Kanada

Java kanadeze - Lajme shkurt

Ottawa - Të hënën e kaluar, pas propozimit nga Partia Konservatore, Dhoma e Komunave miratoi unanimisht një mocion sipas të cilit, trajtimi që ushtron Republika Popullore e Kinës ndaj Ujgurëve konsiderohet si “genocid”. Mocioni i deputetëve kanadezë i ka bërë gjithashtu thirrje Komitetit Olimpik Ndërkombëtar të ndryshojë vendorganizimin e Lojërave Olimpike të vitit 2022, nëse Kina nuk do ndryshojë qëndrim. Kryeministri Trudeau dhe anëtarët e tjerë të kabinetit kanë abstenuar gjatë votimit, veprim taktik ky i nxitur nga situata delikate dimplomatike mes Pekinit dhe Ottawa-s. “Provokacion i ulët” dhe “gjest i turpshëm” është konsideruar mocioni nga Ambasada Kineze në Kanada. Nuk përjashtohet fakti që si kundërpërgjigje Kina të ushtrojë edhe raprezalje të karakterit ekonomik.

Lideri konservator Erin O'Toole

 

Halifax - Iain Rankin u betua të martën si kryeministër i provincës Nova Scotia duke zëvendësuar në këtë post Stephen McNeil. Ceremonia në prezencë të Lejtënant-Guvernatorit Arthur J. LeBlanc dhe në përputhje me rregullat anti-Covid, u zhvillua në Qendrën e kongreseve të Halifax. 37 vjeçari Rankin, i zgjedhur në krye të Liberalëve të Nova Scotia më 6 Shkurt, do të jetë kryeministri i 29-të i provincës që ndodhet buzë Oqeanit Atlantik. Ai ka premtuar një qeverisje transparente dhe të angazhuar për mbrojtjen e mjedisit.

Iain Rankin

 

Québec - Qeveria e François Legault ka krijuar një post të ri ministror dedikuar luftës kundër racizmit. Posti i ministrit për luftën kundër racizmit i është besuar Benoit Charette, që do të vazhdojë të drejtojë gjithashtu dikasterin e Ambientit. Detyra e tij parësore do të jetë vënia në zbatim e rekomandimeve zyrtare të Grupit të Veprimeve kundër Racizmit. Në konferencë shtypi të mërkurën, Ministri Charette ka deklaruar që kjo temë ka qenë gjithmonë shumë e rëndësishme për atë personalisht dhe është angazhuar të kontribuojë që Quebéc të bëhet një shoqëri akoma më e hapur dhe më gjithpërfshirëse. Ashtu si shefi i tij Legault, Charette bën pjesë në grupin e politikanëve që nuk besojnë që racizmi në Québec është sistemik, por përkundrazi, sistemi është i tillë që i mbron të gjitha shtresat e shoqërisë. Emërimi i tij është pritur me reagime të ndryshme, madje në disa raste negative apo mosbesuese, qoftë nga komentatorët e mediave, qoftë nga grupe të ndryshme interesi.

Benoit Charette

 

Ottawa - Shefi i Neodemokratëve (NDP) Jagmeet Singh. ka deklaruar këtë javë që për sa kohë do të zgjasë situata e Pandemisë Covid-19, partia e tij nuk do të bëhet shkak për provokimin e zgjedhjeve të parakohshme. Ai e ka ripërsëritur angazhimin për ta ndihmuar qeverinë Trudeau në çdo rast votëbesimi, edhe pse Liberalët nuk mbështetën një projekt-ligj neodemokrat që synonte vënien në zbatim të një programi universal sigurimi medikamentesh. Projekti mori gjithsej 32 vota pro dhe 295 vota kundër nga Liberalët, Konservatorët dhe Blloku i Québec-ut sëbashku. Ndërkohë, në muajt e ardhshëm qeveria duhet të paraqesë për miratim buxhetin e ri dhe nëse nuk merr mbështetjen e njerës nga partitë e opozitës vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Lideri Neodemokrat Jagmeet Singh

 

Edmonton - Violet King ka qënë e para juriste black e diplomuar në Alberta (1953) dhe avokatja e parë black në Kanada që e mori këtë titull në vitin 1954 pranë Dhomës së Avokatëve në Alberta. Prej ditës së Premte, 26 Shkurt, hapësira publike përpara godinës së qeverisë federale në Edmonton do të mbajë emrin e saj. Ky shesh më parë quhej Federal Building Place. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Multikulturalizmit dhe Çështjeve të Grave e qeverisë së Alberta-s, Leela Aheer. Me origjinë nga Calgary, Violete King (1929-1982) është vlerësuar si një lidere e lindur dhe pioniere e afirmimit të komunitetit black në Kanada. Përveç karrierës si avokate penaliste, si konferenciere ajo ka milituar për të drejtat e grave dhe ka qenë gjithashtu zyrtare e lartë e Ministrisë kanadeze për Shtetësinë dhe Emigracionin.

Violet King (1954)

 

Toronto - Bashkia e Torontos ka njoftuar sot që në bashkëpunim me institucionet e Shëndetit Pubik do të fillojë gjatë javës së ardhshme vaksinimin anti-COVID të personave pa banesë stabël që frekuentojnë sistemin e qendrave bashkiake të strehimit. Kësisoj, ky grup personash në situate të vështirë do të përfshihet si prioritar qysh në fazën 1. Projekti-pilot i parashikuar në muajin Janar për këtë kategori pat dështuar për shkak të mungesës së furnizimit të mjaftueshëm me vaksina.

 

Fredericton - Qeveria e provincës New Brunswick, përmes kryeministrit Blaine Higgs, ka njoftuar të Premten 26 Shkurt, emërimin e dy komisionerëve që do të mbikëqyrin procesin e rishikimit të ligjit “Për Gjuhët Zyrtare”. Dy komisionerët e sapoemëruar janë Yvette Finn, gjyqtare e Gjykatës Provinciale dhe John McLaughlin, ish-zëvendësministër i Arsimit. Shoqata Akadiene, përfaqësuese e komunitetit frankofon të New Brunswick, ka përshëndetur emërimin e dy komisionerëve nga qeveria provinciale.

John McLaughlin dhe Yvette Finn

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio Canada