Kanada

Universiteti i Alberta-Edmonton në krizë fianciare

  • Published in Kanada

Në periudhën e pandemisë COVID-19, si shumë sektorë të tjerë edhe universitetet kanadeze po kalojnë kohë të vështira. Të pafinancuar në shkallën e duhur, disa prej tyre janë të detyruar të shkurtojnë në mënyrë të konsiderueshme shpenzimet. Situata paraqitet veçanërisht kritike në Universitetin e Alberta-s, ku një nga temat më të diskutuara është ulja e shpenzimeve për pagat si një mundësi zgjidhjeje.

Një shkurtim i pagave nuk do të kishte shumë efekt, sipas Ricardo Acuna, president i Shoqatës së Personelit Akademik të Universitetit të Alberta-s (AASUA). Ndërkohë zëri paga, është shpenzimi më i madh për këtë qendër universitare që ndodhet në Edmonton, ku studiojnë rreth 40,000 studentë dhe punojnë rreth 14,400 vetë, personel mësimdhënës dhe administrativ. Aktualisht buxheti është tkurrur me rreth 170 milionë dollarë për shkak të shkurtimeve nga ana e qeverisë dhe vihet në diskutim rritja e pagave që përfaqësojnë afërsisht 60% të shpenzimeve totale të këtij universiteti çdo vit.

Që nga viti 2013-2014, pagat janë rritur me 6.58%. Si rregull, rritja e pagave miratohet nga një komision që vlerëson numrin e botimeve dhe cilësinë e tyre. Rowan Ley, president i Shoqatës së Studentëve të Universitetit të Alberta-s, i ka pohuar Radio-Canada që pagat e profesorëve nuk duhet kurrsesi të reduktohen për shkak të konkurrencës me universitetet e tjera, sepse pagesa e lartë është mjeti efikas për të tërhequr profesorët me të mirë dhe kjo lidhet direkt me reputacionin e çdo universiteti.

Krahasuar me institucionet universitare të Ontario dhe British Columbia, pagat e profesorëve në Alberta janë rreth 10% më të ulëta. Ndërkohë profesorët e universitetit, ku thuhet se ka më shumë se duhet poste administrative, pritet t'i nisin një peticion parlamentit provincial dhe kryeministrit Jason Kenney.

©Flasshqip.ca