Kanada

Papa Françesku zhgënjen Trudeau: “Dhimbje”, por jo falje për viktimat e shkollave rezidenciale në Kanada

  • Published in Kanada

Kreu Kishës Katolike, Papa Françesku, shprehu sot gjatë lutjes tradicionale të së Dielës në Vatikan “dhimbjen” e tij për zbulimin e eshtrave të 215 fëmijëve autoktonë, në Kamloops të British Columbia, në territorin e një ish-shkolle rezidenciale që administrohej nga Kisha Katolike. “Unë bashkohem me Peshkopët Kanadezë dhe të gjithë Kishën Katolike në Kanada për të shprehur solidaritetin tim me popullin kanadez të traumatizuar nga ky lajm tronditës”, deklaroi ai. Kësisoj, në mënyrë të përsëritur, Papa Françesku nuk pati kurajon që të kërkonte thjesht dhe drejtpërdrejt falje, edhe pse apeli për ta bërë këtë i ka ardhur nga shumë drejtime dhe prej disa vitesh. Nga ana e saj, para disa ditësh edhe Konferenca Kanadeze e Peshkopëve Katolikë pat shprehur dhimbjen dhe trishtimin e thellë për zbulimin në Kamloops, por pa ofruar falje zyrtare.

Jo më larg se të premten e kaluar, ishte vetë Kryeministri Kanadez Justin Trudeau që shprehu në mënyrë të përsëritur dhe hapur keqardhjen për refuzimin e Papës dhe Kishës Katolike për të marrë përsipër “përgjegjësinë” e tyre dhe “pjesën e tyre të fajit” për sa i takon administrimit të shkollave rezidenciale në Kanada. Trudeau iu bëri thirrje gjithë katolikëve kanadezë të flasin me priftërinjtë dhe peshkopët e tyre për të përcjellë mesazhin se është koha që Kisha Katolike të njohë përgjegjësinë e saj, pjesën e saj të fajit dhe, mbi të gjitha të jetë sa më e angazhuar që të njihet e verteta deri në fund.

Edhe pse falja sërish mungoi, mesazhi i kreut të Vatikanit u është adresuar gjithashtu autoriteteve politike dhe fetare të Kanadasë duke u bërë thirrje të vazhdojnë me vendosmëri bashkëpunimin për të hedhur dritë mbi këtë çështje të dhimbshme, si rruga e vetme për të shëruar plagët dhe realizuar përfundimisht pajtimin.

Duke bërë thirrje “për të vlerësuar dialogun, respektin reciprok dhe njohjen e të drejtave dhe vlerave kulturore të të gjithë qytetarëve kanadezë pa dallim”, Papa vlerësoi se “zbulimi i ditëve të fundit është një apel i fortë për t’u distancuar nga çdo lloj modeli kolonizues i të kaluarës apo nga kolonizimet ideologjike të sotme”. Në fund të fjalës së tij, Papa Françesku ftoi pelegrinët e pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit të luten në heshtje për viktimat dhe familjet e tyre.

©Flasshqip.ca