Kanada

Java kanadeze 18 Prill - Lajme shkurt

  • Published in Kanada

Homazhe në Ottawa për Pricin Filip, Dukën e Edinburgut

Konservatorët angazhohen të respektojnë Marrëveshjen e Parisit për ambientin

Rritet varësia e Kanadasë kundrejt naftës buto të importuar nga SHBA

5,9 miliardë dollarë plani i ndihmës së qeverisë për Air Canada

Doug Ford i drejtohet kanaleve diplomatike për furnizim me vaksina

Përkujtohen 22 viktimat e 18 Prillit 2020 në Nova Scotia

 

Homazhe në Ottawa për Pricin Filip, Dukën e Edinburgut

Me rastin e ndarjes nga jeta të Princit Filip, bashkëshortit të Mbretëreshës Elizabeth II, në Katedralen e Krishtit në Ottawa u zhvillua të shtunën një ceremoni e veçantë me pjesëmarrje virtuale. Kleriku i Forcave të Armatosura Kanadeze Guy Chapdelaine foli për jetën dhe aktivitetin e Dukës së Edinburgut, ndërsa pas tij e morën fjalën kryeministri Justin Trudeau dhe ish-Guvernatori i Përgjithshëm David Johnston duke bërë secili vlerësimet e rastit për të ndjerin. Ceremoni të ngjashme u zhvilluan dje edhe në shtete të tjera të Komonuelthit.

 

Konservatorët angazhohen të respektojnë Marrëveshjen e Parisit për ambientin

Erin O'Toole

Në një skenar të afërt zgjedhjesh të përgjithëshme, lideri konservator ka bërë një lëvizje tjetër në vazhdën e ndryshimit të qëndrimeve të partisë së tij për çështjet e ambientit. Të enjten, Erin O’Toole deklaroi publikisht propozimet e tij në lidhje me këtë temë dhe pohoi së nëse partia e tij fiton, ajo do të angazhohet përmes masave të posaçme (përfshi një tarifë karboni për reduktimin e gazrave ndotëse që krijojnë efektin serë) dhe një plani që mbështet krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen ekonomike Po kështu, ai është deklaruar në favor të respektimit të angazhimeve që burojnë nga Marrëveshja e Parisit. Plani i Konservatorëve synon tarifimin e konsumatorëve kanadezë për çdo blerje të karburanteve hidrokarbure. Fondet e mbledhura mund të depozitohen në një llogari personale kursimesh dhe mund të përdoren prej konsumatorëve për të blerë shërbime ose mallra me efikasitet energjitik, të tilla si automjetet elektrike.

 

Rritet varësia e Kanadasë kundrejt naftës buto të importuar nga SHBA

Sipas një raporti të Entit Kanadez Regullator të Energjisë, varësia e furnizimit me naftë bruto të Kanadasë nga fqinji jugor po vjen në rritje. Gjatë 2020, në se do merreshin si reference krahasimi 5 barila, Shtetet e Bashkuara e furnizuan Kanadanë me gati katër nga pesë të tilla, në një vit kur kërkesa globale për lëndë djegëse u prek rëndë nga pandemia COVID-19. Rreth 77% e importeve kanadeze erdhën nga Shtetet e Bashkuara, nga 72% në 2019 dhe vetëm 6% në 2010.

 

5,9 miliardë dollarë plani i ndihmës së qeverisë për Air Canada

Ndërsa pandemia COVID-19 vazhdon të trondisë sektorin e transportit ajror, javën që shkoi, Air Canada arriti një marrëveshje me qeverinë federale për një ndihmë prej 5.9 miliardë dollarë në këmbim të disa angazhimeve të caktuara. Ottawa injektoi 500 milionë dollarë aksione (23,18 dollarë për aksion) ndërsa rreth 4 miliardë do vihen në dispozicion përmes kreditimit në katër këste, secili me kushte dhe norma të ndryshme interesi. Një tjetër kredi prej 1,4 miliardë dollarë do të përdoret për të rimbursuar biletat e anuluara. Sipas një informacioni që i referohet bankës CBC, rimbursimi i klientëve ishte një nga kushtet për të miratuar planin e ndihmës së qeverisë federale. Zv. Kryeministrja dhe ministrja e Financave Chrystia Freeland, ka mohuar që ky rimbursim do vijë nga paratë e taksapaguesve ndërsa burime nga qarqet akademike universitare kanë pohuar të kundërtën.

 

Doug Ford i drejtohet kanaleve diplomatike për furnizim me vaksina

Doug Ford

Në kushtet e krijuara nga pandemia COVID-19 në Ontario, ku sapo janë mbyllur sërish kufijtë provincialë, Doug Ford, kryministri i provincës, ka kontaktuar personalisht konsujt e shteteve më të fuqishme evropiane në Toronto me synim rritjen e furnizimit me doza vaksinash, për të përshpejtuar kësisoj procesin e vaksinimit në masë. Zëdhënësja e kryeministrit Ford, Ivana Yelich, i ka deklaruar Radio-Canada që vonesat e furnizimit me Moderna e kanë komplikuar procesin, ndërkohë që situata shëndetësore në Ontario vazhdon të përkeqësohet. Ford është në kërkim të çdo lloj vaksine që është aprovuar nga Health Canada duke tentuar të anashkalojë kësisoj qeverinë federale e cila është përgjegjëse për furnizimin e dozave. Burime nga një konsullatë e rëndësishme në Toronto, pohojnë që edhe pse shancet e Ford janë të pakta, një sukses i vogël simbolik nuk përjashtohet të arrihet së shpejti.

 

Përkujtohen 22 viktimat e 18 Prillit 2020 në Nova Scotia

Në provincën Nova Scotia sot u kryen homazhe për viktimat e masakrës më të madhe të viteve të fundit në Kanada. Tragjedia nisi në Portapique mbrëmjen e 18 Prillit 2020. Në një hark kohor prej 12 orësh, atë natë të zezë humbën jetën plot 22 vetë të vrarë me armë zjarri nga Gabriel Wortman i cili u ekzekutua të njëjtën ditë teksa tentoi ti bënte rezistencë policisë. Ceremonia përkujtimore gjatë të cilës fillimisht u mbajt një minutë heshtje, u zhvillua në një kishë. Në ceremoni mori pjesë dhe foli kryeministri i provincës Iain Rankin. Një mesazh virtual u përcoll edhe nga kryeminstri kanadez Justin Trudeau. Në godinën e Parlamentit në Halifax flamujt u ngritën në gjysëm shtizë.

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio-Canada