Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 7 Mars

Provincat kërkojnë rritje të transfertave në shëndetësi. Kreu i ushtrisë deklaron se duhet të ndryshojë mënyra e sjelljes së ushtarakëve. Ishulli Halibut në Vancouver i kthehet autoktonëve. Në Ontario faza e parë e vaksinimit do përfundojë më 20 Qershor. Mbi 353,000 operacione dhe konsulta mjekësore të shtyra gjatë 2020 për shkak të COVID-19. Kanadezët kampionët e shpërdorimit ushqimor në Amerikën e Veriut. Gjatë vitit 2020 shifra e mashtrimit përmes Internet arriti në 62,6 milion dollarë. Lexoni me poshtë…

François Legault duke drejtuar Këshillin e Federatës

Québec - Përmes një takimi virtual që u drejtua nga François Legault, kryeministër i Quebéc dhe president i Këshillit të Federatës, kur morën pjesë dhe kryeministrat e tjerë të provincave, provincat dhe territoret, sistemet shëndetësore të të cilave janë goditur rëndë nga pandemia, në mënyrë të përsëritur i kanë bërë thirrje njëzëri qeverisë Trudeau që të rishikojë masën e transfertave të sektorit të shëndetësisë. Sipas opinionit të krerëve të qeverive provinciale, tani më shumë se kurrë këto transferta duhet të rriten, në mënyrë që qytetarët të marrin kujdesin shëndetësor në kohën dhe nivelin e duhur. Me konkretisht qeverisë i kerkohet që në buxhetin e ardhshëm masa e kontributit federal të kalojë nga 22% në 35%, çka në shifra përkthehet që shuma e transferuar nga Ottawa në favor të provincave, të rritet me 20 miliard dollarë, pra nga 42 miliard që është aktualisht, të shkojë në 70 miliard. Iniciatorët kryesorë për ketë kërkesë kanë qënë kryeministrat e Ontario dhe Québec. Deri tani kërkesën e mbështet NDP dhe Blloku i Québec, ndërsa konservatorët, pa përmendur shifra, janë shprehur të gatshëm që nëse do marrin drejtimin e qeverisë do diskutojnë me qeveritë provinciale për ta zgjidhur këtë çështje brenda 100 ditëve të para të mandatit.

Gjeneral Lejtënant Wayne Eyre

Ottawa - Ushtruesi i Detyrës së Shefit të Shtabit të Ushtrisë ka pranuar ekzistencën e problemeve në raport me etikën e sjelljes brenda Forcave të Armatosura Kanadeze dhe ka bërë thirrje për një "ndryshim në kulturën ushtarake". Në një letër të hapur drejtuar anëtarëve të Forcave të Armatosura dhe familjeve të tyre, Gjeneral Lejtënant Wayne Eyre ka pranuar që "disa sjellje dhe qëndrime janë më shumë se shqetësuese”, por njëherazi ka shprehur besimin që situata mund të kapërcehet. Në letrën e tij, Gjenerali Eyre nuk e ka përmendur Admiralin Art McDonald, i cili ka hequr dorë vullnetarisht nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa policia ushtarake po heton pretendimet ndaj tij që ende nuk janë specifikuar. Nuk ka përmendur gjithashtu as gjeneralin Jonathan Vance, paraardhësin e McDonald, i cili është gjithashtu nën hetim pas akuzave për sjellje të papërshtatshme. Në letrën e publikuar përmes Twitter, gjenerali Eyre ka theksuar megjithatë se ka shumë gjëra për t’u admiruar te Forcat Ushtarake Kanadeze, duke renditur profesionalizmin, vetëmohimin, guximin, sakrificën dhe përkushtimin që pjestarët e saj kanë demonstruar dhe vazhdojnë të demonstrojnë.

Ishulli Halibut

British Columbia - Përmes një akti të konsideruar si historik, ishulli Halibut prej 9.67 ha iu kthye në pronësi popullsisë autoktone Saanech të pjesës Jugore të Vancouver, që përbëhet nga fiset Tsartlip, Tseycum dhe Tsawout. Kjo u bë e mundur përmes një donacioni prej 1,5 milion dollarë. Ideja erdhi nga Dr. Tara Martin, profesoreshë e Fakultetit të Pylltarisë në Universitetin e British Columbia. Kur ishulli u vu në shitje, ajo menjëherë perceptoi një mundësi për të mbrojtur një perlë kulturore dhe ekologjike dhe për t'ia kthyer atë popullsisë autoktone. Ishte vetë Tara Martin që koordinoi mbledhjen e fondeve për blerjen e ishullit. “Shumë shpesh, këta ishuj bëhen një parajsë private për individë shumë të pasur që nuk e kuptojnë rëndësinë e tyre kulturore dhe ekologjike” - i ka deklaruar ajo Radio Canada. Sipas shkencëtares, disa ishuj po kthehen në terrene golfi dhe kësisoj po humbasin ekosisteme të mrekullueshme.

Toronto - Kryeministri Doug Ford dhe gjenerali në pension Rick Hillier, i cili kryeson grupin e shpërndarjes së vaksinave COVID-19 në Ontario, kanë deklaruar që brenda 20 Qershorit të gjithë qytetarët e provincës që dëshërojnë, do kenë mundësi të vaksinohen. Megjithatë Ontario ende mbetet prapa Québec apo provincave të tjera sepse programi i marrjes së takimeve online për moshat 80 vjeç e lart do të fillojë aty më 15 Mars. Gjenerali Hillier e ka justifikuar këtë situate me mungesën e dozave, shkaktuar ndër të tjera edhe nga vonesat në shpërndarjen e vaksinave nga Pfizer-BioNTech. Furnizimi me doza pritet të shtohet me prurjet nga AstraZeneca dhe pas miratimin nga Health Canada të vaksinës se prodhuar nga Johnson&Johnson.

Ontario - Një raport i publikuar ditët e fundit nga qendra e studimit dhe kërkimit SecondStreet.org pohon se më shumë se 353,000 operacione dhe konsulta mjekësore me specialistë janë shtyrë në 10 provincat kanadeze që nga fillimi i pandemisë. Sipas raportit, i cili nuk merr në konsideratë territoret, këto vonesa u kanë kushtuar jetën disa pacientëve. Të dhënat e siguruara nga SecondStreet.org bazuar në të drejtën e aksesit tek informacioni, thonë se të paktën 205,549 procedime u vonuan në 9 nga 10 provincat kanadeze. Vetëm provinca e Ontario nuk ka mundur të prodhojë të dhëna të sakta në këtë drejtim, por gazeta e Shoqatës Mjekësore Kanadeze (CMAJ), megjithatë, informon se kjo provincë ka shtyrë 148,364 operacione, duke e çuar numrin e përgjithshëm të operacioneve të vonuara, procedurave dhe konsultave në provincat kanadeze në 353,913. “Kur u shfaq COVID-19, qeveritë shtynë qindra mijëra operacione, procedura dhe konsulta me specialistë që nuk kishin lidhje me COVID-19” ka deklaruar për Radio Canada presidenti i SecondStreet.org, Colin Craig. Sipas tij, përveç fryrjes së listave të pritjes, “kjo ka shkaktuar shumë vuajtje për pacientët dhe madje në disa raste edhe vdekjen e tyre”.

Ottawa - Sipas një studimi të OKB, Kanadaja është kampion i shpërdorimit të ushqimit në Amerikën e Veriut, shumë më përpara se Shtetet e Bashkuara. Studimi të cilit i referohet Radio Canada pohon që çdo kanadez hedh mesatarisht 79 kg (175 bs) ushqim në vit, që është 20 kg (44 bs) më shumë se mesatarja e Amerikës. Në 2019, tre milion ton ushqim përfundoi në plehra në Kanada. Raporti i përgatitur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) e vlerëson sasinë e ushqimit të humbur në të gjithë botën në vitin 2019 në gati një miliard ton. Mbeturinat individuale, të cilat vijnë nga familjet, përfaqësojne shumicën më të madhe të këtij shpërdorimi. Në rang botëror, rreth 20% e ushqimit të prodhuar ka përfunduar në plehëra. Megjithatë ky problem nuk prek vetëm vendet e pasura. Të dhënat për vitin 2019 u mblodhën në 54 vende, të zhvilluara apo me të ardhura të ulëta. Të dhënat u referohen shitjeve me pakicë, restoranteve dhe familjeve dhe sipas kalkulimeve, 931 milion ton ushqime shkojnë dëm. Sipas OKB, gati 700 milion njerëz në të gjithë botën vuajnë nga uria dhe 3 miliardë nuk kanë qasje në ushqim të shëndetshëm. Popullsia e botës aktualisht arrin në rreth 7.8 miliard.

Ottawa - Sipas Qendrës Kanadeze Anti-Mashtrim, kanadezët që po përdorin më shumë shërbime në Internet gjatë Lockdown që u provokua nga pandemia COVID-19, po shndërrohen gjithnjë e më shumë edhe në viktima të mashtrimeve digjitale. Kjo ka qenë dhe arsyeja që mashtrimi në Internet ka qenë tema kryesore e Muajit të Parandalimit të Mashtrimit këtë vit. Byroja e Konkurencës po punon së bashku me Policinë Mbretërore Kanadeze (RCMP) dhe Qendrën Kanadeze Anti-Mashtrim (CAFC) për të rritur efikasitetin e luftës në këtë drejtim Statistikat nga CAFC tregojnë se kanadezët humbën më shumë se 106 milion dollarë si rezultat i mashtrimeve në vitin 2020. Nga kjo shumë, 62.6 milion dollarë erdhën nga mashtrimi në Internet. Ndikimi aktual ka të ngjarë të jetë shumë më i madh, pasi CAFC vlerëson se vetëm 5% e mashtrimeve raportohen nga qytetarët. Sigurisht pandemia ka krijuar një mjedis akoma më të favorshëm për mashtrimet financiare.

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio Canada