Kanada

Kanada - Zgjedhje të parakohshme në provincën Newfoundland Labrador

  • Published in Kanada

St. John’s - Kryeministri i provinces Newfoundland dhe Labrador, Andrew Furey, njoftoi zyrtarisht dje në mbrëmje organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në datën 13 Shkurt duke i kërkuar Kryegjyqtares Deborah Fry, që mbulon aktualisht funksionin edhe të Lejtënant Guvernatorit, shpërndarjen e Asamblesë Legjislative. Këto do të jenë të parat zgjedhje dimërore në Newfoundland dhe Labrador që nga Shkurti 1999, kur u rizgjodh udhëheqësi Liberal Brian Tobin.

Nën shembullin e tre zgjedhjeve të Vjeshtës 2020 në Saskatchewan, British Columbia dhe New Brunswick, Kryeministri Furey synon të sigurojë shumicën për të qeverisur. Me profesion kirurgu, Andrrew Furey u caktua në Gusht 2020 për të zëvendësuar Dwight Ball si udhëheqës i Liberalëve në pushtet, por sipas ligjit, zgjedhjet duhet të mbahen deri në fund të vitit të tij të parë si kryeministër.

Kryeministri Andrew Furey

Në konferencën e tij për shtyp, Z. Furey argumentoi se përpjekjet e Newfoundland dhe Labrador për të kufizuar përhapjen e COVID-19 mund të shërbejnë si një shembull kombëtar. Ai deklaroi gjithashtu që zgjodhi të mbahen zgjedhjet të shtunën për t'u dhënë votuesve kohë për të shkuar në qendrat e votimit dhe për të shmangur radhët e gjata

Kundërshtari kryesor i Liberalëve të Furey mbetet Partia Progresiste-Konservatore e udhëhequr nga avokati Ches Crosbie, djali i politikanit të mirënjohur John Crosbie. Në një konferencë tjetër shtypi pak përpara z. Furey, Ches Crosbie deklaroi që provinca ishte "në prag të një humnere financiare" edhe përpara pandemisë. Ai parashikon të paraqesë planin e tij për rimëkëmbjen e ekonomisë në ditët në vijim dhe sipas tij, "një qeveri Progresiste-Konservatore e udhëhequr do të ishte një promotor i vërtetë për krijimin e vendeve të punës".

Sa i takon Neodemokratëve të udhëhequr nga ekonomistja Alison Coffin, në zgjedhjet e fundit të Majit 2019 ata patën siguruar 3 vende në parlamentin provincial, pasi paraqitën vetëm 14 kandidatë nga 40 zona elektorale që ka gjithsej Newfoundland dhe Labrador. Para shpërndarjes se djeshme të legjislaturës, Liberalët kishin 19 deputetë, Konservatorët 15 ndërsa 3 të tjerët ishin të pavarur.

Godina e Parlamentit Provincial St. John's

Newfoundland dhe Labrador (ku përfshihet ishulli Newfoundland dhe territori kontinental Labrador), e bashkuar me konfederatën më vitin 1949, është provincë që shtrihet në esktremin Lindor të Kanadasë dhe hyn në grupin e provincave të Atlantikut. Në një sipërfaqe 405,212 km katror, sipas statistikave aty jetojnë rreth 522,000 banorë.

Provinca është e pasur me minerale, veçanërisht me rezerva hekuri. Nëntoka gjithashtu përmban sasi të mëdha ari, argjendi, azbesti, fluori, tungsteni, nikeli (miniera e Voisey's Bay), bakri, plumbi, zinku, qymyri si dhe gipsi, guri gëlqeror e kobalti. Ky i fundit gjendet kryesisht në ishullin Newfoundland. Gjithashtu në det të hapur janë zbuluar rezerva nafte rreth 300 km në Jug-Lindje të kryeqytetit St. John’s në zonën e quajtur Baseni Jeanne d'Arc. Shfrytëzimi i rezervave të naftës bëhet duke përdorur platforma në det të hapur, nën kujdesin e kompanive të fuqishme të Amerikës së Veriut.

©Flasshqip.ca