Kanada

Java kanadeze - Lajme shkurt 30 Maj

-Rihapet çështja e shkollave rezidenciale të fëmijëve autoktonë në British Columbia

-Bazë hapësinore tregëtare në Nova Scotia

-Racizmi në administratën publike federale objekt diskutimi në Parlament

-Industria e mishit të viçit kërcënohet sërish nga proteksionizmi i SHBA

-Së shpejti 30 Shtatori Dita Zyrtare Kombëtare e të Vërtetës dhe Pajtimit

-Ontario zgjat mbylljen e kufijve me Quebéc dhe Manitoba

 

Rihapet çështja e shkollave rezidenciale të fëmijëve autoktonë në British Columbia

Është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes së opinionit publik, tema e fëmijeve autoktonë të vendosur forcërisht në pensionate dhe shkolla rezidenciale nga fundi i shekullit XIX dhe gjatë shekullit të kaluar. Ditët e fundit u njoftua gjetja përmes përdorimit të radarëve, e eshtrave të 215 fëmijëve (një pjesë e të cilëve të moshës 3 vjeçare) në territorin e një ish-shkolle rezidenciale, në Kamploops të British Columbia. Tashmë po punohet që të bëhet identifikimi i tyre, proces në të cilin është përfshirë Asambleja Rajonale Autoktone, ekspertë të mjekësisë ligjore dhe të Muzeut Mbretëror të provincës.  Sipas Terry Teegee, Shef i Asamblesë Rajonale, këta fëmijë vinin jo vetëm nga zona Tk'emlúps e Secwépemc, por edhe nga komunitetet fqinje dhe ata në veri si Fort Nelson. Ndërkohë, Ministrja e Marrëdhënieve mes Shtetit dhe Autoktonëve, Carolyn Bennett dhe kolegu i saj Marc Miller, Ministri i Shërbimeve Autoktone, dolën të premten me një deklaratë të përbashkët ku theksohej që “abuzimi me fëmijët autoktonë është një pjesë tragjike dhe e turpshme e historisë kanadeze”.

 

Bazë hapësinore tregëtare në Nova Scotia

Së shpejti në provincën e Nova Scotia pritet të ndërtohet baza e parë hapësinore tregëtare e Kanadasë. Maritime Launch Services (MLS), kompania që ka marrë përsipër këtë projekt, ka përzgjedhur dhe partnerët që do merren me ndërtimin e platformës përkatëse të cilët janë Strum Consulting, Stantec, Nova Construction dhe Saint-Francis-Xavier University. Sipas Stephen Matier, CEO i MLS, brenda këtij viti është planifikuar punësimi i personelit të domosdoshëm. Stantec, një firmë këshilluese ndërkombëtare me zyra në Nova Scotia, do të drejtojë ekipin e dizajnit të platformës hapësinore, ndërsa kompania Antigonish Nova Construction do të përfshihet në pjesën e ndertimit të godinave dhe atë rrugore. Baza hapësinore do jetë e vendosur në afërsi të komunitetit Canso, në Verilindje të provincës. Rreth 125 specialistë do të përfshihen në projekt dhe stafi mund të dyfishohet kur platforma e nisjes të jetë funksionale. Objektivi i MLS është që ta përfundojë projektin deri në fund të vitit 2023.

 

Racizmi në administratën publike federale objekt diskutimi në Parlament

Çështja e racizmit në radhët e administratës publike federale u bë objekt diskutimi të mërkurën gjatë kësaj jave në Dhomën e Komunave. Në përgjigje të pyetjes së adresuar ndaj tij nga lideri i NDP Jagmeet Singh, Kryeministri Trudeau ka pohuar se “ka ende shumë për të bërë” në këtë drejtim duke rikujtuar që qeveria e tij e ka pranuar racizmin sistemik dhe është angazhuar ta luftojë atë me të gjitha format. Denoncimi i rasteve të racizmit në radhët e administratës federale është bërë objekt i një artikulli që u publikua kohët e fundit nga Radio-Canada. Nga ana e ankuesve, pretendohet se ata kanë qenë viktima të ngacmimeve, agresivitetit dhe dhunës verbale. Ata persona që kanë pranuar të dëshmojnë për mediat, deklarojnë se janë përpjekur që situata të ndryshojë, por kanë hasur në pengesa, qoftë në nivelin e institucionit ku punojnë, nga sindikata e tyre apo edhe nga organi përgjegjës për trajtimin e ankesave. Ndërkohë, sipas Radio-Canada, ka patur disa raste kur qeveria u ka paguar ankuesve mijëra dollarë në këmbim të heshtjes.

 

Industria e mishit të viçit kërcënohet sërish nga proteksionizmi i SHBA

Industria kanadeze e prodhimit të mishit të viçit sërish e kërcënuar nga synimi i shprehur prej blegtorëve amerikanë për rikthimin e etiketimin të detyrueshëm në vendin e origjinës për mishin e viçit dhe mishin e derrit, një regjim që i kushtoi shtrenjtë blegtorëve kanadezë kur u miratua për herë të parë në vitin 2008. Ky detyrim u hoq nga OBT (Organizata Botërore e Tregëtisë) qysh në vitin 2015, por Shtetet e Bashkuara nuk e morën në konsideratë një masë të tillë. Nën ndikimin e lobistëve përkatës, politikanët amerikanë e rihapën këtë temë dy herë gjatë seancave dëgjimore për konfirmimin e Sekretarit të ri të Bujqësisë, Tom Vilsack. Tom Vilsack ishte Sekretar i Bujqësisë gjatë administratës Obama, kur masa ishte në fuqi. Gjatë seancës së tij të konfirmimit Shkurtin e kaluar, ai pat deklaruar se ishte gati të punonte për të gjetur një formë të re zbatimi të detyrimit të etiketimit në vendin e origjinës. Shifra e eksportit vjetor të mishit të viçit kanadez drejt SHBA llogaritet 2,5 deri 3 miliardë dollarë në vit. Gjatë periudhës së luftës tregëtare midis dy vendeve, humbjet për këtë sektor arritën në rreth 1 miliard në vit.

 

Së shpejti 30 Shtatori Dita Zyrtare Kombëtare e të Vërtetës dhe Pajtimit

Të premten deputetët e Dhomës së Komunave miratuan një projekt-ligj për zyrtarizimin e Ditës Kombëtare të së Vërtetës dhe Pajtimit të Kanadasë. Deputetët unanimisht ranë dakord të anashkalojnë debatin mbi Ligjin C-5, në mënyrë që të përshpejtohet procedura dhe teksti të kalojë direkt në Senat. Qëllimi i këtij ligji të ri është krijimi i një dite zyrtare pushimi në Kanada në kujtim të viktimave dhe të mbijetuarve të shkollave rezidenciale. Kjo iniciativë përkoi me konfirmimin e zbulimit të enjten të trupave të 215 fëmijëve autoktonë të varrosur në një varr masiv në territorin e ish-shkollës rezidenciale në Kamloops, British Columbia. Kjo përpjekje e re për të miratuar një ditë kombëtare është e ngjashme me propozimin e NDP më 2017, propozim që nuk arriti të marrë miratimin e Senatit. Nëse miratohet zyrtarisht, kjo ditë në kalendar do jetë 30 Shtatori dhe do të jetë ditë pushimi zyrtar në shkallë vendi për të gjithë punonjësit nën autoritetin e administratës federale. Kisha Katolike dhe qeveria federale krijuan sistemin shkollor rezidencial në vitet 1880 dhe e mbajtën atë në fuqi për më shumë se një shekull. Qëllimi ishte konvertimi dhe asimilimi i fëmijëve autoktonë. Këta fëmijë gjithashtu iu nënshtruan vazhdimisht abuzimit fizik dhe seksual dhe mijëra prej tyre vdiqën nga neglizhenca në shkollat rezidenciale. Shkolla e fundit rezidenciale u mbyll në Punnichy, Saskatchewan në 1996. Iniciativa është përshëndetur nga Shefi i Asamblesë Kombëtare Autoktone Perry Bellegarde, ndërsa Ministri i Shërbimeve Autoktone Marc Miller, theksoi se kjo ditë kombëtare shënon një hap tjetër drejt korrigjimit të gabimeve të së kaluarës në lidhje me shkollat rezidenciale, të cilat ai i quajti një tragjedi kombëtare e lindur nga kolonializmi dhe e mbështetur nga racizmi sistemik.

 

Ontario zgjat mbylljen e kufijve me Quebéc dhe Manitoba

Qeveria e Doug Ford e zgjati edhe për disa ditë urdhrin ekzekutiv që kufizon udhëtimet tokësore midis Ontarios dhe provincave fqinje. Kufizimi që ka për synim frenimin e përhapjes së COVID-19 do mbetet në fuqi deri në 16 Qershor. Që nga 19 Prilli, kufijtë mbahen të mbyllur përveçse për udhëtimet esenciale, për punë, për të marrë kujdes mjekësor, kthim në shtëpi në Ontario apo për t'u kujdesur për një person të sëmurë. Personat që vijnë nga Quebéc ose Manitoba duhet të ndalojnë në postbllok dhe të paraqesin letrat e identifikimit kur kjo u kërkohet nga policia që mund t'i urdhërojë ata të kthehen në provincën e tyre, nëse mendon se nuk kanë ndonjë arsye të vlefshme për të hyrë në Ontario.

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio-Canada