Kanada

Kanada - Sistem i ri digjital për përshpejtimin e aplikimeve të imigracionit

  • Published in Kanada

Sipas Radio-Canada, qeveria federale kanadeze po synon aktualisht të krijojë një platformë të re digjitale me qëllim përpunimin më të shpejtë të aplikimeve për imigracion. Ka qenë pikërisht situata e pandemisë qe e ka nxitur një ide të tillë. Për këtë qëllim, në buxhetin që pritet të miratohet së shpejti, janë planifikuar të shpenzohen rreth 430 milionë në 5 vitet e ardhshme dhe gjatë kësaj periudhe parashikohet të zëvendësohet plotësisht sistemi që përdoret aktualisht.

Alexander Cohen, një prej zëdhënësve të Ministrit të Imigracionit, Marco Mendicino, i ka deklaruar The Canadian Press që kjo platformë e re digjitale do të bëjë të mundur që sistemi kanadez i imigracionit të përpunojë në mënyrë më të shpejtë dhe efikase numrin gjithnjë në rritje të aplikimeve. Platforma e re do reduktojë maksimalisht përdorimin e dokumenteve në letër, do të jetë më e thjeshtë dhe më e lehtë për t’u perdorur nga aplikantët.

Sipas studiuesit të Universitetit të Calgary, Robert Falconer, shkalla e përpunimit për aplikimet për rezidencë të përhershme ka rënë gjatë gjashtë viteve të fundit. Analiza e të dhënave nga burimet qeveritare tregon se gjatë vitit të kaluar, numri i aplikimeve për qëndrim të përhershëm ishte 34% më i lartë se numri i dosjeve të shqyrtuara. Kjo shifër ishte 21% në 2019. Falconer kujton gjithashtu se ka rreth 120 programe imigracioni në Kanada dhe se pothuajse gjysma e tyre u kërkojnë aplikantëve të plotësojnë dokumentet e aplikimit në letër. Sigurisht situata e COVID-19 ka rritur shkallën e vështirësisë për trajtimin e këtyre dosjeve dhe ka rritur dhe kohëzgjatjen e shqyrtimit.

Ministri Kanadez i Imigracionit Marco Mendicino

Burime nga Ministria Federale e Imigracionit, konfirmojnë që numri i aplikimeve gjatë viteve të fundit ka ardhur duke u rritur në mënyrë të konsiderueshme. Ministria ka krijuar tashmë një portal që mundëson aplikimet online. Aktualisht ky portal përdoret vetëm për një përzgjedhje të rastësishme të aplikantëve në shtatë programe ndërsa në të ardhmen, me financimin e ri të planifikuar do mund të përdoret edhe nga aplikantët për rezidencë të përhershme.

Qeveria federale ka krijuar gjithashtu kohët e fundit disa programe të reja në kategorinë e imigracionit ekonomik, duke përfshirë atë që lejon banorët e Hong Kongut të vijnë dhe vendosen në Kanada dhe një tjetër që u mundëson të gjithë rezidentëve të përkohshëm, përfshirë dhe studentët ndërkombëtarë, të aplikojnë për statusin e qëndrimit të përhershëm.

Në kushtet aktuale, me qëllim reduktimin e stresit për zyrtarët dhe reduktimin e zvarritjes që ndikon te aplikantët, studiuesi nga Calgary, Robert Falconer, rekomandon integrimin e sistemit federal të imigracionit me sistemet e veçanta të provincave. Të 10-të provincat kanë secila procesin e tyre të aplikimit. Sipas tij, gati gjysma e të gjithë imigrantëve që mbërrijnë në vend përmes programeve të kategorisë ekonomike aplikojnë sipas programeve provinciale. Për shembull, sistemi në Alberta ka qenë i bazuar vetëm në letër. Por dy vjet më parë, kjo provincë vendosi ta integrojë systemin e vet me atë të qeverisë federale. Pra duket se problemi më i rëndësishëm është koordinimi mes qeverive provinciale dhe federale mbi çështjen e imigracionit.

Ndërkohë, Andrew Griffith, ish-drejtor i Shtetësisë dhe Multikulturalizmit në Ministrinë e Imigracionit, pohon se gjatë kohës qe ka qenë në detyrë është përpjekur të thjeshtonte procesin duke lejuar më shumë transmetim të dokumenteve përmes internetit. Gjithsesi, sipas tij, këto ndryshime nuk mund të vihen në zbatim brenda ditës, por Griffith beson se angazhimi i qeverisë federale për të shpenzuar gati gjysmë miliard dollarë për krijimin e një sistem të ri të përpunimit të dosjeve të imigracionit duket interesant dhe efikasiteti mbetet të vlerësohet gjatë zbatimit në praktikë. E rëndësishme është të eliminohen mbivendosjet apo procedurat e dyfishta për të njëjtën gjë.

Ministria i Imigracionit pat nisur dy projekte pilot qysh në 2018 me qëllim përdorimin e analizës kompjuterike për t’u ardhur në ndihmë oficerëve të imigracionit që shqyrtojnë kërkesat për vizë përmes internetit. Kjo teknologji analizon të dhënat dhe mundëson diferencimin e një dosje të zakonshme që mund të trajtohet pa vonesë nga një dosje komplekse që kërkon shqyrtim më të thelluar. Sigurisht vendimi final merret nga një zyrtar emigracioni dhe duket se synimi i qeverisë federale është të përfitojë sa më shumë nga teknologjia për të përmirësuar, përshpejtuar dhe lehtësuar procesin për të gjithë shtetasit kanadezë apo rezidentët e përhershëm që aplikojnë për bashkime familjare apo për të gjithë ata që zgjedhin të imigrojnë e të vendosen në Kanada.

©Flasshqip.ca