Kanada

Kanadaja shton “Proud Boys” në listen e organizatave terroriste

Sipas raportimeve të Radio Canada dhe agjencive të tjera të lajmeve, “Proud boys” do t'i shtohen listës zyrtare të organizatave terroriste, të konsideruara si të tilla bazuar në ligjet e Kanadasë. Kështu ka vendosur sot pasdite Dhoma e Komunave pas votimit unanim të një mocioni të propozuar nga lideri i NDP Jagmeet Singh. Ky i fundit gjithashtu kërkoi që qeveria të përdorë të gjitha mjetet në dispozicion për marrjen e masave adekuate ndaj grupeve që nxisin dhunën dhe veçanërisht për pengimin e përhapjes së tyre.

Lideri i NDP Jagmeet Singh

Në faqen e internetit te Neodemokratëve, ku publikohet teksti i mocionit, sillet ndër të tjera si argument fakti qe “Proud Boys”, të nxitur nga deklaratat e Donald Trump, e intensifikuan veçanërisht shprehjen e urrejtjes në fillim të viti 2021 dhe një pjesë e tyre u bashkuan me grupe të armatosura në sulmin terrorist ndaj Kapitolit të SHBA.

Sipas NDP, duhet konsideruar si alarmant fakti që bashkëthemeluesi i “Proud Boys” është me origjinë kanadeze, duke iu referuar shkrimtarit dhe komentatorit televiziv Gavin McInnes (lindur në Angli dhe rritur e shkolluar në Ottawa), i cili e krijoi këtë grup në 2016 dhe shpalli krijimin e një seksion kanadez qysh në atë periudhë.

Bashkëthemeluesi i “Proud Boys” Gavin McInnes

Po kështu, disa muaj përpara miratimit të mocionit të sotëm në Dhomën e Komunave, Kabineti i Ministrit të Sigurisë Publike pat deklaruar gjithashtu që “Proud Boys” ishin nën mbikëqyrje të rreptë duke u konsideruar si njeri ndër grupet ekstremiste më të motivuara ideologjikisht. Ndërkohë futja e grupit në listën e organizatave të konsideruara si terroriste nënkupton shume më tepër se sa mbikëqyrje.

E krijuar pas sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 mbi Kullat Binjake në Shtetet e Bashkuara, lista e organizatave terroriste përfshin më shumë se 50 të tilla. Gjithashtu në Kodin Penal Kanadez parashikohen dënime të rënda ndaj atyre që ndihmojnë kryerjen e akteve ekstremiste.

Ministri i Sigurisë Publike Bill Blair

Sipas atasheut të shtypit të Ministrit të Sigurisë Publike Bill Blair, vendimi për të shtuar një organizatë në listën e organizatave terroriste, nuk është aspak një vendim politik. Ky vendim bazohet në informacionet e shërbimeve inteligjente dhe provat e mbledhura nga agjencitë kanadeze të sigurisë kombëtare.

©Flasshqip.ca