Kanada

Justin Trudeau deklaron që vaksina COVID-19 do prodhohet edhe në Kanada

  • Published in Kanada

Ottawa - Kryeministri kanadez Justin Trudeau deklaroi sot arritjen e një marrëveshjeje me kompaninë farmaceutike amerikane Novavax për prodhimin e dhjetra milionë dozave të vaksinës anti COVID-19 në vend, pasi ky tip vaksine të marrë çertifikimin nga Health Canada. Kjo është marrëveshja e dytë me Novavax pas asaj të Janarit, që parashikon blerjen e 52 milionë dozave me klauzolën shtesë të 24 milion të tjerave.

Vendi i prodhimit me kapacitet dy milion vaksina në muaj parashikohet të jetë në ambientet e reja të Këshillit Kombëtar të Kërkimit Shkencor Kanadez në Montréal, për ndërtimin e të cilave qeveria federale vuri në dispozicion 126 milion dollarë Gushtin e vitit të kaluar.

Ndërkohë Novavax, pas studimit klinik të fazës 3 ka deklaruar që produkti i saj i marrë në dy doza është efektiv deri në masën 89,3%. Koha e përafërt e fillimit të prodhimit në Montréal parashikohet vera e ardhshme, çka gjithsesi nuk jep garanci nëse do të realizohet apo jo angazhimi i qeverisë Trudeau për t’u dhënë mundësinë të gjithë kanadezëve që dëshirojnë, ta marrin vaksinën brenda Shtatorit 2021. Parashikimi për Shtatorin u bë mbi bazën e furnizimeve të parashikuara të vijnë nga Pfizer-BioNTech dhe Moderna, të vetmet vaksina të miratuara për momentin nga Health Canada.

Kryeministri kanadez pohoi gjithashtu zhvillimin e kapaciteteve të tjera prodhuese në muajt në vazhdim edhe në Vancouver të British Columbia e Saskatoon të Saskatchewan, duke i vlerësuar këto si investime për të ardhmen, për faktin që nuk ka asnjë garanci se kur mund të kontrollohet plotësisht pandemia COVID-19.

Precision NanoSystems me qendër në Vancouver po punon për prodhimin e një vaksine që për momentin është vetëm në fazën e vlerësimeve paraklinike. Në se çdo gjë shkon sipas parashikimeve, struktura e saj prodhuese mendohet të jetë e aftë të ofroje deri në 240 milion doza në vit. Qeveria kanadeze ka investuar 25 milion dollarë për këtë projekt.

Sipas kryeministrit kanadez, edhe Qendra Ndërkombëtare e Kërkimit për Vaksinat dhe Sëmundjet Infektive e Universitetit të Saskatchewan (VIDO-InterVac) me një mbështetje prej 46 milion dollarë nga Ottawa, gjithashtu planifikon të ndërtojë pajisje për të prodhuar deri në 40 milion doza të vaksinave në vit. Gjithsesi, kjo qendër sapo e ka marrë dritën jeshile nga Health Canada për fillimin e fazes së parë të provave klinike dhe produkti i saj mendohet se mund të jetë gati ndofta në Dhjetor 2021.

Siç dihet, Kanadaja aktualisht është plotësisht e varur prej prodhimit të vaksinave nga vendet e tjera dhe për këtë arsye, në një lloj mënyre është në mëshirën e masave proteksioniste që këto vende mund të vendosin. Sipas ekspertëve imunologë, perspektiva që Novavax apo kompani të tjera, të prodhojnë vaksina në Kanada është një mundësi për ta mbrojtur vendin nga efektet e proteksionizmit ndërkombëtar.

Pikërisht në këtë kontekst pasigurie, qeveria pat vendosur së fundi t’i paguajë 173 milion dollarë firmës biofarmaceutike Medicago me bazë në Québec për kërkime me synim prodhimin e një vaksinë kundër COVID-19 dhe ndërtimin e një fabrike prodhimi po në Quebec. Nëse kjo vaksinë do të rezultojë efektive, së pari do të prodhohet në Shtetet e Bashkuara, në një fabrikë në Karolinën e Veriut, por më pas mund të prodhohet edhe në Quebec.

Duke gjykuar afatet e njoftuara, deklarimi i sotëm i kryeministrit Trudeau tingëllon më shumë si një tentativë për të amortizuar valën e kritikavë të ardhura nga opozita që vunë në dyshim aftësinë e qevërisë për të siguruar në kohë dozat e mjaftueshme, për shkak të varësisë nga kontratat me Pfizer-BioNtech dhe Moderna, të cilat për arsyet të problemeve që kanë patur me kapacitetet e tyre prodhuese zvogëluan dhe sasinë e furnizimeve në Kanada.

Pavarësisht nga vështirësitë e furnizimit të javëve të fundit që kanë shkaktuar jo pak pakënaqësi në provinca (kujtojmë veçnërisht reagimet e Doug Ford dhe François Legault në Ontario e Québec), qeveria federale ka pohuar përsëri sot që do të marrë furnizim në sasinë 4 milion doza nga Pfizer-BioNTech dhe 2 milion doza nga Moderna brenda muajit Mars.

©Flasshqip.ca