Kanada

Java kanadeze - Lajme shkurt 6 Qershor

  • Published in Kanada

 

Montreal, rritje tarifash dhe reduktim shërbimi në trasportin publik për 2022

Kanadaja fiton titullin e 27-të kampion në Botërorin e Hockey mbi akull

Senatori Murray Sinclair kërkon hetim të pavarur për varrezat e fshehta

Ulen çmimet e fluturimeve të brendshme me avion

Nova-Scotia, flamur i veçantë në nderim të punonjësve të sektorit shëndetësor

 

Montreal, rritje tarifash dhe reduktim shërbimi në trasportin publik për 2022

Përdoruesit e transportit publik në rajonin e Montrealit rrezikojnë të paguajnë më shumë gjatë viti 2022 për një shërbim më të reduktuar. Sipas Autoritetit Rajonal Metropolitan të Transportit, deficiti aktualisht gati ka kapur shifrën 1 miliardë dollarëve. Nëse qeveria provinciale nuk ndihmon për mbushjen e kësaj “grope” buxhetore, pasoja do jetë reduktimi i kostove në një periudhë tre vjeçare, që përkthehet në reduktim shërbimesh por edhe në një rritje progresive të tarifave. Nëse kjo do ndodhë, zonat që preken janë Montreal, Longueuil dhe Laval. Plani i reduktimeve parashikon më pak shërbim në orët e pikut dhe trena të periferisë me numër të reduktuar vagonash, çka mendohet të sjellë kursimin e 142 milionë dollarëve. Situata aktuale është rënduar si pasojë e pandemisë COVID-19. Frekuenca e përdorimit të transportit publik deri në Prill 2021, rezulton të jetë 36% e frekuencës së llogaritur në Prill 2019. Qeveria provinciale tashmë ka ofruar një ndihmë financiare prej 1.2 miliard dollarësh për kompanitë e transportit si kompensim për humbjen e të ardhurave të shkaktuara nga kriza dhe për të mbajtur shërbimin në parametra pothuajse normalë. Mëgjithatë, Autoriteti Metropolitan parajmëron që rikthimi i frekuentimit në shifrat e vitit 2019 do të marrë ende kohë.

 

Kanadaja fiton titullin e 27-të kampion në Botërorin e Hockey mbi akull

Ekipi kanadez i meshkujve në Hockey mbi akull, ka arritur dje një sukses historik në Riga të Letonisë. Pas fitores 3-2 në kohën shtesë ndaj Finlandës, kanadezët u shpallën kampionë të Botërorit duke fituar njëkohësisht dhe medaljet e arta. Ka qenë Nick Paul, lojtar i Senatorëve të Ottawa, ai që i vuri vulën fitores me Golden Goal duke e dërguar rondelen për herë të tretë në rrjetën e kundërshtarëve. Ky eshtë titulli i 27-të për ekipin kanadez në këtë kompeticion dhe hera e fundit që Kanadaja kish dale fituese ka qenë viti 2016. Pas humbjes në tre takimet e para të këtij kampionati, fitorja kanadeze mund të konsiderohet një triumf i vërtetë. Në vendin e tretë të kampionatit u rendit ekipi i SHBA që mundi Gjermaninë 6-1.

 

Senatori Murray Sinclair kërkon hetim të pavarur për varrezat e fshehta

Senatori tashmë në pension me origjinë autoktone dhe drejtuesi i Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit, Murray Sinclair, ka kërkuar zhvillimin e një hetimi të pavarur për investigimin e të gjitha vendvarrimeve të fshehta në afërsi të teritoreve të ish-shkollave rezidenciale federale. Të Enjten e kaluar ai ishte i pranishëm për të dëshmuar para Komisionit të përhershëm për Çështjet Autoktone dhe Veriun në Dhomën e Komunave. Sinclair ishte i mendimit që hetimet të mos drejtohen nga qeveria federale, por të supervizohen nga një komision parlamentar. Sipas ish-gjyqtarit dhe ish-senatorit nga Manitoba, mbeten ende shumë pyetje pa përgjigje, sidomos ato në lidhje me numrin real të varrezave të fshehta dhe numrin real të fëmijëve të varrosur.

 

Ulen çmimet e fluturimeve të brendshme me avion

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme nga ana e autoriteteve shtetërore për evitimin e udhëtimeve joesenciale, kompanitë më të rëndësishme ajrore në vend si Air Canada, Air Transat apo WestJet, e kanë rritur fluksin e publicitetit në lidhje me reduktimin e çmimit të biletave për fluturimet e brendshme. Qëllimi duket qartë se është nxitja e qytetarëve kanadezë të përdorin më shumë linjat e udhëtimit ajror. Tashmë është e mundur të fluturosh nga Toronto në Vancouver për më pak se 120 dollarë, nga Montreal në Halifax për 86 dollarë apo nga Winnipeg në Calgary për afërsisht 90 dollarë. Promocioni që do të zgjasë deri në Dhjetor, kërkonte që rezervimi i biletave të bëhej brenda 6 Qershorit 2021, por nuk përjashtohet mundësia që promocioni të zgjasë edhe pas kësaj date. Edhe Flair Airlines ka ofruar gjithashtu çmime shumë të ulëta për destinacione të tilla si Halifax, Saint John, Charlottetown dhe Ottawa. Sigurisht, lëvizja e turistëve brenda territorit kanadez do ndikohet edhe nga masat graduale të hapjes në kushtet kur po zhvillohet një fushatë masive vaksinimi në të gjithë territorin.

 

Nova-Scotia, flamur i veçantë në nderim të punonjësve të sektorit shëndetësor

Një flamur i dizajnuar posaçërisht për të nderuar kontributin e punonjësve të shëndetësisë gjatë periudhës së pandemisë do të valvitet gjatë këtij muaji në të gjitha spitalet e Nova-Scotia. Flamuri u konceptua nga një infermiere tashmë në pension. Ajo quhet Deb Hartlen dhe është pronare e dyqanit Flag Shop në Darmouth. Pas tridhjetë viteve punë si infermiere, ajo iu përkushtua pasionit të rrobaqepësisë dhe kjo ishte arsyeja që bleu dhe një dyqan të tillë, duke marrë eksluzivitetin e Flag Shop në qytetin ku jeton. Deb iu përgjigj një ftese të bërë nga Dhoma e Tregëtisë së Halifax që nisi një projekt me synim shprehjen e mirënjohjes ndaj të gjithë përsonave që kontribuan për përballimin e COVID-19.

Deb Hartlen, Darmouth (NS)

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio-Canada