Kanada

Java kanadeze - Lajme shkurt 9 Maj

  • Published in Kanada

 

Së shpejti drone me municion për Ushtrinë Kanadeze

Krijohet një autoritet i posaçëm kundër abuzimeve në sport

Kanadaja planifikon ndërtimin e dy anijeve akullthyese polare

Vlerësohet me çmim Muzeu i trashëgimisë kineze në British Columbia

Arrestohet pastori i Street Church Ministries në Calgary

COVID-19, Manitoba mbyll restorantet dhe muzeumet

Nova Scotia, lirohen të burgosur për të frenuar përhapjen e COVID në burgje

Basketboll, eliminohet Toronto Raptors

Në Windsor mund të organizohet vaksinimi ndërkufitar

 

Së shpejti drone me municion për Ushtrinë Kanadeze

Ky lajm është berë i ditur nga Komandanti i Aviacionit Mbretëror Kanadez, gjeneral-lejtenant Al Meinzinger, pa dhënë detaje për rrethanat në të cilat ato do përdoren. Kërkesa për oferta nga të paktën dy fabrikantë do të paraqitet këtë vit në vjeshtë dhe shuma në dispozicion për blerjen dronëve do jetë 5 miliardë dollarë. Blerja dhe furnizimi mendohet te realizohet brenda 3-4 viteve të ardhshme. Edhe pse ende nuk dihet se ku do të jetë vendndodhja e tyre, qendra e komandimit tokësor do të jetë në Ottawa, ndërsa personeli i domosdoshëm në dispozicion mendohet të jetë rreth 300 ushtarakë. Blerja e pajisjeve të këtij niveli, bazohet te dokumenti për Politikën e Mbrojtjes i miratuar nga qeveria liberale më 2017. Aktualisht, rreth 76 ushtri në botë përdorin dronë.

 

Krijohet një autoritet i posaçëm kundër abuzimeve në sport

Vitet e fundit është diskutuar gjithnjë e me shumë për abuzime të ndryshme në sektorin e sportit dhe shumë organizma sportivë kanë kërkuar krijimin e një autoriteti të pavarur për trajtimin e ankesave të çdo natyre. Së fundi objekt ankesash dhe i një padie gjyqësore ka qenë Federata e Notit Artisitk por edhe Rugby Canada. Organizmi në fjalë pritet të krijohet në javët e ardhshme nga qeveria federale dhe do ketë për detyrë të shqyrtojë të gjitha ankesat në adresë të federatave kombëtare sportive. Organizmi do të ketë gjithashtu të drejtën e dhënies së masave ndëshkimore duke ofruar dhe një procedurë apelimi. Prej Prillit të këtij viti, të gjitha financimet federale në adresë të federatave sportive janë të kushtëzuara me zbatimin rigoroz të Kodit të sjelljes që është miratuar qysh në vitin 2019. Organizmi i ri që do krijohet do mbikqyrë dhe zbatimin e këtij komponenti.

 

Kanadaja planifikon ndërtimin e dy anijeve akullthyese polare

Ky projekt që do të kushtojë miliarda dollarë, më i madhi në llojin e vet, konsiderohet si ndër më të rëndësishmit për strategjinë detare kanadeze, veçanërisht për garantimin e prezencës dhe forcimin e sovranitetit në zonën e Arktikut. Njera nga anijet gjigande do të prodhohet në Kantjerin Detar Seaspan të British Columbia, ndërsa e dyta në Kantjerin Detar Davie në Québec. Sipas drejtuesve të kantjerit në Davie, ky projekt parashikohet të krijojë rreth 1300 vende pune dhe rreth 1200 të tilla tek nënkontraktorët. Edhe pse jo zyrtarisht e konfirmuar, mendohet që kostoja e prodhimit për një akullthyese mund të shkojë deri në 2 miliardë dollarë. Opozita e ka shigjetuar projektin duke e cilësuar thjesht një tentativë për të fituar kredibilitet në prag të zgjedhjeve të përgjithëshme që ka gjasa të mbahen këtë vit. Për momentin nuk është nënshkruar asnjë kontratë me dy kantjeret përkatëse.

 

Vlerësohet me çmim Muzeu i trashëgimisë kineze në British Columbia

Lorna Fandrich

Muzeu i trashëgimisë kulturore kineze në Lytton të rajonit Cariboo në British Columbia eshtë vlerësuar me një çmim të posaçëm për faktin se ka arritur të ruajë dhe promovojë një koleksion të çmuar objektesh që afirmojnë vlerat e komunitetit përkatës në provincën e Paqësorit dhe gjetkë. Çmimi Drs ​Wallace B. et Madeline Chung u akordua nga Shoqata Historike Kino-Kanadeze e British Columbia. Çmimi mban emrat e një mjeku në pension nga Victoria dhe gruas së tij të cilët mblodhën rreth 25,000 objekte të ruajtur në Universitetin e British Columbia në Vancouver, disa prej të cilëve dëshmojnë për historinë e ndërtimit të Hekurudhës Kanadeze të Paqësorit. I themeluar në Maj 2017 nga Lorna Fandrich dhe bashkëshorti i saj, Muzeu Lytton ndodhet në territorin ku dikur ngrihej një tempulli kinez që iu dha statusi zyrtar i trashëgimisë nga Heritage British Columbia në 2016. Godina e vjetër u ndërtua në 1881 dhe u shemb në 1928. Toka ku dikur ndodhej tempulli ishte e lirë derisa u ble në 1980 nga zonja Fandrich, e cila ndërtoi një muze në respekt të komunitetit lokal me origjinë kineze.

 

Arrestohet pastori i Street Church Ministries në Calgary

Artur Pawlowski dhe Dawid Pawlowski

Artur Pawlowski, pastor i Kishës Street Church Ministries në Calgary është ndaluar dhe mbajtur në arrest dje, sëbashku me vëllain e tij Dawid Pawlowski. Ata janë akuzuar për organizimin e një manifestimi të paligjshëm dhe nxitjen e personave të tjerë për të marrë pjesë në kundërshtimi më rregullat e vendosura nga autoritetet e Shëndetit Publik. Sipas burimeve nga Xhandarmëria Mbretërore Kanadezë, ndalimet janë berë vetëm pas 3 orësh dhe si fillim forcat e rendit u kanë tërhequr vetëm vëmëndjen pjesëmarrësve duke i informuar ata për rregullat në fuqi.

 

COVID-19, Manitoba mbyll restorantet dhe muzeumet

Brent Roussin

Restorantet dhe baret, muzeumet, sallonet e flokëve dhe bukurisë, qendrat e brendshme të rekreacionit dhe shkollat ​​e vallëzimit dhe teatrit, do të mbyllen të gjitha nga sot e për tre javët e ardhsme në provincën e Manitobas. Kështu ka deklaruar Shefi i Shendetit Publik Brent Roussin duke theksuar se kufizimet u vendosën për të përballuar valën e tretë të pandemisë. Ndërkohë, mësimi në shkolla do vazhdojë normalisht. Provinca vendosi të mos i mbyllë bizneset por vetëm të kufizojë vajtjen atje për blerjen e mallrave të domosdoshme.

 

Nova Scotia, lirohen të burgosur për të frenuar përhapjen e COVID në burgje

Autoritetet e provincës së Atlantikut kanë vendosur të lirojnë disa të burgosur për të penguar përhapjen e mëtejshme të pandemisë COVID-19 në institucionet korrektuese provinciale. Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Drejtësisë, nga muaji Prill janë liruar me kusht 19 persona që vuanin dënime të ndryshme, kohë kjo që përkon me fillimin e valës së tretë. Mësohet se vlerësimet janë berë rast pas rasti dhe të gjithë personat i plotësonin kriteret e lirimit me kusht.

 

Basketboll, eliminohet Toronto Raptors

Pas humbjes së djeshme përballë Grizzlies të Memphis me rezultatin 109-99, ekipi i basketbollit të Torontos, Raptors, e humbi përfundimisht shancin për të vazhduar në serinë e eliminatoreve. Për më tepër, në ndeshjet e mbetura, nuk do të luajnë Pascal Siakam dhe Rodney Hood të cilët janë dëmtuar. Në 8 takimet e fundit, Raptors arriti vetëm një fitore.

 

Në Windsor mund të organizohet vaksinimi ndërkufitar

Ideja për kryerjen e vaksinimit në kufi për punëtorët e shërbimeve esenciale është diskutuar së fundi mes kryeministrit të Ontarios Doug Ford dhe autoriteteve drejtuese të shtetit të Michigan. Para disa ditësh Ford ka bashkëbiseduar me guvernatoren Gretchen Witmer dhe sipas CBC, duket se ajo është parimisht në favor të kësaj ideje, por ka kërkuar më shumë detaje për mënyrën se si mund të realizohet në praktikë. Topi tashmë është në fushën e Ontarios. Një marrëveshje të tillë deri tani e ka realizuar Manitoba me Dakotën e Veriut dhe shoferët e kamionëve tashmë mund të vaksionohën në SHBA. Ndërkohë diskutohet që nga kjo marrëveshje të përfitojne edhe mësuesit.

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio-Canada