Kanada

Një ndodhi tragjike e një tjetër frymëzuese në Montréal - Nga Taulant Dedja

  • Published in Kanada

 Taulant Dedja

1.

Të dielën e kaluar, Raphaël André, një autokton i pastrehë pesëdhjetë e një vjeçar, u gjend i vdekur nga të ftohtit, brenda një tualeti portativ, diku në qendër të Montréal. Vetëm dy hapa larg një strehimoreje 24/7 për homeless me emrin “Porta e hapur” (La Porte Ouverte), derën e të cilës e gjeti mbyllur. Ironi më shumë se e hidhur. Ironi tragjike. Ta gjesh derën mbyllur te “Porta e hapur” që presupozohet të jetë e tillë 24/7. Derë e mbyllur për shkak të urdhërave administrativë që s’u del shpesh kush për zot, apo aplikimit të direktivave më së shumti të paqarta me metodën “check the box”.

Raphaël, është viktima kolaterale e radhës e COVID-19 në metropolin frankofon, kur prej fillimit të Janarit, si në gjithë provincën, është vendosur ndalim-qarkullimi nga ora tetë e darkës deri në pesë të mengjesit. Ai sigurisht është druajtur nga kontrolli policor dhe është fshehur ashtu si ka mundur.

Raphaël André

Homeless (të pastrehët të cilët shpesh e zgjedhin këtë si mënyrë jetese) është fakt i njohur dhe rreth tij janë bërë e vazhdojnë të bëhen studime. Ekzistojnë madje dhe strategji qeveritare. Për rastin në fjalë, nuk dua të hyj në analizën e historisë personale të viktimës fatkeqe, as në atë të autoktonëve dhe diskriminimit që ata ende për turpin e të gjithëve vazhdojnë ta vuajnë. Ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte ping-pongu i autoriteteve shtetërore, që shpesh ngjarje të tilla i shfytëzojnë për përfitime apo shfajësime politike.

Në një anë kryebashkiakja e Montréal, Plante, që i kërkoi kryeministrit të provincës, Legault, t’i përjashtojë homeless nga rregulli i ndalim-qarkullimit (në territorin e saj "Porta e hapur" u gjet e mbyllur), e nga ana tjetër ky i fundit që i përgjigjet në distance, që s’mund ta bëjë një gjë të tillë, sepse cilido mund të dalë pastaj natën e t’i deklarojë policisë që është i pastrehë. Thua kaq të paaftë të jenë policët e Montréal, të mos e identifikojnë dot cili është me të vërtetë homeless?

Edhe pse u përpoq disi ta korrigjojë gafën e tij një ditë më vonë, duke shprehur gjoja empati për këtë shtresë vulnerabël të shoqërisë tonë, kryeministri ynë për fat të keq, pavarësisht faktit që mund të jetë lart në sondazhe, sipas meje tregoi një shkallë gjykimi shumë bardh e zi, për të mos thënë mungesë logjike arsyetimi.

Masat shtetërore, rregullat dhe procedurat, nuk mund të kenë asnjëherë të njejtin impakt për të gjitha shtresat e popullsisë, sepse ende ka disnivele për shumë arsye. Për disa shtresa ato mund të jenë me shumë efekt pozitiv, ndërsa për të tjera mund të provokojnë rezultate tragjike. Raphaël André, ndërkohë humbi jetën, në një tualet portativ, në kushte aspak dinjitoze, jo për atë vetë, por në kushte aspak dinjitoze për gjithë shoqërinë ku jetojmë. R.I.P. Raphaël André!

2.

Fundjavën e kaluar Montréal dhe rrethinat përjetuan stuhinë e parë të dëborës në këtë dimër të pazakontë. Duke ndjekur kronikën e lajmeve në TVA, ku mësova fundin tragjik të autoktonit Raphaël André, dëgjova më pas edhe historinë tejet frymëzuese të një qytetari 65 vjeçar me banim në Mirabel, tashmë në pension. Ai quhet Donald Hargray.

Dy ditë me radhë teksa dëbora vazhdonte të binte, Donald zgjodhi mënyrën e tij origjinale për të shprehur mirënjohjen dhe falenderimet ndaj personelit të fushës së shëndetësisë që po sakrifikon kaq shumë në këto kohë të vështira pandemie.

I pajisur me të gjitha mjetet e domosdoshme, në sheshin e parkingut të spitalit në Saint-Jérôme, ai pastroi përgjatë dy ditëve nga dëbora rreth 200 automjete që i takonin personelit. Kësisoj, pas orëve të mundimshme, në përfundim të turnit, punonjësit e spitalit në fjalë janë përballur me këtë surprizë të këndshme, që u ka kursyer atyre disa minuta shtesë lodhjeje për shkak të kapriçove të stinës së dimrit.

Donald Hargray

Donald Hargray është mbuluar me falenderime dhe me shumë dinjitet ka refuzuar çdo gjë me vlerë materiale që disa kanë dashur t’i ofrojnë në shenjë mirënjohjeje. “Nuk e kam bërë gjestin tim aspak për publicitet” - është shprehur ai – “thjesht kam shpresuar që nëse të tjerë do e dëgjojnë këtë histori, do nxiten për të bërë të njejtën gjë, sepse spitale ka kudo dhe një situatë si kjo e COVID mbi të gjitha ka nevojë për shumë solidaritet”.

***

Pas evokimit të këtyre dy ngjarjeve në kontrast të plotë me njera-tjetrën, le të shpresojmë e urojmë që fatin tragjik të Raphaël André të mos e ketë më askush! Le të shpresojmë që ngjarje të tilla sadopak të bëhen edhe mësim për ata të cilët marrin vendime që prekin gjithë shoqërinë ku jetojmë. Le të shpresojmë që “portat e hapura” të jenë gjithmonë të hapura e që mes nesh të ketë sa më shumë “Donald Hargray”.

Edhe kur COVID të kalojë, do kemi gjithmonë nevojë për solidaritetin njerëzor. Disi e kishim harruar këtë ndjenjë, kush më shumë e kush më pak, duke rendur pas përditshmërisë apo duke “jetuar” online. Ironikisht duket se u desh COVID që të ridimensionohej solidariteti. Mbase nuk thonë kot që çdo e keqe e ka edhe një të mirë…

©Taulant Dedja