Kanada

Kanada - Gjatë vitit 2020 u dyfishua deficiti tregëtar

  • Published in Ekonomi

Sipas Statistics Canada, viti që shkoi ka qenë i pashembullt për tregëtinë ndërkombëtare kanadeze. Agjencia Federale raportoi sot se deficiti i tregëtisë së mallrave me botën u dyfishua gjatë vitit 2020 në krahasim me 2019. Ky deficit u rrit nga 15.4 miliardë dollarë në 37.3 miliardë dollarë. Në tregtinë ndërkombëtare të mallrave dhe shërbimeve të kombinuara, deficiti i përgjithshëm tregëtar i Kanadasë u rrit nga 36.9 miliardë dollarë në 2019 në 44.8 miliardë dollarë, ndërsa vlera e eksporteve vjetore të mallrave ra në masën 12.4% (524 miliardë dollarë) dhe ajo e importeve vjetore ra gjithsej 8.5% (561 miliardë dollarë).  

Eksportet drejt Shtetet e Bashkuara, konsumatori më i madh produkteve kanadeze, ranë vetëm 15.7% (376.2 miliardë dollar), vlera më e ulët vjetore kjo që nga viti 2013. Megjithatë, eksportet drejt fqinjit jugor arritën shifrën 71.8% të totalit të eksporteve kanadeze në vendet e tjera gjatë 2020.

Statistics Canada raportoi gjithashtu se pas mbylljes së disa industrive gjatë valës së parë të pandemisë COVID-19, në Mars, Prill dhe Maj 2020, eksportet dhe importet e mallrave dhe shërbimeve ranë në nivele historike të ulëta.

Për shembull, në Prill, eksportet ranë 28.4% (31.7 miliardë dollarë), niveli i tyre më i ulët që nga viti 2009. Ndërkohë, tregëtia e mallrave u ristabilizua relativisht shpejt pas kësaj faze mbylljeje, me rihapjen graduale të industrive prodhuese të mallrave, në Kanada dhe jashtë saj. Kërkesa globale për mallra gjithashtu mbeti e fortë, pasi familjet shpenzuan më shumë për mallra sesa për shërbime dhe qeveritë investuan në projekte të infrastrukturës dhe ofruar gjtihashtu ndihmë financiare për të mbështetur ekonominë.

Në deklaratën e sotme, Statistics Canada theksoi megjithatë që ndikimi i pandemisë COVID-19 në tregtinë e mallrave gjatë vitit që shkoi ndryshoi shumë nga produkti në produkt. Për shembull, eksportet e produkteve të energjisë ranë 36.6% . Po kështu, rënie të paparë mujore patën importet dhe eksportet e produkteve të tilla si automjetet motorike apo pjesët e këmbimit për automjetet motorike.

Në të kundërt, eksportet e produkteve bujqësore dhe të peshkimit apo produkteve ushqimore të ndërmjetme shënuan një rritje të konsiderueshme, pavarësisht nga pandemia. Prodhuesit kanadezë kanë përfituar gjithashtu nga kërkesa e fortë globale dhe kushtet e favorshme të tregut për drithëra apo produkte vajore e bishtajore, duke eksportuar kësisoj sasi mjaft të konsiderueshme gjatë 2020. Ndërkohë, importet e mallrave të konsumit u rritën mjaft për shkak të kërkesës për pajisje mbrojtëse personale.