Kanada

Java kanadeze 14 Mars 2021 - Lajme shkurt

  • Published in Kanada

Québec eviton me ligj vakuumin e pushtetit mbretëror

Liberalët diskutojnë idenë e të ardhurave minimale të garantuara

COVID-19 ka rritur diskriminimin ndaj grave autoktone

Peshkopë katolikë kundra vaksinave Johnson & Johnson dhe AstraZeneca

Justin Trudeau jep sinjale për zgjedhje të parakohshme

Bashkëpunim Kanada-SHBA për zonën e Arktikut

Rifillojnë fluturimet nga Toronto drejt aeroporteve të Newfoundland

Québec eviton me ligj vakuumin e pushtetit mbretëror

Provinca e Québec, përmes një ligji të miratuar të enjten e kaluar me 121 vota pro dhe asnjë kundër, i është bashkuar gjithë pjesës tjetër të Kanadasë duke i dhënë kësisoj fund vakuumit ligjor që mund të krijohej në se ky ligj nuk do ishte miratuar. Ligji i titulluar “Loi concernant la dévolution de la couronne” përfshin të gjitha rregullat që parashikojnë trashëgiminë e Monarkisë britanike. Megjithëse kjo temë nuk ka miratim unanim nga të gjithë ekspertët konstitucionalistë, sipas juristëve të qeverisë, mungesa e një ligji të tillë mund të paralizonte funksionimin e shtetit të Québec. Nëse Mbretëresha vdiste para miratimit të projekt-ligjit, ekzekutivi (qeveria), legjislatura (Asambleja Kombëtare) dhe sistemi i drejtësisë (gjykatat) nuk mund të funksiononin më. Në thelb, asnjë shtet nuk ekziston pa një kryetar shteti.

Liberalët diskutojnë idenë e të ardhurave minimale të garantuara

Edhe pse ideja nuk është mbështetur asnjëherë me entuziazëm nga Kryeministri Trudeau, deputetë dhe aktivistët të Partisë Liberale në të gjithë vendin po diskutojnë gjithnjë e më tepër rreth propozimit për krijimin me ligj të një të ardhure minimale të garantuar universale. Kjo temë do të debatohet me përparësi në Konventën Kombëtare të Partisë Liberale të Kanadasë që do të mbahet në 9 dhe 10 Prill 2021. Nisur nga fakti që pandemia e ka çuar deficitin federal në stratosferë, propozimi nuk duket se ka shanse të kalojë përtej stadit të diskutimit.

COVID-19 ka rritur diskriminimin ndaj grave autoktone

Carolyn Bennet

COVID-19 ka amplifikuar efektet e diskriminimit sistematik ndaj grave autoktone në Kanada, ka deklaruar Ministrja e Marrëdhënieve me Autoktonët, Carolyn Bennett, gjatë një samiti virtual të organizuar nga qeveria federale, ku janë diskutuar rrugët për gjetjen e një përgjigje adekuate feministe ndaj pandemisë. Bennett ka pohuar gjithashtu që trashëgimia koloniale e Kanadasë ka luajtur rolin e saj negativ në këtë drejtim, që ka rezultuar në më shumë pushime nga puna, mungesë të mjediseve të kujdesit për fëmijët si dhe me një rritje të dhunës në familje. Sipas Ministres Bennett, barazia mund të arrihet vetëm duke siguruar mundësi të barabarta për të gjithë.

Peshkopët katolikë kundra vaksinave Johnson & Johnson dhe AstraZeneca

Peshkopët katolikë të Kanadasë kanë rekomanduar refuzimin e vaksinave të prodhuara nga Johnson & Johnson dhe AstraZeneca, sepse sipas tyre, procesi i prodhimit të këtyre vaksinave është i lidhur me qelizat që vijnë nga aborti. Ky argument është hedhur poshtë nga Johnson & Johnson që ka deklaruar se nga ana e kompanisë respektohen maksimalisht normat etike biomedikale dhe vaksina nuk përmban qeliza nga fetusi. Të njejtin qëndrim kanë mbajtur dhe aprovuesit e vaksinës në Kanada. Kundër deklaratës së peshkopëve katolikë u pozicionua edhe ministri i Shndetësisë së Québec, Christian Dubé por edhe të gjithë drejtuesit politikë të provincës.

Justin Trudeau jep sinjale për zgjedhje të parakohshme

Kryeministri Justin Trudeau nuk e ka përjashtuar mundësinë e vajtjes në zgjedhje të parakohshme në Qershorin e ardhshëm, gjatë një interviste të mërkurën në mëngjes me Paul Arcand në valët 98.5 FM. Deklarata e tij iu është adresuar partive të opozitës, në mënyrë të veçantë Konservatorëve, duke kërkuar që të mos i sillen pengesa qeverisë në miratimin e projekt-ligjeve financiare. Sipas Trudeau, prioriteti i qeverisë së tij në minorancë mbetet ndihma ndaj qytetarëve për kapërcimin e situatës së vështirë ekonomike të shkaktuar nga pandemia COVID-19.

Bashkëpunim Kanada-SHBA për zonën e Arktikut

Me leje nga qeveria kanadeze, një anije akullthyese e Rojës Bregdetare të SHBA do të përdorë Kanalin Veriperëndimor për të kaluar nga Alaska në Groenlandë këtë verë. Inkursioni i akullthyeses “Healy” është pjesë e strategjisë për të forcuar praninë amerikane në detrat e Veriut. Zyrtarë kanadezë e konfirmuan të premten informacionin e dhënë një ditë më parë nga Admirali Karl Schultz, gjatë fjalimit të tij vjetor mbi situatën e Rojës Bregdetare të SHBA në San Diego të Kalifornisë. Sipas Marrëveshjes midis Qeverisë së Kanadasë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbi Bashkëpunimin Arktik, Shtetet e Bashkuara duhet të kërkojnë pëlqimin e Kanadasë për të lundruar në ujërat e Arqipelagut Arktik kanadez, ka deklaruar zëdhënësi i Global Affairs Canada Grantly Franklin. Sipas Franklin, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar gjithashtu lejen për të kryer kërkime shkencore në ujërat kanadeze dhe Ottawa është duke e shqyrtuar kërkesën në fjalë.

Rifillojnë fluturimet nga Toronto drejt aeroporteve të Newfoundland

Aeroportet e vogla në Newfoundland shpresojnë që rikthimi i fluturimeve të brendshme të kompanisë Sunwing mund t'u japë atyre një frymëmarrje gjatë verës së ardhshme. Duke filluar nga Maji, kompania do të ofrojë dy fluturime javore midis Gander dhe Toronto si dhe një fluturim midis Stephenville dhe Toronto dhe fluturime nga e hëna në të premte midis Saint John’s dhe Toronto në Qershor.

©Flasshqip.ca