalazhin, për shkrirjen, dekantimin dhe miksimin e tyre.

Gjeneral-Major Dany Fortin

Gjeneral-Majori Fortin gjithashtu pohoi që territoret e Veriut kanadez janë deklaruar tashmë që preferojnë të marrin një vaksinë tjetër nga ajo e Pfizer, për shkak të kompleksitetit të krijuar nga fakti që ajo duhet të ruhet në temperatura rreth -70 gradë Celsius. E njëjta gjë vlen edhe për rajonet më të largëta të provincave.

Po kështu, mbetet kompetencë e provincave se cilat segmente të popullsisë do të vaksinohen së pari. Githsesi, këto vendime duhet të jenë relativisht në përputhje me rekomandimet e bëra javën e kaluar nga Komiteti Kombëtar Këshillimor për Imunizimin. Furnizimi që pritet të mbërrijë së shpejti, është pjesë e 76 milion dozave që Kanadaja ka kontraktuar me Pfizer. Vaksina duhet të merret në dy doza në interval tre javësh.

Ndërkohë sot ka pasuar dhe reagimi i opozitës në Dhomën e Komunave. Partia Konservatore nga ana e saj deklaroi që njoftimi i Kryeministrit Trudeau nuk i jep fund pasigurisë për miliona kanadezë që janë duke pritur të dinë se kur mund të jenë imunë ndaj COVID-19. Zëdhënësja për Shëndetësinë e Konservatorëve, Michelle Rempel Garner, tha se vetëm rreth 0.003% e qytetarëve mund të vaksinohen me dozat që Pfizer pritet të furnizojë deri në fund të vitit. Sipas saj, tek fqinji Jugor, SHBA, numri i të vaksinuarve deri në fund të vitit do të arrijë shifrën 10%.

©Flasshqip.ca