Kanada

Java kanadeze 28 Mars - Lajme shkurt

Fuqizohet rrjeti i Internetit me shpejtësi të lartë në Québec

Qeveria e Ontarios paraqiti buxhetin e ri

Gjykata e Lartë i jep të drejtë qeverisë federale për taksën e karbonit

Qeveria federale transferon 4 miliardë dollarë për shëndetësinë te provincat

Liberalët e Andrew Furey fitojnë zgjedhjet në Newfoundland-Labrador

Saksionet e Kinës ndaj Kanadasë janë të papranueshme, deklaron Trudeau

1 i vdekur dhe 6 të plagosur në Vancouver, pas një sulmi me armë të ftohtë

 

Fuqizohet rrjeti i Internetit me shpejtësi të lartë në Québec

Një program prej 826 milion dollarësh i mbështetur nga Ottawa dhe qeveria Legault, parashikohet të realizojë deri në Shtator 2022 lidhjen e 150,000 banesave në Québec me rrjetin e Internetit me shpejtësi të lartë. Këtë njoftim e dhanë sëbashku Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau dhe Kryeministri i Québec, François Legault, nga qyteti Trois-Rivières. Të dy nivelet qeverisëse do të kontribuojnë në një masë të barabartë dhe në bashkëpunim me ofruesit e shërbimeve të Internetit si Videotron, Cogeco, Bell, Xplornet, Sogetel dhe TELUS. Sipas kryeministrit Trudeau, situata e Pandemisë dhe adaptimi i punës nga kushtet e shtëpisë e ka bërë lidhjen me Internet të shpejtësisë së lartë një domosdoshmëri jetike. Ky projekt i shtohet një të mëparshmi, i cili parashikonte të mbulonte 66,000 banesa me këtë lloj shërbimi. Kësisoj, në vjeshtën e vitit 2022, do të mbeten akoma për t’u përfshirë në një program shtesë edhe 36,000 banesa, numër që përfaqëson vetëm 1% të totalit të banesave në provincë.

 

Qeveria e Ontarios paraqiti buxhetin e ri

Sipas buxhetit të ri të paraqitur të mërkurën e kaluar, qeveria e Doug Ford parashikohet t'i rrisë akoma investimet për përballimin e situatës së shkaktuar nga COVID-19 dhe për të stimuluar rimëkëmbjen ekonomike në provincë. Shuma e investimeve, mbështetjes së drejtpërdrejtë dhe lehtësirave fiskale do të arrijë në 51 miliardë dollarë gjatë katër viteve në vazhdim. Qeveria Ford e ka parashikuar deficitin buxhetor për vitin e ardhshëm në 33.1 miliardë dollarë dhe ka planifikuar ta zvogëlojë këtë deficit gjatë dy viteve të ardhshme, për të arritur 27.7 miliardë dollarë në 2022-2023 dhe 20.2 miliardë dollarë në 2023-2024. Sipas ekspertëve të qeverisë, në skenarin më të keq, eliminimi i deficitit mund të zgjasë deri në 10 vjet ndërsa në skenarin më të mire ekuilibri mund të arrihet në vitin fiskal 2027-2028. Kujdesi shëndetësor do vazhdojë të mbetet portofoli më i shtrenjtë në buxhetin e Ontarios. Qeveria ka parashikuar një rritje prej rreth 2.9 miliardë dollarë në këtë sektor, për një total prej 64 miliardë dollarësh. Financimi për infrastrukturën është dyfishuar nga viti i kaluar, nga 691 milion dollarë në 2020-21 në 1.5 miliard dollarë në 2021-22. Sektori i arsimit, ndërkohë rritjen e fondeve do ta ketë nga 30.6 miliardë dollarë vitin e kaluar në 31.3 miliardë dollarë këtë vit. Rreth 120,000 biznese të vogla në Ontario, ndër më të goditurat nga Pandemia, parashikohet të marrin automatikisht një grant të dytë prej 10,000 deri në 20,000 dollarë në javët e ardhshme, një iniciativë kjo e nisur qysh në Janar 2021.

 

Gjykata e Lartë i jep të drejtë qeverisë federale për taksën e karbonit

Gjykata e Lartë e Kanadasë i dha të drejtë qeverisë federale, duke konfirmuar kushtetutshmërinë e taksës mbi karbonin. Një shumicë prej gjashtë gjyqtarësh i pranoi argumentet e Ottawa në këtë çështje të kundërshtuar nga tre provinca, Alberta, Ontario dhe Saskatchewan. Në arsyetimin e tij, kryegjyqtari Richard Wagner, nënvizoi rreziqet që vijnë nga ndryshimet klimatike dhe ka vlerësuar domosdoshmërinë e masave për zvogëlimin e efekteve të tyre. “Qasja ndaj ndryshimeve klimatike kërkon reagim kolektiv në rang kombëtar dhe ndërkombëtar, për shkak të faktit se, nga vetë natyra e tyre, elementët ndotës nuk njohin kufij”, lexohet në vendim. Gjykata e Lartë gjithashtu konfirmoi se ligji përkatës i qeverisë federale përben një element bazë sigurie në këtë drejtim dhe që nuk vendos detyrime të veçanta ndaj konsumatorëve apo industrive.

 

Qeveria federale transferon 4 miliardë dollarë për shëndetësinë te provincat

Ligji C-25 i paraqitur të enjten nga Ministrja Federale e Financave Chrystia Freeland, parashikon 4 miliardë dollarë transferta shtesë për provincat, për t'i ndihmuar ato të përballen me rritjen e shpenzimeve të kujdesit shëndetësor. Ottawa gjithashtu planifikon të shpenzojë edhe 1 miliard dollarë shtesë për të mbështetur operacionin e imunizimit ndaj COVID-19 në të gjithë vendin. Megjithëse ky është një lajm i mirë për provincat, të cilat prej kohësh reklamojnë një angazhim më të madh të nivelit federal, kjo ndërhyrje do të kryhet vetëm një herë specifikon Ligji C-25. Sipas provincave, kontributi aktual federal mbulon vetëm rreth 22% të kostos së kujdesit shëndetësor të tyre, ndërkohë që prej vitesh ka patur një marrëveshje në parim, që qeveria federale të mbulonte 50% të kësaj kostoje. Sipas Radio-Canada, shpërndarja e 4 miliardë dollarëve shtesë në provinca dhe territore do të jetë si vijon:

Ontario 1 550 487 000 $, Québec 902 412 000 $, British Columbia 541 788 000 $, Alberta 465 330 000 $, Manitoba 145 208 000 $, Saskatchewan 124 089 000 $, Nova-Scotia 103 022 000 $, New-Brunswick 82 196 000 $, Newfoundland-Labrador 55 009 000 $, Prince Edouard Island 16 792 000 $, Northwest Territories 4 756 000 $, Yukon 4 427 000 $ dhe Nunavut 4 124 000 $.

 

Liberalët e Andrew Furey fitojnë zgjedhjet në Newfoundland-Labrador

Andrew Furey

Pas një procesi të vonuar gati 10 javë nga Pandenmia COVID-19, më në fund liberali Andrew Furey i ka fituar zgjedhjet në provincën Newfoundland-Labrador. Liberalët fituan 48.2% të votave dhe me 22 deputetë, 3 më shumë se në legjislaturën e kaluar, do qeverisin tashmë në mazhorancë. Konservatorët arritën të marrin 13 deputetë, Neodemokratët 2, ndërsa tre deputetë u zgjodhën si të pavarur. Liberalët do vazhdojnë të përballen me problemet më të ngutshme, Pandeminë, sfidat buxhetore dhe rritjen e punësimit. Të ardhurat dhe punësimi në provincë kryesisht varen nga industritë e naftës dhe turizmit që tashmë ndodhen në vështirësi. Qeveria gjithashtu do të duhet të menaxhojë borxhin publik që është rritur konsiderueshëm për shkak të tejkalimit të kostove në projektin hidroelektrik të Falls Muskrat. Ndërkohë, lideri Konservator Ches Crosbie e humbi mandatin në zonën e tij elektorale me 534 vota përballë liberalit John Hogan. Edhe kryetarja e Neodemokratëve, Alison Coffin, gjithashtu humbi në zonën e saj me vetëm 53 vota përballë liberalit John Abbott.

 

Saksionet e Kinës ndaj Kanadasë janë të papranueshme, deklaron Trudeau

Kina iu kundëpërgjigj dje sanksioneve të shpallura në fillim të kësaj jave nga Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara. Sanksionet kineze përfshijnë disa personalitete nga këto vende, përfshirë deputetin konservator Michael Chong dhe deputetin e Bloc Québécois Alexis Brunelle-Duceppe. Deputetit të Ontarios Michael Chong do t’i ndalohet hyrja në territorin e Kinës, Hong Kong-ut dhe Macao-s, deklaroi Ministria e Jashtme e Kinës. Deputeti Chong është anëtar i Komisionit për Punët e Jashtme të Parlamentit dhe i Komisionit të Posaçëm për marrëdhëniet Kinë-Kanada. Kryeministri Justin Trudeau i cilësoi sanksionet kineze si të papranueshme. “Ato janë një sulm ndaj lirisë së shprehjes, transparencës dhe demokracisë. Kanadaja do vazhdojë të mbrojë të drejtat e njeriut në solidaritet me partnerët e saj ndërkombëtarë”, thuhej në deklaratën e djeshme të kreut të qeverisë kanadeze.

 

1 i vdekur dhe 6 të plagosur në Vancouver, pas një sulmi me armë të ftohtë

Metropoli i British Kolumbia është tronditur dje nga një krim, si pasojë e të cilit një person vdiq dhe gjashtë të tjerë u plagosën, pas një sulmi më armë të ftohtë që ndodhi në Bibliotekën Lynn Valley në pjesën veriore të Vancouver. I akuzuari tashmë i arrestuar, quhet Yannick Bandaogo, 28 vjeç, ndërsa viktima që humbi jetën ishtë një grua afërsisht në të njejtën moshë me vrasësin. Ende policia po vazhdon të mbledhë prova, të takojë dëshmitarë dhe të mbledhë imazhe filmike nga vendi ngjarjes, deklaroi zëdhënësi i ekipit të integruar për hetimin e vrasjeve, sergent Frank Jang. “Ne e dimë se çfarë ka ndodhur, ne e dimë se si dhe kur ka ndodhur. Detyra jonë tani është të zbulojmë pse. Kjo është pyetja kryesore për t'iu përgjigjur”, i ka pohuar ai sot Radio-Canada Në të njejtën kohë, policia po përpiqet të mësojë më shumë rreth të akuzuarit dhe marrëdhënieve të tij të mundshme me viktimat. Sulmi ndodhi në një zonë shumë të frekuentuar tregëtare të Vancouver-it Verior.

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio-Canada