Kanada

Kanada - Lideri i Konservatorëve Erin O'Toole distancohet nga ekstremi i djathtë dhe dënon racizmin

  • Published in Kanada

Erin O'Toole, lideri i Partisë Konservatore Kanadeze, ka bërë dje një lëvizje politike të paparashikuar duke u pozicionuar qartësisht në qendër të spektrit politik. Përmes një letre publike, ai ka deklaruar para opinionit publik pikëpamjet e tij në favor të zgjedhjes personale në rastin e abortit, në favor të të drejtave të LGBTQ, po ashtu edhe në favor të pajtimit real me popullsinë autoktone. Ai ka theksuar në mënyrë të veçantë se partia që ai drejton nuk është parti e ekstremistëve të djathtë dhe atyre që promovojnë gjuhën e urrejtjes apo racizmin. "Konservatorët janë një parti konvencionale, e moderuar dhe pragmatike - aq e vjetër sa Konfederata - parti e cila është vendosmërisht në qendër të politikës kanadeze," theksohet në letrën e O'Toole.

Sipas analistëve të politikës kanadeze, kjo deklaratë e papritur duket se ka ardhur si reagim i liderit konservator pas trazirave në SHBA në prag të transferimit të presidencës nga Trump te Biden, por edhe si përpjekje për të hedhur poshtë akuzat e Liberalëve në adresë të tij, sipas të cilave, O’Toole ka toleruar mbështetësit e Donald Trump brenda radhëve të partisë që drejton. Në akuzat e tyre Liberalët kanë sjellë si shembull një faqe konservatore në internet që pohonte se qeveria ka synime për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme, si dhe kanë përmendur një foto të deputetes Candice Bergen, ku ajo shihej që mbante një kasketë MAGA (Make America Great Again). Më pas rezulton që faqja në fjalë të jetë suprimuar.

Lideri Konservator Erin O'Toole

Po kështu, në letrën e Erin O'Toole dënohen trazirat e shkaktuara nga mbështetësit e Donald Trump dhe theksohet fakti që Konservatorët kanadezë besojnë në zgjedhje të lira dhe të ndershme, në një transferim paqësor të pushtetit, në shanse të barabarta për të gjithë dhe në një qeveri të përgjegjshme. Ai i ka akuzuar nga ana e tij Liberalët se po përpiqen të importojnë në Kanada politikat e frikësimit, ndarjes dhe dezinformimit që sipas tij lulëzojnë në Shtetet e Bashkuara, duke iu referuar në veçanti vendimit të Kryeministrit Justin Trudeau për nderprerjen e sesionit parlamentar verën e kaluar.

“Nëse Liberalët duan të më portretizojnë mua si dikush i pozicionuar në ekstremin e djathtë, le ta bëjnë” - shkruhet me tej në letër - por kanadezët janë të zgjuar dhe ata do ta kuptojnë se kjo është një përpjekje për t’i mashtruar dhe për t’i frikësuar ata me ato që ndodhën në Shtetet e Bashkuara” - konkludon në letër, ai që synon të bëhet kryeministri i Kanadasë në zgjedhjet e ardhshme që mund të mbahen me gjasë qysh këtë vit.

Sipas ish-strategut konservator Tim Powers, ky reagim ka qenë i domosdoshëm për t’i mbyllur rrugën përpjekjeve të partisë së Trudeau që ka tentuar t’i cilësojë konservatorët si adeptë të Donald Trump. Po kështu lëvizja e O’Toole është vlerësuar si një strategji për të rritur reputacionin dhe staturën e liderit të opozitës në sytë e qytetarëve dhe ridefinimin e imazhit të partisë para zgjedhjeve, pse jo edhe një tentative për t’u afruar me elektoratin “gri”, të pavendosurit.

Nga ana e tij, një nga ish-këshilltarët e Stephen Harper, Shuvaloy Majumdar, e ka përshëndetur deklaratën e Erin O'Toole, por në të njejtën kohë i ka paralajmëruar Konservatorët për faktin që Liberalët do përpiqen të përdorin trazirat e 6 Janarit në SHBA në favor të tyre. Sipas komenteve të ish-këshilltarit të Harper, mësohet që ka patur elementë populistë të cilët tashmë janë larguar nga kampi Konservator për t'u bashkuar me Partinë Popullore të Kanadasë dhe kjo, ka rekomanduar ai, duhet ta nxisë Erin O’Toole të afrojë një pjesë akoma më të madhe të elektoratit gjithmonë duke i qëndruar besnik principeve ekonomike të partisë që drejton.

Deputeti Derek Sloan

Ndërkohë është njoftuar para pak orësh që Erin O’Toole ka ndërmarrë hapat për të përjashtuar deputetin Derek Sloan nga grupi i tij parlamentar. Ky i fundit gjithashtu nuk do të ketë të drejtë të kandidojë nën siglën e Konservatorëve në zgjedhjet e ardhshme. O'Toole e bëri njoftimin disa orë pasi u zbulua se Sloan, gjatë garës për kreun e partisë vitin që shkoi kishte pranur donacion nga një individ i cili e deklaron veten si "nacionalist (supremacist) i bardhë".

"Pranimi nga Derek Sloan i një dhurate prej një supremacisti të bardhë të deklaruar si i tillë, është shumë më keq sesa një gabim i rëndë në gjykim" pohoi lideri konservator. “Racizmi është një sëmundje e shpirtit, e papajtueshme me vlerat tona thelbësore. Në vendin tonë nuk ka vend. Nuk ka vend as në Partinë Konservatore të Kanadasë. Nuk do ta toleroj”, ka insistuar ai.

Gjithsesi, O’Toole nuk mund ta përjashtojë deputetin Sloan vetëm me vendimin e tij. Sipas rregullave, janë anëtarët e grupit parlamentar ata që do vendosin me një votim të fshehtë për fatin e njërit prej kolegëve të tyre. Derek Sloan, deputet i zones elektorale Hastings-Lennox-Addington në Ontario, u rendit i katërti në garën e lidershipit konservator. Gjatë gjithë fushatës, duke iu rferuar lirisë së shprehjes, ai pat bërë disa deklarata të diskutueshme, të cilësuara nga shumë komentues si të afërta me homofobinë dhe racizmin. Ai është deklaruar gjithashtu kundër abortit.

Kujtojmë që ish-Ministri i Veteranëve në qeverinë e Stephen Harper, ish-oficeri i Royal Canadian Air Force, avokati dhe deputeti federal i Torontos, 47 vjeçari Erin O'Toole, u zgjodh Gushtin e kaluar kryetar i Partisë Konservatore të Kanadasë. Ai fitoi 57% të votave në raundin e tretë në përballjen me Peter MacKay, ky i fundit i konsideruar si favoriti i garës pas doreheqjes së Andrew Scheer.

©Flasshqip.ca