Kanada

Java kanadeze 4 Prill - Lajme shkurt

Gjendet shëndoshë e mirë djali 3 vjeçar që humbi tre ditë në një pyll të Ontarios

Qeveria u kërkon ndjesë pasardhësve të pjestarëve të “Batalionit Black”

Bashkia e Regina rekomandon zhvendosjen e statujës së John A. McDonald

Denis Coderre do kandidojë sërish për kryetar bashkie në Montréal

Ottawa do rishikojë procesin e dëmshpërblimit të viktimave të rezidencave autoktone

Kanadaja zgjat edhe për një vit misionin ushtarak në Lindjen e Mesme

Qeveria federale investon për ndërtimin e një fabrike vaksinash gripi në Toronto

Masa të reja për mbrojtjen e balenave të zeza ne Gjirin e Saint-Laurent

 

Gjendet shendoshë e mire djali 3 vjeçar që humbi tre ditë në një pyll të Ontarios

 

Jude Leyton duke fjetur në spital - Foto Katherine Leyton/Twitter

E pazakontë historia e fëmijës tre vjeçar Jude Leyton, i cili mbijetoi tre ditë i vetëm, në një pyll në Lindje të provincës Ontario. Gjithçka filloi të dielën e kaluar ndërsa ai po ndihmonte gjyshin e tij, Chris Fisher, të përgatiste një lisharës. Vetëm disa sekonda mungesë vemëndjeje kanë mjaftuar që djaloshi të lëvizë dhe pas atij momenti, gjyshi menjëherë ka konstatuar mungesën e nipit. U përpoq fillimisht ta gjejë por më kot. Jude u zhduk në pyllin përreth shtëpizës së peshkimit familjar në Canoe Lake Road, në zonën e South Frontenac, rreth 50 kilometra në veri të Kingston. Menjëherë u organizua një operacion i gjerë kërkimi në një zonë të thyer kodrinore. Rreth 100 policë dhe vullnetarë, dy helikopterë, një ekip zhytjeje dhe katër skuadra qensh kërkimi kontrolluan shtigjet dhe gjithë sipërfaqet ujore përreth. Me kalimin e orëve, pas gati tre ditëve, familja thuajse i kish humbur shpresat për gjetjen e fëmijës dhe po përgatitej për më të keqen. Por mrekullia ndodhi, Jude u gjet shëndoshë e mirë rreth orës 3 pasditen e të mërkurës nga një ekip prej katër anëtarësh të Skuadrës së Reagimit ndaj Emergjencave të Policisë Provinciale të Ontario (OPP), teksa ata kontrollonin një pjesë kodrinore të pyllit përtej zonës kryesore të kërkimit. Djali i vogël dukej pak i trullosur dhe i dehidratuar, por ishte në gjendje të mirë fizike. E vështirë të përshkruhet se si ai ka rezistuar por duket se pulovri i tij prej leshi e kish mbajtur ngrohtë.  Oficerët i dhanë ujë, e mbështollën me batanije dhe më pas ai u bashkua me familjen e tij, përfshirë prindërit, Clayton dhe Katherine Leyton. Paramedics e çuan më pas Jude në Spitalin e Përgjithshëm Kingston, ku ai qëndroi dy ditë nën mbikëqyrjen e mjekëve.

 

Qeveria u kërkon ndjesë pasardhësve të anëtarëve të “Batalionit Black”

Sipas deklaratës së Ministrit të Mbrojtjes të Kanadasë, Harjit Sajjan, qeveria federale do t’u kërkojë falje për segregacionin pasardhësve të pjesëtarëve të Batalionit të 2-të të Ndërtimit. Siç njihet historikisht, qindra anëtarëve të komunitetit Black në Kanada iu mohua mundësia për t'u bashkuar me ushtrinë kanadeze kur ata dolën vullnetarë për të luftuar jashtë vendit në vitin 1914, në kohën e Luftës së Parë Botërore. Batalioni i 2-të i Ndërtimit, i njohur gjithashtu si “Batalioni Black”, u formua më 1916 për të mundësuar që anëtarët e komunitetit Black, të cilëve nuk u besohej arma, të shërbenin në punë publike, në rrugë, hekurudha dhe pyje. Pothuajse gjysma e anëtarëve të këtij batalioni ishin nga Nova Scotia. Në një ceremoni virtuale të zhvilluar të dielën e kaluar, Ministri Harjit Sajjan deklaroi se kjo ndjesë është e rëndësishme për të krijuar mundësinë që qytetarët e Kanadasë të njohin gabimet e së kaluarës. Ai pohoi se edhe pas më shumë se një shekulli, Kanadaja ende vuan nga efektet negative të racizmit.

 

Bashkia e Regina rekomandon zhvendosjen e statujës së John A. McDonald

Një raport i hartuar së fundi nga Bashkia e Regina në Saskatchewan, i ka rekomanduar këshillit bashkiak heqjen e statujës së ish-kryeministrit kanadez John A. Macdonald nga Victoria Park në qendër të qytetit. Kjo e fundit, sipas raportit, duhet të zhvendoset diku tjetër dhe nuk duhet të qëndrojë më në një hapësirë ku vazhdimisht zhvillohen manifestime publike. Administrata e Regina mendon që ekzistenca e kësaj statuje, veçanërisht vendndodhja e saj në Victoria Park, konsiderohet nga komunitetet autoktone si një relike e së kaluarës dhe nuk përputhet më vlerat e pajtimit të cilat sot janë pjesë e qënësishme e filozofisë së qytetit. Raporti erdhi si përgjigje ndaj protestave të verës së kaluar dhe një peticioni virtual që kërkonte heqjen e kësaj statuje. Nëse dokumenti miratohet, këshilli i bashkisë do të konsultohet me grupe të ndryshme interesi për të përcaktuar një vendndodhje të re dhe për të shqyrtuar se çfarë informacioni do të shfaqet në pllakatën përshkruese. Vendndodhja e re pritet të përcaktohet në fillim të vitit 2022.

 

Denis Coderre do kandidojë sërish për kryetar bashkie në Montréal

Denis Coderre shfaqet sërish në arenën e politikës lokale pas humbjes që pësoi para katër vitesh përballë Valérie Plante, gruaja e pare e zgjedhur në krye të metropolit frankofon. Ish-deputeti dhe ish-ministri federal i Imigracionit, njëkohësisht dhe ish-kryetar i bashkisë së Montréalit (2013-2017), do të kërkojë sërish një mandat tjetër dhe e ka njoftuar zyrtarisht kandidaturën e tij për zgjedhjet e 7 Nëntorit gjatë një interviste në programin “Tout le monde en parle” të gazetarit Guy A. Lepage. Objektivi i tij në fakt u paralajmërua paraprakisht më 24 Mars, kur ai publikoi librin e titulluar “Retrouver Montréal”, ku trajtohen të gjitha temat me rëndësi për Montréalin si planifikimi i qytetit, ambienti, lehtësia e zhvendosjes, transporti publik, financimi, imazhi ndërkombëtar, kultura, ndërtimi i një stadiumi bejsbolli, etj.

 

Ottawa do rishikojë procesin e dëmshpërblimit të viktimave të rezidencave autoktone

Qeveria federale qorton disa të mbijetuar dhe zyrtarë publikë, përfshirë senatorin në pension Murray Sinclair, i cili kryesoi Komisionin e të Vërtetës dhe Pajtimit, për komentet e tyre dhe për minimin e besimit në procesin e kompensimit të nxënësve të shkollave rezidenciale për autoktonët. Një dokument ligjor, që posedohet dhe nga CBC News, u kërkon gjyqtarëve që mbikëqyrin procesin e kompensimit të verifikojnë se si Ottawa i ka trajtuar çështjet që përfshijnë Shkollën Rezidenciale të Saint-Anne në Veri të Ontarios. Ky institucion katolik, një nga shkollat ​​më të përfolura rezidenciale në Kanada, u ndërtua në territorin e First Nation të Fort Albany përgjatë bregut të Bay James. Ndër historitë e abuzimit në Sainte-Anne, bën pjesë dhe informacioni në lidhje me një karrige elektrike artizanale, e fabrikuar prej autoriteteve të shkollës në fjalë, për të ndëshkuar fëmijët autoktonë. Ministrja e Marrëdhënieve me Autoktonët Carolyn Bennett, njoftoi javën e kaluar se qeveria federale po kërkon një vlerësim të pavarur të procesit të kompensimit. Për një periudhë 7 vjeçare, Ottawa ka shpenzuar afërsisht 3.2 milion dollarë në çështje gjyqësore të lidhura me shkollën rezidenciale Sainte-Anne. Ministrja Bennett pohoi se ajo ka kërkuar rishikimin e procesit për të mbijetuarit e kësaj shkolle.

 

Kanadaja zgjat edhe për një vit misionin ushtarak në Lindjen e Mesme

Ministri i Mbrojtjes Harjit Sajjan, njoftoi të marten e kaluar se Kanadaja do vazhdojë ende të mbajë trupa ushtarake në Irak dhe rajon deri në Mars 2022, si pjesë e operacionit IMPACT. Misioni, i cili filloi në Tetor 2014, ishte planifikuar të përfundonte më 31 Mars 2021. Njoftimi i zgjatjes njëvjeçare përkon gjithashtu me shqetësimet në rritje për ndikimin e Iranit në Irak. Teherani mbështet grupe të shumta të armatosura Shiite në vendin fqinj. Këto grupe, veçanërisht grupi i armatosur i Shtetit Islamik, kërcënimi kryesor në Irak, kanë rritur sulmet e tyre ndaj forcave perëndimore në muajt e fundit. Zgjatja njëvjeçare e operacionit IMPACT përfshin dhe autorizimin për të vendosur deri në 850 ushtarakë të Forcave të Armatosura kanadeze në mbështetje të koalicionit global, misionit të NATO-s në Irak dhe aktiviteteve për ndërtimin e kapaciteteve për forcat e armatosura të Jordanisë dhe Libanit, thuhet në deklaratën e Ministrit.

 

Qeveria federale investon për ndërtimin e një fabrike vaksinash gripi në Toronto

Qeveria Trudeau do investojë rreth 415 milion dollarë në projektin e gjigandit farmaceutik Sanofi Pasteur për hapjen e një fabrike të prodhimit të vaksinave të gripit në Toronto. Ministri i Inovacionit, Shkencës dhe Industrisë François-Philippe Champagne dhe Ministri i Shëndetësisë Patty Hajdu e bënë njoftimin të Mërkurën e kaluar, sëbashku me Kryeministrin e Ontarios Doug Ford dhe Kryetarin e Bashkisë së Torontos, John Tory. Nga ana e saj, kompania Sanofi Pasteur do investojë mbi 455 milionë në projekt ndërsa provinca e Ontarios 55 milionë. Në objektet e reja do operohen të gjitha fazat e prodhimit, përfshirë përgatitjen, mbushjen, paketimin dhe inspektimin. Qeveria Trudeau deklaroi se investimi ka për qëllim forcimin e industrisë së biofabrikimit në Kanada. Impianti i ri nuk do prodhojë vaksina të COVID-19, por doza të vaksinës sezonale të gripit (Fluzone), që zakonisht ofrohet për të moshuarit.

 

Masa të reja për mbrojtjen e balenave të zeza ne Gjirin e Saint-Laurent

Sytë e shkencëtarëve të interesuar nga e gjithë bota janë drejtuar në Akadi këtë pranverë, ku sezoni i gjuetisë së gaforreve pritet të jetë i veçantë. Për të parandaluar që balenat e zeza, një specie në zhdukje, të ngatërrohen me litarët e kafazeve (arkave) të gjuetisë së gaforreve, ata do të aplikojnë një metodë të re, qasje nuk është zbatuar kurrë në një shkallë të gjerë më parë. Në Shippagan, tani është koha për përgatitjet e fundit. Skela është plot me peshkatarë. Ata rrotullojnë litarët dhe provojnë pajisjet e tyre. Nisja në det filloi më 1 Prill. Ndër pajisjet e testuara para nisjes ishte dhe një arkë me kyç të verdhë. Kjo arkë me kyç është çelësi i teknologjisë që lejon peshkimin pa litarë vertikalë dhe synon të parandalojë balenat e zeza që të mos ngatërrohen në to, çka deri më sot ka qenë shkaku kryesor i vrasjes së këtij lloj gjitari. Pajisja e veçantë e saj është një valixhe e vogël me fill akustik. E lidhur me arkën ajo emeton sinjale nga thellësia dhe mund të kontrollohet prej telefonave celularë. Sipas Akuariumit të New England, në botë aktualisht kanë mbetur 356 balena të zeza. Rezultatet e aplikimit të kësaj teknologjie pritet të mësohen në fund të sezonit të gjuetisë së gaforreve.

©Flasshqip.ca

Fotot Radio Canada